BallinaDiasporaNga Strezoci i Preshevës në Zvicër, Vloran Asllani ndërton ëndrrën e tij...

Nga Strezoci i Preshevës në Zvicër, Vloran Asllani ndërton ëndrrën e tij me duart e veta: Një servis gomash që shkon te pragu i klientit

-

Nga: Dea EBIBI

Kur puna bëhet me zemër, profesionalizëm dhe ndershmëri, suksesi nuk vonon. Vloran Asllani, i rritur dhe i shkolluar në Zvicër, ka vendosur që përvojën e tij profesionale ta kthejë në një biznes të pavarur, duke sjellë një shërbim të veçantë për bashkatdhetarët dhe të gjithë klientët në Zvicër. Mërgata shqiptare, kudo që ndodhet në botë, po korr suksese të njëpasnjëshme. Shqiptarët jo vetëm që janë bërë pjesë e pandashme e shoqërive ku jetojnë, por me punën, përkushtimin dhe profesionalizmin e tyre po japin kontribut të çmuar në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendeve pritëse. Sot, tashmë kemi edhe gjeneratën e katërt të shqiptarëve në shumë shtete të botës, e në veçanti në Zvicër. Gjenerata që është rritur, shkolluar dhe formuar në këto vende, të cilat me të drejtë i konsideron atdhe të dytë. Ata janë integruar në jetën e përditshme, respektojnë ligjet, rregullat dhe traditat e vendit ku jetojnë, duke ruajtur njëkohësisht lidhjet me prejardhjen dhe rrënjët e tyre shqiptare. Bizneset shqiptare në Zvicër dhe gjithandej botës janë dëshmi e këtij suksesi. Nga ndërmarrjet e vogla familjare deri te kompanitë e mëdha, shqiptarët po dëshmojnë se me guxim, punë dhe këmbëngulje mund të ndërtohen biznese të suksesshme. Një shembull i bukur i kësaj fryme sipërmarrëse vjen pikërisht nga një bashkatdhetar yni, Vloran Asllani, me prejardhje nga fshati Strezoc – Ashan, në komunën e Preshevës.

Një ëndërr e kahmotshme që u bë realitet!

Vlorani është një djalë që u rrit dhe u shkollua në Zvicër. Gjatë viteve të tij të punës, ai kaloi nëpër disa kompani, ku fitoi përvojë të çmuar profesionale në zejen që e kishte dashur prej kohësh. Por, krahas punës si i punësuar, në mendjen e tij kishte gjithmonë një dëshirë: të krijonte diçka të vetën, të bëhej i pavarur dhe të ndërtonte një biznes me duart dhe mundin e tij.

Dhe kjo ditë erdhi!

Ditë më parë, pikërisht në këtë sezon kur afrohet dimri dhe kur drejtuesit e automjeteve duhet të bëjnë ndërrimin e gomave verore me ato dimërore, Vlorani ka nisur një rrugëtim të ri profesional. Ai ka investuar në një furgon, të cilin nuk e ka blerë thjesht për ta përdorur si mjet pune, por e ka shndërruar vetë në një punishte të mirëfilltë mobile. Për muaj të tërë ka punuar, planifikuar, rregulluar dhe pajisur çdo hapësirë të furgonit. Gjithçka, nga pjesa e brendshme deri te ajo e jashtme, është realizuar me duart e tij. Kur futesh brenda, të krijohet përshtypja se ndodhesh në një garazh profesional, e jo në një furgon. Çdo mjet është vendosur me kujdes, çdo pajisje ka funksionin e vet dhe gjithçka është menduar në mënyrë që puna të kryhet me standarde dhe profesionalizëm.

Shërbimi vjen te klienti, jo klienti te servisi!

Ideja e Vloranit është interesante dhe shumë praktike. Klienti nuk ka nevojë ta marrë veturën dhe të shkojë në një punishte, të presë në radhë apo të humbasë orë të tëra nga koha e tij. Vlorani shkon te klienti, qoftë në shtëpi, në vendin e punës apo aty ku ndodhet automjeti, dhe ia kryen shërbimin pa pasur nevojë që vetura të lëvizet. Jo vetëm kaq. Në rast se dikush ka probleme me gomat në autostradë apo në ndonjë vend tjetër, Vlorani synon t’i ofrojë ndihmën e nevojshme edhe në situata të tilla, sipas mundësive dhe kushteve të shërbimit. Ne patëm rastin ta shohim nga afër punën e tij. Ishim dëshmitarë se si, brenda rreth 40 minutash, dy veturave të një bashkatdhetari që jeton në kantonin e Cyrihut, ua ndërroi gomat e verës dhe ua vendosi ato të dimrit. Ajo që na la përshtypje nuk ishte vetëm shpejtësia e punës, por mbi të gjitha mënyra se si Vlorani e kryente atë. Me një buzëqeshje të sinqertë, me qetësi, përkushtim dhe profesionalizëm, ai kontrollonte çdo detaj. Kujdesi për klientin, respekti dhe përgjegjësia ishin të dukshme në çdo veprim të tij.

Nuk punonte vetëm për ta përfunduar shërbimin, por për ta bërë atë siç duhet.

Edhe pajisjet teknike që ka siguruar janë profesionale. Nuk bëhet fjalë për mjete të blera vetëm sa për të thënë se ka një servis, por për pajisje të mirëfillta që i mundësojnë kryerjen e punës me cilësi dhe siguri. Kur e pyetëm për fillimet, Vlorani nuk e fshehu se rruga nuk është e lehtë.

“E di që fillimi është i vështirë, sepse në këtë zeje ka shumë punëtori. Por i kam hyrë kësaj pune dhe besoj se do t’ia dal. Unë punën e bëj me respekt dhe profesionalizëm. Dua që klienti të jetë i kënaqur dhe të ketë besim tek unë”, ishte mesazhi i tij.

Nga një furgon sot, nesër ndoshta një kompani me punëtorë të tjerë!

Vlorani është optimist. Ai e di se puna sezonale, sidomos gjatë pranverës dhe vjeshtës, kur bëhet ndërrimi i gomave, kërkon angazhim të madh. Por, duke parë numrin e madh të automjeteve në Zvicër, ai beson se ky shërbim ka hapësirë të mirë për zhvillim.

“Pothuajse nuk ka shtëpi pa veturë, madje shumë familje kanë nga dy e më shumë vetura”, është bindja e tij.

Ëndrra e tij nuk përfundon vetëm me këtë furgon/kombi. Ai shpreson që në një të ardhme të afërt ta zgjerojë biznesin, të ketë edhe furgona të tjerë dhe të punësojë punëtorë të rinj. Një dëshirë e tillë është për t’u përshëndetur, sepse çdo biznes që rritet dhe krijon vende të reja pune është një kontribut edhe për komunitetin ku jetojmë.

Ta ndihmojmë njëri-tjetrin, sepse kështu marrim këmbët!

Në këto fillime, Vlorani ka nevojë për atë që çdo sipërmarrës i ri e meriton: besimin, përkrahjen dhe mundësinë për ta dëshmuar veten. Siç thotë populli ynë, duhet ta ndihmojmë njëri-tjetrin që t’i marrim këmbët, e pastaj puna ecën vetë. Nuk duhet harruar se pas çdo biznesi të ri qëndron një njeri, një familje, sakrifica, investime dhe shumë orë pune. Vlora është edhe familjar, bashkëshort dhe baba i dy fëmijëve. Me duart e veta dhe me profesionin që e ka dashur prej kohësh, ai synon ta sigurojë jetesën me dinjitet, ndershmëri dhe ndërgjegje të pastër. Ky është një shembull që meriton vëmendje dhe përkrahje. Dhe pikërisht për këtë arsye, ky shkrim nuk është një reklamë e zakonshme, as një tekst i shkruar për përfitime financiare për agjencinë mediale modeste helveticALforum.ch. Reklamat zakonisht siç dihet paguhen, por jo çdo gjë që meriton të publikohet duhet patjetër të ketë një çmim edhe me këtë qëllim është helveticALforum.ch, jo gjithçka është pagesa. Ndonjëherë, një histori e bukur e një bashkatdhetari, një fillim i ndershëm dhe një punë e bërë me duart e veta vlejnë më shumë se çdo reklamë e paguar. Ne besojmë se sukseset e tilla duhet t’i tregojmë, sepse mërgata jonë ka nevojë edhe për histori pozitive, për njerëz që nuk presin t’u hapen dyert, por i ndërtojnë ato vetë. Vloran Asllani, nga Strezoci i Preshevës, me banim dhe veprimtari në Höri të kantonit të Cyrihut, ka nisur një kapitull të ri në jetën e tij profesionale.

Screenshot

Vloran Asllani – Reifendienst, respektivisht servis mobil i gomave: shërbim i shpejtë, profesional dhe i sigurt, te pragu i shtëpisë suaj!

I urojmë Vloranit shumë suksese në këtë rrugëtim të ri. Urojmë që furgoni i tij i parë të jetë vetëm fillimi i një historie të madhe suksesi, që nesër ta shohim me më shumë automjete pune, me punëtorë të tjerë dhe me një biznes që rritet dita-ditës. Sepse suksesi i një shqiptari në mërgatë është edhe një arsye më shumë për t’u krenuar me njerëzit tanë. Kur njeriu punon me duart e veta, fiton me djersën e ballit dhe i shërben klientit me respekt, ai nuk ndërton vetëm një biznes, por ndërton emrin dhe besimin e tij. E besimi, në fund të fundit, është kapitali më i madh që mund të ketë një njeri!

Foto Adi H.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Rama njoftoi anulimin e samitit nga Dublini/ NATO i thotë “JO”...

0
Samiti i NATO-s nuk do të mbahet në Shqipëri në vitin 2027, pavarësisht planeve të mëparshme që Tirana të priste takimin e ardhshëm të...