
Nga Prof.Dr. Sabri Kiçmari
(Autori është ambasador i Republikës së Kosovës në Japoni)
2 Nëntori 1989 – 37 vjetori i rënies për liri
2 nëntori i vitit 1989 është një shembull tipik përfaqësues se si një popull e krijon historinë, duke sakrifikuar jetën e dy të rinjve idealistë dhe duke hedhur, përmes kësaj sakrifice, themelet e ndërtimit të së ardhmes. Siguria me të cilën Afrimi dhe Fahriu shkuan drejt vdekjes është e rrallë. Ajo përfaqëson një heroizëm të veçantë, që kërkon shpjegim jo vetëm historik, por edhe filozofik e politik.
Si mund të shpjegohet kjo gatishmëri për të shkuar drejt vdekjes në rrafshin filozofik-politik?
Si mund të shpjegohet guximi i Afrimit dhe Fahriut për të sfiduar vdekjen?
Si mund të shpjegohet vetëdija e tyre për të pranuar, në një moshë aq të re, natyrshmërinë e vdekjes për liri?
Afrimi, në rrafshin teorik, ka mbrojtur pikëpamjen se qëllimi i politikës është liria. Në kohën tonë, ajo manifestohej në formën e kërkesës „Kosova Republikë!“ si hap i parë, ndërsa bashkimi kombëtar ishte rrjedhojë logjike, ose qëllim strategjik.
Duke e njohur sentencën se „historia botërore është një përparim në vetëdijen e lirisë – një përparim që duhet ta njohim në domosdoshmërinë e tij“, Afrimi ishte i vetëdijshëm se lufta për liri është e domosdoshme, sepse vetëm kur një komb është i lirë, ai mund ta njohë dhe ta realizojë të vërtetën. Ashtu siç është graviteti thelbi i materies, ashtu është edhe liria thelbi i frymës së kombit. Dhe, për të arritur lirinë, njeriu duhet të ngrihet, të organizohet dhe të punojë kundër pushtimit, shtypjes dhe skllavërisë.
Fahriu ishte dora vepruese e Lëvizjes. Ai ishte aksionisti, planifikuesi dhe realizuesi i planeve operative të sektorit të veçantë, i demonstratave dhe grevave. I vetëdijshëm se „njeriu lind i lirë, por gjendet gjithkund i rrethuar nga prangat“, Fahriu do të insistonte që qytetarët e Kosovës, përmes veprimit konkret për idenë e lirisë, të shndërroheshin në subjekt për vete.
Duke u shndërruar nga subjekt në vete në subjekt për vete, ai e sfidon determinizmin fatalist të nomenklaturës së kohës, duke i dhënë kuptim lirisë si „liri e vullnetit, e lidhur me një sferë të veçantë që e kishte parasysh njeriun e ‘përgjithshëm’ veprues historik“.
Prandaj, Afrimi dhe Fahriu gjenden në frymën tonë të lirisë. Ata janë pjesë e pandashme jo vetëm e së kaluarës, por edhe e së tashmes dhe, në mënyrë të veçantë, e së ardhmes sonë!
Nderim në 37-vjetorin e rënies për liri!










