Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar që gjetjet dhe rekomandimet për shëndetin mendor të fëmijëve dhe të rinjve të përkthehen në veprime konkrete, duke theksuar nevojën për një sistem më të qëndrueshëm, të integruar dhe të qasshëm për të gjithë.
Këtë deklaratë Kurti e bëri në tryezën e diskutimit me temën “Shëndeti mendor”, të organizuar nga Zyra e Kryeministrit në bashkëpunim me UNICEF-in, ku u diskutua për sfidat dhe hapat e nevojshëm për avancimin e shërbimeve të shëndetit mendor në Kosovë.
Gjatë fjalës së tij, Kurti theksoi se mirëqenia psikologjike e fëmijëve dhe të rinjve duhet të jetë pjesë e rëndësishme e politikave shtetërore, pasi zhvillimi i vendit dhe ndërtimi i kapitalit njerëzor nuk mund të trajtohen pa marrë parasysh këtë dimension.
Ai rikujtoi se në gusht është publikuar raporti “Hartëzimi i shërbimeve të shëndetit mendor dhe mbështetjes psikosociale për fëmijët dhe të rinjtë në Kosovë”, i realizuar nga UNICEF-i në bashkëpunim me Institutin e Psikologjisë të Universitetit të Prishtinës.
Sipas Kurtit, raporti ka identifikuar gjendjen aktuale, sfidat dhe nevojat në këtë fushë, duke ofruar rekomandime për përmirësimin e shërbimeve dhe mbështetjes psikosociale.
“Takimi i sotëm duhet të na çojë nga evidenca te veprimi. Tashmë kemi një dokument të qartë për t’i kuptuar sfidat dhe nevojat. Përgjegjësia jonë është të përcaktojmë se ku duhet t’i përqendrojmë përpjekjet tona dhe cilat masa kërkojnë veprim prioritar”, u shpreh Kurti.
Kreu i Qeverisë nënvizoi se shëndeti mendor nuk mund të jetë përgjegjësi vetëm e një institucioni apo sektori, por kërkon bashkëpunim ndërmjet shëndetësisë, arsimit, shërbimeve sociale, drejtësisë, familjeve dhe komunitetit.
Ai theksoi se mbështetja për fëmijët dhe të rinjtë duhet të jetë e koordinuar, në mënyrë që ata të kenë mundësi të marrin shërbimet e nevojshme në kohën e duhur dhe pavarësisht vendbanimit.
Në këtë kontekst, Kurti përmendi edhe disa nga masat e ndërmarra nga Qeveria, përfshirë shtesat për fëmijët, mbështetjen për nënat lehona, programin e intervenimit të hershëm për fëmijët me aftësi të kufizuara, si dhe programet për fuqizimin dhe punësimin e të rinjve.
Ai foli edhe për progresin në disa tregues të mirëqenies së fëmijëve, duke deklaruar se vdekshmëria neonatale ka shënuar rënie prej 27 për qind që nga viti 2020, ndërsa përfshirja në edukimin e fëmijërisë së hershme është më shumë se dyfishuar.
Në përfundim, Kurti tha se synimi i Qeverisë është ndërtimi i një sistemi që nuk ndërhyn vetëm kur shfaqen krizat, por investon në parandalim, identifikim të hershëm dhe mbështetje të vazhdueshme.
“Ambicia jonë është e qartë: ta ndërtojmë një sistem i cili jo vetëm që reagon në kriza, por paraprakisht investon në parandalim, identifikim dhe mbështetje të hershme”, deklaroi ai.
Sipas tij, për realizimin e këtij synimi është i domosdoshëm forcimi i kapaciteteve profesionale dhe bashkëpunimit ndërinstitucional, në mënyrë që fëmijët, të rinjtë dhe familjet e tyre të kenë qasje në shërbime cilësore të shëndetit mendor./BS










