Zagreb, 06 nëntor 2026 – Në Bibliotekën dhe sallën e leximit “Bogdan Ogrizović” në Zagreb siç mëson helveticALforum.ch u promovua libri i diplomatit dhe studiuesit Shaban Murati, “Aleanca e duhur: Shqipëri–Kroaci”, i sjellë për lexuesit kroatë përmes përkthimit të Dorotea Kernit. Ky aktivitet kulturor dhe diplomatik u organizua nga Shoqata e Grave Shqiptare “DRITA”, në bashkëpunim me Bibliotekën e Qytetit të Zagrebit, në kuadër të ciklit të veprimtarive “Miqësia historike shqiptaro-kroate”, i cili synon të promovojë lidhjet historike, kulturore dhe politike ndërmjet dy popujve. Në panelin e diskutimit morën pjesë ambasadorja e Republikës së Shqipërisë, Dr. Donika Hoxha, ambasadori i Republikës së Kosovës në Kroaci, Dr. Martin Berishaj, publicisti dhe diplomati kroat Božo Kovačević, si dhe diplomati dr. Mentor Tahiri. Përmes këndvështrimeve diplomatike, politike dhe historike, pjesëmarrësit trajtuan rëndësinë e veprës dhe rolin e saj në njohjen më të thellë të marrëdhënieve shqiptaro-kroate.

Në qendër të diskutimit ishte mesazhi kryesor i librit: rëndësia e partneritetit strategjik ndërmjet Shqipërisë dhe Kroacisë, si një faktor me ndikim në stabilitetin, sigurinë dhe të ardhmen evropiane të Evropës Juglindore.
Libri “Aleanca e duhur: Shqipëri–Kroaci” përmbledh 37 analiza diplomatike dhe politike, në të cilat Shaban Murati trajton marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, zhvillimet rajonale dhe sfidat me të cilat përballet Evropa Juglindore. Përmes analizave mbi sigurinë, bashkëpunimin euroatlantik, integrimin evropian, kujtesën historike dhe diplomacinë, autori argumenton se Shqipëria dhe Kroacia kanë interesa dhe vlera të përbashkëta, të cilat krijojnë një bazë të qëndrueshme për një bashkëpunim strategjik.
Vetë titulli i librit, “Aleanca e duhur”, përcjell një mesazh politik dhe diplomatik, duke nënvizuar se partneriteti ndërmjet dy vendeve nuk duhet parë vetëm si një marrëdhënie miqësore, por edhe si një orientim strategjik i mbështetur në interesa të përbashkëta, besim dhe parime evropiane.
Një rëndësi të veçantë në këtë promovim pati edhe përkthimi në gjuhën kroate nga Dorotea Kërni, i cili e bën këtë vepër të qasshme për një rreth më të gjerë lexuesish dhe kontribuon në përcjelljen e mendimit diplomatik shqiptar në hapësirën publike kroate. Përkthimi përfaqëson gjithashtu një urë komunikimi kulturor dhe intelektual ndërmjet dy vendeve.
Promovimi në Zagreb dëshmoi se marrëdhëniet shqiptaro-kroate nuk ndërtohen vetëm përmes institucioneve dhe kontakteve zyrtare diplomatike, por edhe përmes kulturës, librit, debatit intelektual dhe angazhimit të shoqërisë civile. Në këtë kuptim, vepra e Shaban Muratit vjen si një kontribut i rëndësishëm në debatin mbi të ardhmen e partneritetit shqiptaro-kroat dhe perspektivën e Evropës Juglindore. Ajo njëherazi përcjell mesazhin se bashkëpunimi rajonal duhet të mbështetet në dialog, respekt të ndërsjellë, përgjegjësi të përbashkët dhe përkushtim ndaj vlerave evropiane. Promovimi i këtij libri në një institucion të rëndësishëm kulturor të Zagrebit ishte, përtej një aktiviteti letrar, edhe një dëshmi e vazhdimësisë së miqësisë shqiptaro-kroate dhe e nevojës për ta shndërruar atë në një partneritet edhe më të fuqishëm politik, kulturor dhe strategjik, njofton Ambasada e Kosovës në Zagreb, përcjell helveticALforum.ch.
Përgatiti D. H










