BallinaSportiGranit Xhaka rikthehet te Zvicra, Yakin fton edhe tre futbollistë të tjerë...

Granit Xhaka rikthehet te Zvicra, Yakin fton edhe tre futbollistë të tjerë shqiptarë

-

Kapiteni Granit Xhaka është rikthyer në listën e Kombëtares së Zvicrës për dy ndeshjet e fundit të vitit në Ligën e Kombeve. Përzgjedhësi Murat Yakin ka ftuar edhe Ardon Jasharin dhe Adrian Bajramin, ndërsa në listë figuron edhe sulmuesi Samuel Ballet.

Përzgjedhësi i Kombëtares së Zvicrës, Murat Yakin, ka publikuar listën e futbollistëve të ftuar për dy përballjet e fundit të këtij viti në kuadër të Ligës së Kombeve. Vëmendjen kryesore e merr rikthimi i mesfushorit shqiptar Granit Xhaka, i cili do ta mbajë sërish shiritin e kapitenit të helvetikëve, pas mungesës në grumbullimin e kaluar. Përveç Xhakës, në listën e Yakinit janë edhe dy futbollistë të tjerë me prejardhje shqiptare, Ardon Jashari dhe Adrian Bajrami. Ndërkohë, sipas mediumit zviceran “Blick”, pjesë e ekipit do të jetë edhe Samuel Ballet.

Rikthimi i Xhakës vjen pas sqarimit të situatës mes tij dhe përzgjedhësit Murat Yakin. Ky i fundit ka bërë të ditur se çështja tashmë është diskutuar dhe se mesfushori ka kërkuar falje.

“Sa i përket Granitit, gjithçka është diskutuar. Ai ka kërkuar falje. Para ndeshjeve në të cilat mungoi, më kishte dërguar një mesazh. Jam i bindur se, kur të bashkohet me ne të hënën, për të do të ketë rëndësi vetëm kombëtarja zvicerane”, deklaroi Yakin.

Kujtojmë se Xhaka ishte dënuar me një gjobë me kusht prej 150 mijë frangash zvicerane, pasi kishte pranuar se kishte siguruar një certifikatë të falsifikuar të vaksinimit kundër COVID-19.

Yakin komenton edhe futbollistët shqiptarë

Gjatë konferencës për media, përzgjedhësi zviceran është pyetur edhe për disa futbollistë që nuk janë përfshirë në listë, mes tyre Uran Bislimi dhe Lutfi Dalipi.

Për mesfushorin e Luganos, Uran Bislimi, Yakin pati fjalë vlerësuese, duke theksuar se konkurrenca në repartin e mesfushës është shumë e madhe.

“Uran Bislimi është një lojtar që më pëlqen shumë dhe të cilin e njoh prej kohësh. Megjithatë, konkurrenca në mesfushë është shumë e madhe. Unë kam një plan dhe konkurrenca është e fortë”, u shpreh ai.

Ndërsa për Lutfi Dalipin, futbollistin e Vaduzit, Yakin tha se është një lojtar interesant, por që ende ka mundësi të kontribuojë edhe për Kombëtaren U21.

Sipas tij, për momentin është e vështirë të sigurohet një vend në ekipin e parë, për shkak të konkurrencës dhe numrit të madh të futbollistëve në dispozicion.

Zvicra përballet me Slloveninë dhe Skocinë

Kombëtarja e Zvicrës do t’i zhvillojë dy ndeshjet e fundit të vitit në Ligën e Kombeve.

Fillimisht, më 13 nëntor, helvetikët do të përballen me Slloveninë në Maribor, ndërsa më 16 nëntor do të presin Skocinë në St. Gallen.

Këto dy përballje do të jenë një mundësi tjetër për Xhakën dhe bashkëlojtarët e tij që ta përfaqësojnë Zvicrën, ndërsa futbollistët shqiptarë do të synojnë të japin kontributin e tyre në fanellën e kombëtares helvetike.

Lista e plotë e Zvicrës

Portierë: Silas Huber, Marvin Keller, Gregor Kobel, Yvon Mvogo.

Mbrojtës: Manuel Akanji, Zachary Athekame, Adrian Bajrami, Sascha Britschgi, Eray Cömert, Nico Elvedi, Miro Muheim, Ricardo Rodriguez.

Mesfushorë dhe sulmues: Michel Aebischer, Zeki Amdouni, Samuel Ballet, Winsley Boteli, Breel Embolo, Remo Freuler, Cedric Itten, Ardon Jashari, Johan Manzambi, Dan Ndoye, Fabian Rieder, Alvyn Sanches, Djibril Sow, Ruben Vargas, Granit Xhaka dhe Denis Zakaria./K.Goca/BS

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Harry Kane rinovon me Bayern Munichun, anglezi do të qëndrojë në...

0
Harry Kane do të vazhdojë aventurën e tij me Bayern Munichun edhe për disa sezone të tjera. Sulmuesi anglez ka arritur marrëveshjen për vazhdimin...