BallinaFoto LajmPapa Leoni XIV në Uruguai: Mesazhe për të rinjtë, familjen dhe përdorimin...

Papa Leoni XIV në Uruguai: Mesazhe për të rinjtë, familjen dhe përdorimin e përgjegjshëm të inteligjencës artificiale

-

Montevideo – Papa Leoni XIV, gjatë ditës së dytë të vizitës së tij në Uruguai, përcolli mesazhe të forta për rëndësinë e marrëdhënieve njerëzore, forcimin e familjes, përgjegjësinë shoqërore dhe përdorimin e kujdesshëm të teknologjisë dhe inteligjencës artificiale. Gjatë një vigjiljeje lutjeje në stadiumin historik Estadio Centenario në Montevideo, ku morën pjesë rreth 70 mijë njerëz, përfshirë mijëra të rinj, Ati i Shenjtë u bëri thirrje brezave të rinj të përballen me guxim me pasiguritë e botës moderne dhe të mos lejojnë që teknologjia t’i largojë nga lidhjet e vërteta njerëzore. Papa paralajmëroi se komunikimi virtual nuk mund të zëvendësojë kontaktin e drejtpërdrejtë mes njerëzve, duke theksuar se shoqëria ka nevojë për më shumë afërsi, solidaritet dhe marrëdhënie autentike.

“Asgjë nuk mund ta zëvendësojë kontaktin e vërtetë njerëzor”, u shpreh Papa, duke i inkurajuar të rinjtë të dalin nga izolimi digjital, të ndajnë përvojat e tyre dhe të ndërtojnë marrëdhënie të bazuara në dashuri dhe mirëkuptim. Ai u ndal gjithashtu te rëndësia e martesës dhe jetës familjare, duke i nxitur të rinjtë uruguaianë të mos kenë frikë të krijojnë familje dhe t’i shohin fëmijët si bekim, e jo si barrë.

Inteligjenca artificiale duhet t’i shërbejë njeriut

Një tjetër çështje e rëndësishme e vizitës ishte transformimi teknologjik dhe ndikimi i inteligjencës artificiale në arsim dhe shoqëri.

Gjatë një takimi me akademikë, studentë dhe përfaqësues të sektorit arsimor në Universitetin Katolik të Uruguait, Papa Leoni XIV theksoi se shkollat dhe universitetet duhet të promovojnë përdorimin e përgjegjshëm të teknologjive të reja.

Sipas tij, përparimi teknologjik nuk duhet të vendoset mbi vlerat njerëzore, por duhet të shërbejë për zhvillimin e gjithanshëm të individit.

Ai bëri thirrje që inteligjenca teknike të harmonizohet me atë emocionale, shpirtërore dhe ekologjike, duke nënvizuar se njeriu duhet të mbetet gjithmonë në qendër të zhvillimit teknologjik.

Mesazh solidariteti nga një prej lagjeve më të varfra të Montevideos

Në kuadër të vizitës, Papa udhëtoi edhe drejt lagjes Casavalle, një prej zonave më të varfra të kryeqytetit uruguaian, e cila përballet me probleme të konsiderueshme sociale dhe kriminalitet të lartë.

Gjatë vizitës në Kishën Nuestra Señora de Guadalupe, ai ngriti shqetësimin për varfërinë, pasigurinë dhe mungesën e mundësive për fëmijët në nevojë.

Papa theksoi se, pavarësisht pasurive natyrore të Uruguait, është e papranueshme që fëmijët të përballen me urinë, mungesën e arsimit cilësor apo dhunën në rrugë.

Ai kërkoi më shumë angazhim nga institucionet dhe shoqëria për mbrojtjen e fëmijëve dhe garantimin e një të ardhmeje dinjitoze për çdo të mitur.

Më vonë, Ati i Shenjtë zhvilloi edhe një vizitë të papritur në Rezidencën Monsignor Jacinto Vera, ku qëndrojnë priftërinj të moshuar.

40 mijë besimtarë në meshën madhështore në Paysandu

Një prej momenteve më të rëndësishme të ditës ishte mesha e hapur në qytetin Paysandu, pranë kufirit me Argjentinën, ku u mblodhën rreth 40 mijë besimtarë.

Në ceremoninë e zhvilluar në parkun Paris Londres morën pjesë edhe pelegrinë nga Argjentina dhe Brazili, duke dëshmuar interesimin e madh të besimtarëve për vizitën papnore.

Gjatë meshës, Papa Leoni XIV iu referua edhe traditës së njohur uruguaiane të pirjes së mate-s, duke e cilësuar atë si një simbol të bashkimit, miqësisë dhe solidaritetit mes njerëzve.

Sipas tij, kjo traditë përfaqëson më shumë se një zakon të përditshëm, pasi nxit ndarjen, bisedën dhe forcimin e lidhjeve shoqërore.

Papa theksoi se bota e sotme ka nevojë për më shumë vëllazëri dhe miqësi, në vend të ndarjeve dhe mureve që largojnë njerëzit nga njëri-tjetri.

Argjentina në gatishmëri të lartë sigurie për vizitën papnore

Ndërkohë, në prag të mbërritjes së Papa Leonit XIV në Argjentinë, autoritetet e këtij vendi kanë ngritur nivelin e gatishmërisë së sigurisë në shkallën më të lartë. Qeveria argjentinase ka njoftuar përgatitjen e një operacioni të jashtëzakonshëm sigurie për pritjen e kreut të Kishës Katolike, duke i cilësuar masat si të paprecedenta në historinë e vendit. Vizita në Argjentinë përbën ndalesën e radhës në turneun e Papa Leonit XIV në Amerikën e Jugut dhe pritet të tërheqë vëmendjen e mijëra besimtarëve. Vizita e tij në Uruguai u karakterizua nga mesazhe të forta për solidaritetin, familjen, mbrojtjen e më të pambrojturve dhe sfidat e shoqërisë moderne, duke vënë në qendër një thirrje të qartë: përparimi i botës nuk duhet të bëhet në kurriz të vlerave njerëzore, transmeton abcnews.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Atalanta nderon Berat Gjimshitin, emocionet e rikthimit në shtëpi: “Këtu kam...

0
Një kapitull i rëndësishëm i karrierës së Berat Gjimshitit në Bergamo është mbyllur, por lidhja me Atalantën mbetet e veçantë. Klubi italian ka organizuar...