Përgatiti Dashnim Hebibi
DUISBURG, 6 nëntor 2026 – Ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Gjermani, Prof. Dr. Ylber Sela, në kuadër të angazhimit të tij të vazhdueshëm për forcimin e lidhjeve me mërgatën nga Maqedonia e Veriut në Gjermani, ka zhvilluar një varg vizitash zyrtare në landin e Nordrajn-Vestfalisë (NRW), ku ka takuar figura të shquara të shëndetësisë dhe përfaqësues të suksesshëm të biznesit. Gjatë qëndrimit në këtë rajon, i cili karakterizohet nga një përqendrim i lartë i mërgatës shqiptare dhe qytetarëve me prejardhje nga Maqedonia e Veriut, ambasadori Sela është ndalur edhe në qytetin e Duisburgut, ku ka zhvilluar takime me rëndësi të veçantë profesionale dhe ekonomike. Në fokus të agjendës së tij ishin dy vizita kryesore, të cilat dëshmojnë potencialin e madh njerëzor dhe sipërmarrës të mërgatës sonë në Gjermani.

Takim me kardiologun e njohur strugan, Dr. med. Valon Rexhepi
Njëra nga ndalesat e rëndësishme ishte vizita te kardiologu i njohur nga Struga, Dr. med. Valon Rexhepi, i cili ushtron detyrën e Kryemjekut të Rehabilitimit Ambulant Kardiologjik (Leitender Arzt) në qendrën e njohur mjekësore gjermane AMEOS Reha Zentrum Oberhausen. Gjatë këtij takimi u diskutua për rëndësinë e integrimit profesional të mjekëve dhe kuadrove të specializuara nga Maqedonia e Veriut në sistemin shëndetësor gjerman, si dhe për mundësitë e bashkëpunimit dhe transferimit të përvojave, njohurive dhe praktikave profesionale në vendin e origjinës.

Vizitë në kompaninë e njohur të familjes Vejseli
Një tjetër ndalesë e ambasadorit ishte vizita në ambientet e kompanisë së njohur të familjes Vejseli, një biznes i suksesshëm që dëshmon angazhimin dhe potencialin sipërmarrës të pjesëtarëve të mërgatës nga Maqedonia e Veriut në Gjermani. Gjatë vizitës u vlerësua kontributi i ndërmarrësve tanë në zhvillimin ekonomik, krijimin e vendeve të punës dhe fuqizimin e ekonomisë lokale gjermane. Njëkohësisht, u theksua rëndësia e rolit të tyre si ura lidhëse për investime të mundshme dhe projekte të përbashkëta ekonomike në vendlindje.
Diplomacia ekonomike dhe kapitali njerëzor i mërgatës
Në deklaratën e tij, Ambasadori Prof. Dr. Ylber Sela theksoi se truri profesional dhe kapitali sipërmarrës i mërgatës sonë në Gjermani përbëjnë një aset të çmuar kombëtar. Ai nënvizoi se Ambasada e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Berlin mbetet plotësisht e përkushtuar për të mbështetur, rrjetëzuar dhe promovuar çdo histori suksesi të qytetarëve dhe pjesëtarëve të mërgatës nga Maqedonia e Veriut në Gjermani. Vizitat në Duisburg dhe rrethinë dëshmojnë rëndësinë e vazhdimit të komunikimit institucional me profesionistët, mjekët, afaristët dhe personalitetet e suksesshme të mërgatës, duke e vendosur diplomacinë ekonomike dhe bashkëpunimin ndërmjet vendlindjes dhe mërgatës në qendër të angazhimit diplomatik.










