BallinaDiasporaNUHI BERISHA NDEROHET NË CYRIH NË 65-VJETORIN E LINDJES – PROMOVOHET MONOGRAFIA...

NUHI BERISHA NDEROHET NË CYRIH NË 65-VJETORIN E LINDJES – PROMOVOHET MONOGRAFIA QË RIKTHEN NË KUJTESË JETËN, VEPRËN DHE SAKRIFICËN E HEROIT

-

Cyrih, 06 nëntor 2026- Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Cyrih u shndërrua sonte në një vatër kujtese, historie dhe krenarie kombëtare, duke mirëpritur mysafirë të shumtë nga të gjitha trojet shqiptare, në një ngjarje të veçantë kushtuar 65-vjetorit të lindjes së heroit kombëtar Nuhi Berisha.

Në këtë mbrëmje përkujtimore, të organizuar nën kujdesin e shefit të Konsullatës, z. Vigan Berisha, së bashku me stafin e tij, siç mëson helveticALforum.ch u promovua monografia „Militanti Nuhi Berisha“, me autor Agim Sylejmani. Ishte një takim që bashkoi familjarë të heroit, bashkëveprimtarë, ish-të burgosur politikë, veteranë, bashkatdhetarë dhe personalitete të jetës publike, të cilët u mblodhën për të nderuar jetën dhe veprën e njërit prej veprimtarëve më të shquar të Lëvizjes sonë Kombëtare.

Duke përshkruar rëndësinë e kësaj ngjarjeje, z. Vigan Berisha e përmblodhi mbrëmjen me këto fjalë:

„Në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Cyrih, u shënua 65-vjetori i lindjes së heroit kombëtar Nuhi Berisha, përmes promovimit të monografisë “Militanti Nuhi Berisha”, të autorit Agim Sylejmani. Aktiviteti mblodhi familjarë të heroit, bashkëveprimtarë, ish-të burgosur politikë, veteranë, bashkatdhetarë dhe personalitete të jetës publike, për të nderuar jetën dhe veprën e njërit prej veprimtarëve më të shquar të Lëvizjes sonë Kombëtare. Në këtë mbrëmje përkujtimore, për jetën, veprimtarinë dhe trashëgiminë atdhetare të Nuhi Berishës folën Fatmir Brajshori, Ibish Neziri, Saime Isufi dhe Isuf Ismajli, të cilët, përmes kujtimeve dhe vështrimeve të tyre, sollën në vëmendje rëndësinë historike të veprimtarisë së tij dhe idealin për të cilin ai u flijua.

Në emër të familjes Berisha, të pranishmëve iu drejtua Xheladin Shala, ndërsa për figurën dhe veprën e heroit foli edhe veprimtarja dhe bashkëpuntorja e ngushtë e heroit, Saime Isufi.

Monografia e Agim Sylejmanit sjell një pasqyrë të gjerë të jetës dhe veprimtarisë së Nuhi Berishës, duke përfshirë dëshmi të familjarëve e bashkëveprimtarëve, ditarin personal dhe shkrime autentike të tij. Përmes këtyre dëshmive shpaloset jo vetëm veprimtari i vendosur i çështjes kombëtare, por edhe njeriu me botën e tij shpirtërore, ndjenjat dhe krijimtarinë poetike.

Një lidhje e veçantë e këtij promovimi me Zvicrën qëndron në faktin se Nuhi Berisha, gjatë qëndrimit të tij këtu në vitin 1982, shkroi kujtimet për demonstratat e vitit 1981, të njohura më vonë me titullin “Pranverë e luleve të kuqe”.

Nuhi Berisha, i përkiste një brezi që nuk u pajtua me robërinë dhe që idealin e lirisë e shndërroi në veprim e sakrific. Ai la gjurmë të pashlyeshme në historinë e qëndresës shqiptare.

Promovimi ishte një mundësi për të rikthyer në kujtesën kolektive një periudhë të rëndësishme të përpjekjeve kombëtare, për të reflektuar mbi sakrificën e brezave dhe për të përcjellë te brezat e rinj vlerat e atdhedashurisë, guximit dhe përkushtimit ndaj çështjes kombëtare.

Falënderim autorit Agim Sylejmani, folësve, familjarëve të heroit dhe të gjithë pjesëmarrësve që me praninë e tyre nderuan këtë përvjetor dhe kontribuuan në ruajtjen e kujtesës sonë kombëtare.

Lavdi jetës dhe veprës së heroit Nuhi Berisha!”

Një mbrëmje që dëshmoi se kujtesa kombëtare nuk njeh kufij.

Nga Kosova në Zvicër dhe në të gjitha trojet shqiptare, figura e Nuhi Berishës vazhdon të mbetet simbol i guximit, qëndresës dhe përkushtimit ndaj lirisë. Përmes veprave të tilla dhe përkujtimeve të këtij niveli, historia përcillet te brezat e rinj, ndërsa sakrifica e atyre që dhanë gjithçka për idealin e lirisë mbetet përherë e gjallë në kujtesën tonë kolektive, përcjell helveticALforum.ch.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Shqiptarët e Luginës së Preshevës votojnë për përbërjen e re të...

0
37.759 qytetarë me të drejtë vote, katër lista zgjedhore dhe 107 kandidatë në garë për 29 ulëset e institucionit që përfaqëson shqiptarët në Serbi. Shqiptarët...