
Përgatiti: Halil Rrustemaj, Gjermani
Ravensburg, Nagold / Shtutgart, Bon – Vepra prej 400 faqesh e autorit Rexhep Elezaj i kushtohet njërit prej personaliteteve më të rëndësishme të mërgatës shqiptare, veprimtarit të shquar Hafiz Gagica (1959–2026). Në një mbrëmje të mbushur me emocione, kujtime dhe respekt, familjarë, bashkëveprimtarë, miq dhe personalitete të njohura të jetës shqiptare u mblodhën në Nagold të Gjermanisë për të nderuar jetën dhe veprën e tij. Në qytetin e Nagoldit, pranë Shtutgartit, në ambientet e Restaurantit “Fellini”, me pronar mikun Hysni Gashaj, u organizua promovimi i librit “Hafiz Gagica – Një jetë në shërbim të atdheut”, me autor gazetarin dhe publicistin Rexhep Elezaj. Kjo vepër voluminoze, e kushtuar njërës prej figurave emblematike të mërgatës shqiptare, mblodhi një numër të konsiderueshëm familjarësh, miqsh, aktivistësh dhe bashkëpunëtorësh të afërt të të ndjerit Hafiz Gagica. Në këtë ngjarje morën pjesë bashkëshortja e tij, znj. Emine, së bashku me dy vajzat, Dardanën dhe Zarifen, dhëndrin Naimin, si dhe shumë miq e bashkëveprimtarë të cilët ndër vite ndanë me Hafiz Gagicën rrugëtimin e tij atdhetar. Të pranishëm ishin: Nami Ramadani, Emrush Çeku, Shefki Jakupi, Dr. Nikollë Shabanaj, veterani i diasporës Agim Polloshka, aktivisti dhe miku i ngushtë Xhavit Husaj, Bajram Osmani, Avdyl Nikçi, Dr. Luljeta Gashi, Dr. Fadil Brovina, Dr. Rexhep Rexhepaj, veprimtarja Gjylie Leci, kampioni botëror në boks Luan Krasniqi me vëllain Agimin, djali i heroit Salih Çekaj, Hyseni, me bashkëshorten, nipi Skenderbeg Klaiqi, Muhamet Hoxha, afaristi Istref Daci nga Zvicra, djali i patriotit Shaban Bobaj, Haxhiu, skulptori akademik Mal Myrtaj, Reshat Murati, miku i tij Besim Preniqi, si dhe shumë të tjerë.

Një promovim i mbushur me emocione dhe kujtime
Në promovimin e librit, krahas autorit Rexhep Elezaj, fjalën e morën dhe ndanë kujtimet e tyre me emocione të veçanta Emrush Çeku, Skenderbeg Klaiqi, Dr. Fadil Brovina, Dr. Luljeta Gashi, Luan Krasniqi, Dr. Nikollë Shabani, skulptori akademik Malë Myrtaj, Haxhi Bobaj, Agim Polloshka dhe Bajram Osmani. Fjalimet e tyre, të shoqëruara me emocione dhe lot në sy, dëshmuan se Hafiz Gagica nuk ishte vetëm një bashkëveprimtar politik e kombëtar, por edhe një mik, një njeri i afërt dhe një personalitet që kishte lënë gjurmë të pashlyeshme në jetën e shumë njerëzve. Në emër të familjes Gagica foli vajza e Hafizit, Zarifja, e cila, mes dhimbjes dhe lotëve, i falënderoi të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen, respektin dhe nderimin që po i bënin veprës së babait të saj. Ajo shprehu mirënjohjen për të gjithë ata që kishin ardhur për të kujtuar jetën dhe kontributin e tij, duke theksuar se mungesa e Hafizit vazhdon t’ua rëndojë shpirtin familjarëve.

Hafiz Gagica, një jetë e lidhur me çështjen kombëtare
Hafiz Gagica (1959–2026) ishte njëri nga udhëheqësit dhe veprimtarët më të njohur të jetës politike dhe kombëtare të mërgatës shqiptare në Gjermani dhe Evropë. Ai ishte njëri ndër zërat më përfaqësues të kauzës së çlirimit të Kosovës gjatë përpjekjeve tona kolektive për liri, pavarësi dhe afirmim ndërkombëtar, veçanërisht në periudhën më të vështirë të historisë sonë të re, gjatë viteve 1989–1999. Veprimtaria e tij lidhet ngushtë me një periudhë vendimtare të historisë sonë, kur, përballë represionit të regjimit kriminal serb, organizimi politik, diplomacia dhe mobilizimi gjithëpërfshirës i diasporës shqiptare në Evropë dhe në botë morën një rëndësi të jashtëzakonshme. Për dhjetë vite me radhë, ai udhëhoqi dhe mobilizoi në mënyrë të shkëlqyer mërgimtarët tanë për ta ndihmuar dhe çliruar atdheun e robëruar nga pushtuesi barbar serb. Kontributi i Hafizit, si bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, përbën një kapitull të rëndësishëm të këtij angazhimi. Veçanërisht gjatë viteve të organizimit politik dhe periudhës së luftës çlirimtare, z. Gagica u angazhua për bashkërendimin e veprimtarisë së mërgatës, forcimin e organizimit politik shqiptar dhe zgjerimin e lidhjeve të Kosovës me Gjermaninë dhe qarqet e tjera vendimmarrëse evropiane. Përmes këtyre përpjekjeve, ai u bë pjesë e rëndësishme e angazhimit të diasporës për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe përkrahjen e aspiratës së saj për liri e pavarësi.

Libri prej 400 faqesh, një dëshmi për historinë e mërgatës shqiptare
Pikërisht jetës dhe veprimtarisë së këtij personaliteti i kushtohet libri prej 400 faqesh i gazetarit dhe publicistit Rexhep Elezaj, me titull “Hafiz Gagica – Një jetë në shërbim të atdheut”, botuar në gusht të vitit 2026 nga shtëpia botuese „Shkrola“ në Prishtinë. Vepra është një homazh për një veprimtar dhe ikonë të mërgatës sonë, i cili tërë jetën ia kushtoi çështjes kombëtare, por njëherësh edhe një dëshmi me interes dokumentar për historinë e organizimit politik shqiptar në diasporë. Një nga veçoritë e librit është se autori nuk kufizohet vetëm në paraqitjen e një biografie individuale. Ai e vendos jetën dhe veprimtarinë e Hafiz Gagicës në kontekstin historik, politik e shoqëror të kohës, duke ndërtuar një kronikë të gjerë të përpjekjeve të një brezi që, në rrethana të vështira, punoi për çështjen e Kosovës.

Një hapësirë të rëndësishme zë angazhimi i z. Gagica në Lidhjen Demokratike të Kosovës, lëvizjen politike të viteve të nëntëdhjeta, të udhëhequr nga Dr. Ibrahim Rugova. Për 13 vite me radhë, Hafizi e drejtoi Degën e LDK-së në Gjermani dhe Kolegjiumin e Degëve të saj në diasporë, duke bashkërenditur veprimtarinë e organizimeve shqiptare në Evropë, SHBA, Kanada, Australi, deri në Zelandën e Re dhe vende të tjera të botës. Në këtë kuadër, Qendra Informative e Kosovës në Shtutgart, Zyra për Kosovën, ku z. Gagica si udhëheqës i saj veproi së bashku me heroin Salih Çekaj, zuri një vend të rëndësishëm në informimin dhe komunikimin me qarqet politike e diplomatike ndërkombëtare. Libri e zgjeron vështrimin përtej figurave udhëheqëse. Në faqet e tij përmenden qindra veprimtarë, atdhetarë dhe bashkëpunëtorë që kontribuuan në organizimin dhe ndihmat e mërgatës shqiptare për çlirimin e Kosovës. Përmes dëshmive, përshkrimeve dhe materialeve të përfshira, lexuesi njihet me takimet e Gagicës me personalitete të politikës dhe diplomacisë gjermane e ndërkombëtare, me kontaktet me përfaqësues të politikës shqiptare, si dhe me organizimin e demonstratave të mërgatës në qytete të shumta të Gjermanisë, Evropës dhe botës. Letërkëmbimet dhe përpjekjet për ta mbajtur çështjen e Kosovës nën vëmendjen e opinionit ndërkombëtar plotësojnë tablonë e një veprimtarie që zhvillohej në shumë drejtime. Z. Elezaj i rendit këto ngjarje me kujdesin e një kronisti që e njeh nga afër subjektin e rrëfimit. Si mik dhe bashkëveprimtar i Gagicës, ai ka përjetuar drejtpërdrejt një pjesë të zhvillimeve që përshkruan. Kjo afërsi i jep librit ngrohtësi njerëzore dhe vlerë dëshmuese, duke e bërë rrëfimin më të gjallë e më të prekshëm.

Mërgimi si hapësirë e veprimit kombëtar dhe njerëzor
Përtej angazhimit politik e diplomatik, libri sjell edhe dimensionin njerëzor të protagonistit. Në rrëfim zënë vend miqtë, bashkëpunëtorët dhe përkrahësit që qëndruan pranë tij në etapat më të vështira të jetës dhe veprimtarisë atdhetare të qindra e mijëra aktivistëve të shquar të mërgatës heroike të Kosovës. Këto marrëdhënie dëshmojnë se pas veprimtarisë së tij politike qëndronte një personalitet erudit dhe poliedrik, figura e Hafiz Gagicës, gjithmonë me lidhje të qëndrueshme miqësore dhe me ndjenjë të fortë përkatësie kombëtare mes dhe brenda gjithë mërgatës shqiptare. Kjo e bën këtë figurë emblematike të veçantë në shumë dimensione të veprimtarisë së tij atdhetare dhe intelektuale. Një nga fijet kryesore që përshkon veprën është lidhja e Gagicës me atdheun, pavarësisht viteve të kaluara në mërgim. Për të dhe për shumë bashkëkohës të tij, largimi nga Kosova nuk nënkuptonte shkëputje prej saj, por krijimin e mundësive të reja për veprim.

Nga Gjermania dhe qendrat e tjera të diasporës u zhvilluan nisma politike, informuese dhe organizative që synonin çlirimin dhe forcimin e përkrahjes ndërkombëtare për Kosovën. Në këtë kuptim, historia e Hafiz Gagicës nuk është vetëm historia e një individi, por edhe pjesë e historisë së mërgatës shqiptare dhe e rolit që ajo luajti në përpjekjet politike dhe çlirimtare të popullit shqiptar të Kosovës. Vepra e Elezajt ndihmon në ruajtjen e kësaj përvoje dhe trashëgimie, duke sjellë emra, ngjarje, kontakte dhe dëshmi që, pa përpjekje të tilla dokumentuese, ato vlera mund të zbehen me kalimin e kohës. Një meritë e rëndësishme e Rexhep Elezajt është se ai ka hedhur në letër një pjesë të kujtesës së gjallë, duke ruajtur përvojat e një periudhe me rëndësi të veçantë për historinë e Kosovës. Kështu, kujtesa individuale fiton një dimension më të gjerë shoqëror e kombëtar, ndërsa libri bëhet material me interes për lexuesit e përgjithshëm, por edhe për studiuesit e ardhshëm. Në realizimin e këtij botimi kanë dhënë mbështetje veprimtarët Emrush Qeku, Hysni Gashaj dhe Xhavit Husaj. Kontributi i tyre meriton të përmendet si pjesë e përpjekjeve për ruajtjen dhe përcjelljen e kujtesës historike për sot, nesër dhe në të ardhmen.
Një trashëgimi që duhet t’u përcillet brezave
Siç dihet, Hafiz Gagica u nda nga jeta më 27 maj të vitit 2026, duke lënë pas një trashëgimi shumëdimensionale të veprimtarisë atdhetare, të lidhur me një periudhë kyçe të historisë së Kosovës. Kthimi i tij në atdhe, vendin me të cilin mbeti i lidhur gjatë gjithë jetës, përbën një element domethënës të rrugëtimit të tij personal dhe familjar.

Me librin “Hafiz Gagica – Një jetë në shërbim të atdheut”, Rexhep Elezaj sjell një vepër që ndërthur homazhin për një personalitet me dokumentimin e një përvoje individuale dhe kolektive. Rëndësia e saj qëndron në përpjekjen për të ruajtur kujtesën e veprimtarëve dhe të organizimeve shqiptare në diasporë, si dhe për t’ua përcjellë brezave të rinj një pjesë të historisë së angazhimit për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Në përfundim të aktivitetit, për të pranishmit u prezantua edhe një dokumentar i shkurtër për jetën dhe veprimtarinë e z. Hafiz Gagica, i përgatitur nga Halil Rrustemaj. Promovimi në Nagold ishte më shumë se një veprimtari e zakonshme kulturore dhe letrare. Ishte një takim i kujtesës me historinë, i miqësisë me mirënjohjen dhe i brezave me veprën e një njeriu që jetën e tij ia kushtoi atdheut. Sepse njerëzit që punojnë për kombin mund të largohen nga kjo botë, por vepra e tyre nuk duhet të largohet kurrë nga kujtesa jonë. Libri i Rexhep Elezajt është një përpjekje për ta mbajtur gjallë këtë kujtesë dhe për ta dëshmuar se kontributi i mërgatës shqiptare në rrugën drejt lirisë së Kosovës nuk duhet të harrohet.










