BallinaDiasporaIgnazio Cassis nesër në Kosovë, në fokus marrëdhëniet ekonomike dhe dialogu me...

Ignazio Cassis nesër në Kosovë, në fokus marrëdhëniet ekonomike dhe dialogu me Serbinë

-

Kryediplomati zviceran do të zhvillojë takime me krerët e institucioneve të Kosovës, do të vizitojë misionet e KFOR-it dhe OSBE-së, si dhe do të përurojë ambientet e reja të Ambasadës së Zvicrës në Prishtinë.

Ministri i Punëve të Jashtme të Zvicrës, njëherësh këshilltar federal, Ignazio Cassis, do të qëndrojë nesër, më 5 nëntor, për një vizitë zyrtare në Kosovë. Vizita është pjesë e një turneu diplomatik në Ballkanin Perëndimor, që po zhvillohet nga 4 deri më 6 nëntor dhe përfshin edhe Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Cassis pritet të takohet me presidenten Justina Shiroka Pula, kryeministrin Albin Kurti, si dhe zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca.

Sipas njoftimit të Departamentit Federal të Punëve të Jashtme të Zvicrës, në qendër të diskutimeve do të jenë marrëdhëniet dypalëshe, bashkëpunimi ekonomik dhe zhvillimet politike në rajon.

Një nga temat kryesore të takimeve do të jetë marrëveshja e tregtisë së lirë ndërmjet Kosovës dhe shteteve të EFTA-s, ku bën pjesë edhe Zvicra. Marrëveshja, e cila ka hyrë së fundmi në fuqi, synon të krijojë mundësi të reja për eksportet, investimet dhe zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet palëve.

Në agjendën e kryediplomatit zviceran do të jetë edhe dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Berna pritet të ritheksojë mbështetjen e saj për procesin e dialogut dhe përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Në agjendë edhe KFOR-i dhe OSBE-ja

Përveç takimeve institucionale, Cassis do të vizitojë edhe misionin e KFOR-it në Prishtinë. Zvicra është pjesë e këtij misioni paqeruajtës përmes kontingjentit SWISSCOY që nga viti 1999, duke kontribuar në sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë.

Vizitë është paraparë edhe në misionin e OSBE-së në Kosovë. Kjo vizitë merr rëndësi të veçantë edhe për faktin se Zvicra kryeson OSBE-në gjatë këtij viti.

Një tjetër moment i vizitës do të jetë përurimi i ambienteve të reja të Ambasadës së Zvicrës në Prishtinë, një hap që shënon vazhdimin e pranisë dhe angazhimit zviceran në Kosovë.

Diaspora, një urë e rëndësishme mes vendeve

Në njoftimin e saj, Qeveria zvicerane vë në pah edhe rolin e diasporës nga Kosova, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, e cila jeton në Zvicër.

Komunitetet e mëdha nga këto tri vende përbëjnë një faktor të rëndësishëm në marrëdhëniet e ngushta ndërmjet Bernës dhe vendeve të rajonit, duke kontribuar në lidhjet ekonomike, shoqërore dhe kulturore.

Vizita e Cassis zhvillohet në një periudhë me zhvillime të rëndësishme politike në Ballkanin Perëndimor, pas zgjedhjeve në Serbi dhe në prag të publikimit të raportit vjetor të Komisionit Evropian për vendet kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Përmes këtij turneu, Zvicra synon të vazhdojë dialogun me partnerët e saj në rajon, të forcojë bashkëpunimin ekonomik dhe të riafirmojë angazhimin për stabilitetin dhe bashkëpunimin në Ballkanin Perëndimor./BS

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Kurti: Shëndeti mendor i fëmijëve dhe të rinjve duhet të jetë...

0
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar që gjetjet dhe rekomandimet për shëndetin mendor të fëmijëve dhe të rinjve të përkthehen në veprime konkrete,...