Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, i ka dhënë rivalit kryesor politik të Benjamin Netanyahut, Gadi Eisenkot, mundësinë e parë për të formuar qeverinë e re, pas zgjedhjeve të 27 tetorit që nuk prodhuan një shumicë të qartë.
Netanyahu po lufton për të qëndruar në pushtet, pasi koalicioni i tij humbi shumicën parlamentare në zgjedhjet e fundit.
Eisenkot, ish-shef i ushtrisë izraelite dhe një nga kundërshtarët kryesorë të Netanyahut, garoi si udhëheqës i bllokut opozitar që synon t’i japë fund qëndrimit të kryeministrit më jetëgjatë në historinë e Izraelit. As Eisenkot dhe as Netanyahu nuk arritën të sigurojnë shumicën prej 61 deputetësh në Knessetin me 120 vende, duke e bërë të domosdoshëm krijimin e një koalicioni.
Pas konsultimeve me partitë parlamentare, 67 deputetë rekomanduan Eisenkotin për formimin e qeverisë, ndërsa Netanyahu mori mbështetjen e 46 deputetëve.
Sipas Presidencës izraelite, Eisenkot do të marrë zyrtarisht mandatin për të tentuar formimin e qeverisë.
Ai pritet të ketë 28 ditë në dispozicion për të siguruar shumicën e nevojshme parlamentare, me mundësi të zgjatjes së afatit edhe për dy javë. Zhvillimi përbën një goditje politike për Netanyahun, megjithëse mbetet ende e paqartë nëse Eisenkot do të arrijë të krijojë një koalicion të qëndrueshëm, transmton abcnews.










