Përgatiti Dashnim Hebibi
RÜMLANG, CYRIH, 31 tetor 2026 – Në një atmosferë festive, me pjesëmarrjen e një numri të madh veprimtarësh, personalitetesh dhe përfaqësuesish të komunitetit shqiptar nga të gjitha trevat, ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Zvicër, Shkëlqesia e Tij, Rexhep Demiri, mori pjesë në hapjen solemne të Odës Folklorike Shqiptare në Zvicër, në Rümlang të Cyrihut. Prania e ambasadorit Demiri, i shoqëruar nga shefi i Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Cyrih, z. Vigan Berisha, i dha kësaj mbrëmjeje edhe një dimension të veçantë diplomatik, duke dëshmuar miqësinë e mirë, respektin dhe bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Njëkohësisht, kjo pjesëmarrje përcolli mesazhin se ruajtja dhe promovimi i kulturës shqiptare në mërgatë janë vlera që i bashkojnë të gjithë.

Me këtë rast, ambasadori Rexhep Demiri u shpreh:
“Dje patëm nderin dhe kënaqësinë të merrnim pjesë në hapjen solemne të Odës Folklorike Shqiptare në Zvicër, në Rümlang të Cyrihut.
Kjo nismë e rëndësishme përbën një vlerë të veçantë për ruajtjen, kultivimin dhe promovimin e këngës folklorike shqiptare, kulturës dhe traditave tona të pasura, të cilat përbëjnë një trashëgimi të çmuar që duhet ruajtur dhe përcjellë brez pas brezi.Kënga folklorike është zëri i historisë sonë, shpirti i traditës dhe një urë e gjallë që lidh brezat me rrënjët e tyre kulturore. Përmes nismave të tilla, kultura dhe tradita jonë shqiptare vazhdojnë të jetojnë, të zhvillohen dhe të promovohen edhe në mërgatë. Shprehim mirënjohjen tonë të sinqertë për organizatorët për ftesën, mikpritjen dhe respektin e treguar. Odës Folklorike Shqiptare në Zvicër i urojmë suksese të shumta, mbarësi në veprimtarinë e saj dhe sa më shumë arritje në ruajtjen dhe promovimin e këngës folklorike, kulturës dhe traditës sonë shqiptare!”

Hapja e Odës Folklorike Shqiptare në Zvicër përbën një hap të rëndësishëm në organizimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare në diasporë. Mbështetja dhe prania e përfaqësuesve diplomatikë në ngjarje të tilla dëshmojnë rëndësinë që ka bashkëpunimi në shërbim të kulturës, identitetit dhe vlerave tona kombëtare.










