BallinaKultura"IL TRADIMENTO PERDONATO & TRADHËTI E FALUR" E ILDIJE XHEMALIT - NJË...

“IL TRADIMENTO PERDONATO & TRADHËTI E FALUR” E ILDIJE XHEMALIT – NJË RRËFIM PËR DASHURINË, FAMILJEN, SEKRETET DHE FUQINË E FALJES

-

Nga: Angela Kosta 

Doli nga shtypi për publikun italian novela “Il Tradimento Perdonato – Tradhëti e Falur”, e autores shqiptare Ildije Xhemali, të cilën pata kënaqësinë ta përktheja dhe ta përgatisja nga ana editoriale duke realizuar kopertinën e cila përmbledh boshtin e novelës. Vepra përshkon disa breza dhe trajton tema universale: tradhtinë, atësinë, vlerën e familjes, rrënjët kulturore dhe rrugën e vështirë, por të mundur, drejt faljes. Në qendër të rrëfimit zhvillohet një histori familjare e ndërlikuar dhe emocionuese, në të cilën tradhtia nuk përfaqëson thjesht një episod të dhimbshëm, por bëhet pikënisja e një reflektimi mbi natyrën e lidhjeve njerëzore, përgjegjësinë individuale, aftësinë për të dashuruar dhe mundësinë e rindërtimit të një familjeje edhe pas përballjes me të vërteta të vështira e tejet të hidhura për t’i pranuar.

Novela shpaloset përmes disa brezave, duke ndërthurur përvojat personale, transformimet shoqërore dhe traditat kulturore. Lexuesi shoqërohet në një udhëtim ku çdo personazh mbart me vete një histori, plagë, një zgjedhje dhe një pjesë të asaj bote komplekse që përfaqëson jeta familjare. Është një histori që, falë autenticitetit dhe mënyrës se si përcjell emocionet dhe situatat njerëzore, shpesh të krijon përshtypjen se është përjetuar realisht. Pikërisht kjo përmasë e saj konkrete e bën veprën universale. Titulli Tradhëti e Falur e vendos menjëherë lexuesin përballë thelbit moral të veprës. Megjithatë, ta kufizosh novelën vetëm në rrëfimin e një tradhtie bashkëshortore do të thoshte t’ia ngushtoje, t’ia kufizoje ndjeshëm kuptimin. Ildije Xhemali ndërton një histori ku marrëdhënia mes bashkëshortëve ndërthuret me atë mes prindërve dhe fëmijëve, me solidaritetin familjar, “përqafimin” e shoqërisë dhe përballjen e vështirë mes së vërtetës dhe ndjenjave. Tradhtia bashkëshortore e pranishme, lë pasoja të thella dhe nuk minimizohet. Megjithatë, autorja zgjedh të shkojë përtej ndarjes së thjeshtë mes fajtorëve dhe të pafajshmëve, duke treguar se, në kompleksitetin e jetës, njerëzit shpesh përballen me situata në të cilat asnjë vendim nuk është pa pasoja. Falja bëhet kështu boshti i një reflektimi që nuk pretendon të japë përgjigje të lehta. Të falësh nuk do të thotë të harrosh, të justifikosh apo të bësh sikur nuk ka ndodhur asgjë. Do të thotë ta pranosh lëndimin e thellë, ta përjetosh dhimbjen e saj dhe të përpiqesh të mos lejosh që ajo të shkatërrojë çdo mundësi për të ardhmen. Ky, është një këndvështrim thellësisht njerëzor, që e shoqëron lexuesin përgjatë gjithë rrëfimit. Ndër figurat më domethënëse femërore spikat Sara, e cila i përket një familjeje të komunitetit çam. E mbetur e ve në moshë të re, Sara nuk paraqitet si një grua e mundur nga rrethanat. Përkundrazi, personaliteti i saj shpaloset gradualisht përmes vendosmërisë, ndjenjës së përgjegjësisë dhe aftësisë për t’i shndërruar vështirësitë në mundësi të reja.

Kur humbet punën gjatë viteve të tranzicionit ekonomik në Shqipëri, ajo nuk dorëzohet. Rikujton një mjeshtëri të mësuar nga e ëma dhe vendos të përgatisë e të shesë byrekë tradicionalë, duke përdorur një furrë pjekjeje me dru e baltë, të ndërtuar sipas një teknike të lashtë familjare.

Ky detaj merr një kuptim që shkon shumë përtej përshkrimit të një veprimtarie të përditshme. Tradita, e trashëguar nga një brez në tjetrin, bëhet për Sarën një mjet pavarësie, dinjiteti dhe mbijetese. Historia e saj na përcjell portretin e një gruaje të fortë dhe praktike, e aftë të përballojë zinë fatkeqe, vështirësitë ekonomike dhe përgjegjësitë e një nëne, pa hequr dorë nga dinjiteti i saj. Një tjetër nyje qendrore e novelës shfaqet përmes historisë së Zanës, e cila tradhton bashkëshortin e saj, Agimin, duke sjellë në jetë një fëmijë.

Në këtë pikë, rrëfimi ngre një çështje që kapërcen kufijtë e një historie të vetme familjare dhe merr përmasa universale: kush është në të vërtetë një baba? Është ai që e sjell, e përcjell jetën biologjikisht apo ai që e shoqëron fëmijën në rrugëtimin e rritjes, e edukon, e mbron, përkujdeset dhe i qëndron pranë edhe kur rrethanat bëhen të vështira?

Agimi njeh vuajtjen, përjeton poshtërimin, zemërimin dhe zhgënjimin. Madje arrin të mendojë edhe të divorcohet, mbyllet në vetvete dhe kalon çaste dëshpërues të thellë. Ai nuk është thjesht një personazh i idealizuar dhe as një burrë pa kundërthënie apo kundërshtime. Megjithatë, vendimi i tij për të mos ia ngarkuar Sidritit, (djalit që ka rritur vetë), fajin për një gabim që nuk e ka bërë, zbulon një ndjeshmëri të thellë njerëzore. Ai vazhdon ta konsiderojë Sidritin si djalin e tij, sepse marrëdhënia e ndërtuar ndër vite ka një vlerë që asnjë zbulim mbi prejardhjen biologjike nuk mund ta fshijë. Përmes Agimit, Ildije Xhemali paraqet një koncept të atësisë të mbështetur te dashuria, prania dhe përgjegjësia, duke na kujtuar se lidhjet më të rëndësishme nuk përkojnë gjithmonë me ato që përcaktohen nga gjaku. Historia e Zanës ndërlikohet edhe më tej me një shtatzëni të dytë, të mundësuar përmes fekondimit in vitro dhe të mbajtur të fshehtë nga bashkëshorti, i cili prej kohësh e di se është steril.

Edhe në këtë rast, lexuesi përballet me pyetje delikate: A ekziston një çast i duhur për ta mësuar të vërtetën?

Deri në ç’përmasa heshtja mund të konsiderohet një formë dashurie, dhe çfarë pasojash mund të sjellë një e vërtetë e fshehur në jetën e njeriut që kemi pranë?

Këto janë pyetje që nuk u drejtohen vetëm personazheve, por përfshijnë drejtpërdrejt edhe lexuesin, duke e nxitur të reflektojë mbi besimin, sinqeritetin dhe përgjegjësinë brenda një marrëdhënieje. Një element tjetër kyç që i jep novelës një interes të veçantë është prania e kulturës çame, e cila nuk përdoret thjesht si sfond rrëfimi, por përbën një pjesë thelbësore të identitetit të personazheve. Ildije Xhemali e fut lexuesin në një univers zakonesh, vlerash dhe sjelljesh, përmes të cilave shfaqet marrëdhënia mes individit dhe komunitetit çam. Martesa, për shembull, nuk konsiderohet vetëm një zgjedhje private mes dy njerëzve. Ajo është një ngjarje që përfshin familjet, të afërmit, njerëzit e njohur dhe traditat. Përmes episodeve të ndryshme shfaqet një shoqëri në të cilën përkatësia komunitare ruan një peshë të konsiderueshme dhe ku vendimet individuale duhet të përballen shpesh me mikpritjen familjare. Kultura çame shfaqet edhe në hollësitë e jetës së përditshme: në përgatitjen e ushqimeve, marrëdhëniet mes nuseve dhe vjehrrave, vizitat e të afërmve, diskutimet, dialogjet familjare, respektin për të moshuarit dhe përcjelljen e njohurive nga një brez te tjetri. Kafja, çaji, buka, byrekët, furra prej balte, fotografitë dhe drekat e përbashkëta krijojnë një mjedis rrëfyes të dallueshëm dhe konkret. Pikërisht përmes këtyre elementeve autorja arrin të përcjellë një pjesë të kujtesës kulturore shqiptare, duke treguar se traditat nuk janë vetëm kujtime të së kaluarës, por mund të vazhdojnë të jetojnë në zgjedhjet dhe sjelljet e brezave të rinj. Novela ka gjithashtu një përmasë shoqërore që meriton vëmendje të veçantë. Ngjarjet familjare zhvillohen në sfondin e transformimeve të Shqipërisë, veçanërisht gjatë viteve të vështira të tranzicionit ekonomik. Humbja e vendeve të punës, privatizimi, kërkimi i mundësive të reja profesionale, studimet universitare, shpërngulja drejt Tiranës dhe ndryshimi gradual i marrëdhënieve shoqërore bëhen pjesë e përditshmërisë së personazheve. Kështu, historia private shndërrohet edhe në një dëshmi të ndryshimeve që ka përjetuar një vend. Në fillim të rrëfimit, martesa kushtëzohet shumë nga zakonet dhe bujaria e familjeve.  E megjithatë, me kalimin e viteve, të rinjtë shfaqin më shumë pavarësi në vendimet e tyre personale dhe sentimentale. Autorja nuk e vë traditën dhe modernitetin në një kundërvënie të thjeshtëzuar. Përkundrazi, ajo paraqet kalimin nga një sistem vlerash në një tjetër, ku disa zakone ruhen, ndërsa të tjera pësojnë ndryshime.

Ky është një këndvështrim interesant, sepse na ndihmon të kuptojmë se ndryshimet shoqërore nuk ndodhin vetëm në institucione apo në ngjarjet e mëdha historike, por ndodhin mbi të gjitha në jetën e njerëzve, në shtëpitë e tyre dhe në marrëdhëniet e përditshme.

Rrëfimi përfundon duke u kthyer te Shtëpia e Luleve, vendi nga i cili nis rrëfimi. Fotografitë, kujtimet dhe ngjarjet e grumbulluara ndër vite, i përcjellin lexuesit imazhin e një familjeje që, pavarësisht humbjeve dhe vuajtjeve, vazhdoi rrugëtimin e saj. Rrethi i rrëfimit mbyllet përmes një imazhi që simbolizon vazhdimësinë e jetës dhe përcjelljen e kujtimeve nga një brez te tjetri. Vdekja nuk mundet t’i fshijë lidhjet e dashurisë, tradhtia nuk mundet të shkatërrojë përfundimisht mundësinë për të dashuruar dhe dhimbja nuk mundet ta pengojë familjen të vazhdojë të ekzistojë. E kaluara mbetet e pranishme, por tashmë nuk është vetëm një lëndim: ajo shndërrohet në kujtime, përvojë dhe pjesë përbërëse e historisë së secilit personazh. Me librinTradhëti e Falur, Ildije Xhemali i dhuron lexuesit një rrëfim që e fton të shohë përtej dukjeve të jashtme dhe të reflektojë mbi kuptimin më të thellë të marrëdhënieve familjare. Një novelë në të cilën falja nuk paraqitet si një zgjidhje e thjeshtë, por si një rrugëtim i brendshëm, i mbushur me vuajtje, vetëdije dhe vendime të vështira. Është një vepër që e gjen forcën e saj në ndërthurjen e historive personale me kujtesën kolektive, të rrënjëve kulturore me ndryshimet shoqërore, të brishtësisë njerëzore me aftësinë për të rifilluar. Libri në gjuhën italiane është i disponueshëm në Amazon në formatin online Kindle, si dhe atë të printuar, duke i ofruar publikut italian mundësinë të njohë një zë të ri të letërsisë shqiptare përmes një historie ku tradita dhe moderniteti, kujtesa dhe e ardhmja, dhimbja dhe shpresa, takohen.

AMAZON:

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

KOMUNIKATË PËR MEDIA KMSHZ/DAIGS: Përkushtimi ynë ndaj Kushtetutës, demokracisë dhe lirive...

0
KMSHZ/DAIGS: Përkushtimi ynë ndaj Kushtetutës, demokracisë dhe lirive individuale në Zvicër është i palëkundur ! Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër kundërshton stigmatizimin kolektiv, riafirmon angazhimin...