
Nga Flamur Gashi
(Autori shtë një figurë e njohur në jetën politike dhe diplomatike shqiptare)
Shqipëria dhe Kosova po qëndrojnë para një dere që duhet hapur. Sot dëgjohen protesta, akuza e përplasje. Zëra të shumtë, por ende jo drejtimi që meritojmë.
Megjithatë, përmes vrimës së çelësit shihet drita. Prandaj nuk ka vend për dorëzim!
Protesta është e drejtë, pakënaqësia duhet dëgjuar, por zemërimi duhet të shndërrohet në përgjegjësi, kundërshtimi në ide dhe energjia qytetare në ndryshim.
Çelësi nuk është te nostalgjia për të shkuarën dhe as te ndasitë e së sotmes.
Çelësi është te besimi në njëri-tjetrin, te bashkimi, te studentetë dhe te rinia jonë!
Te brezi që kërkon arsim, drejtësi, meritokraci dhe punë me dinjitet.
Te të rinjtë që nuk trashëgojnë armiqësi, por ndërtojnë ura, që nuk presin t’u hapet rruga, por e krijojnë vetë të ardhmen.
Rinia nuk është vetëm e ardhmja. Është e sotmja!
Ajo duhet të jetë pjesë e vendimmarrjes dhe e përgjegjësisë për fatin tonë të përbashkët.
Ne shqiptarët kemi kaluar shumë sprova historike. Sot nuk na duhet të jemi më të fortë se të tjerët, por të kemi guximin të jemi të barabartë me të gjithë popujt e Evropës: me dinjitet, dije, drejtësi, mirëqenie dhe institucione që u shërbejnë qytetarëve.
Shqipëria dhe Kosova, duke respektuar veçantinë dhe përgjegjësitë e tyre, duhet ta ndërtojnë të ardhmen mbi bashkëpunimin, respektin dhe interesin e përbashkët kombëtar.
Ta hapim derën sa më parë!
Le të depërtojnë rrezet e diellit dhe të dritës mbi trojet tona dhe mbi mbarë kombin shqiptar…
Shpresa na bashkon, besimi na jep forcë dhe guximi na çon përpara.
Vetëm duke besuar te njëri-tjetri dhe duke qëndruar të bashkuar do të dalim faqebardhë përballë historisë dhe brezave që vijnë!
Çelësi është në duart tona.
Drita na pret.
Le ta hapim së bashku derën e së ardhmes!










