Kryeministri Edi Rama ka nisur edhe këtë të shtunë me një mesazh simbolik për qytetarët, duke vendosur para godinës së Kryeministrisë të ashtuquajturën “sofra e gurit”, mbi të cilën janë vendosur disa letra me mbishkrimin “DIALOG”.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Rama ka publikuar disa fotografi ku shihen qytetarë dhe kalimtarë të ndalur pranë instalacionit, duke pozuar për fotografi.
Krahas imazheve, kreu i qeverisë ka zgjedhur ta shoqërojë postimin me një mesazh ironik, duke e cilësuar këtë hapësirë si “destinacionin më të ri turistik të Tiranës”.
“MIRËMËNGJES 😍 dhe me destinacionin më të ri turistik të Tiranës, ju uroj fundjavë të buzëqeshur 😊”, shkruan Rama.
Vendosja e “sofrës së dialogut” vjen në një moment kur përplasjet mes qeverisë dhe protestuesve vijojnë, ndërsa kryeministri ka përsëritur në disa raste gatishmërinë për të dëgjuar shqetësimet dhe kërkesat e tyre.
Megjithatë, deri më tani, protestuesit nuk e kanë pranuar ftesën për dialog, duke qëndruar të palëkundur në kërkesën e tyre për dorëheqjen e kryeministrit. Ndërkohë, vëmendja është përqendruar te protesta kombëtare, e cila pritet të nisë në orën 14:00 para Ministrisë së Arsimit. Mbetet për t’u parë nëse zhvillimet e ditës do të sjellin ndonjë ndryshim në qëndrimet e palëve apo nëse përplasja politike do të vijojë edhe më tej, transmeton TCH.










