BallinaEKSKLUZIVE“KUQ E ZI”, NJË KRYEVEPËR QË DUHET TË MBËRRINË NË DUART E...

“KUQ E ZI”, NJË KRYEVEPËR QË DUHET TË MBËRRINË NË DUART E ÇDO FËMIJE SHQIPTAR NË DIASPORË

-

Përgatiti Dashnim HEBIBI, Zürich

( Autori është president i Institutit Shkencor Helvetik të Evropës Juglindore me qendër në Zürich të Zvicrës, ish mësues i Shkollës Plotësuse Shqipe në Zvicër dhe njohës i mërgatës sonë)

Një libër që bashkon historinë, gjuhën, atdhedashurinë dhe lojën, duke u dhënë brezave të rinj mundësinë të njohin rrënjët e tyre dhe të mos humbasin lidhjen me Shqipërinë.

Ka disa ditë që dëshiroj të hedh në letër disa mendime për një libër, të cilin, pa hezitim, do të guxoja ta cilësoja si një kryevepër të domosdoshme për fëmijët shqiptarë, veçanërisht për ata që jetojnë në mërgatë. Bëhet fjalë për librin “Kuq e Zi”, të autores Rovena Rrozhani, një vepër që vjen në një kohë kur nevoja për ruajtjen e gjuhës, historisë dhe identitetit shqiptar në diasporë është më e madhe se kurrë. Nuk po shkruaj këto radhë si studiues i letërsisë për fëmijë, as si kritik letrar që synon të bëjë një analizë profesionale të veprës. Po shkruaj me ndjenjë, me emocion dhe me bindjen se ky libër meriton të njihet, të përhapet dhe, mbi të gjitha, të jetë sa më shpejt në duart e fëmijëve shqiptarë kudo në botë.

Një Shqipëri e tërë jeton larg truallit të të parëve

Kur shumë shqiptarë morën rrugën e mërgimit, shumica prej tyre mendonin se largimi do të ishte i përkohshëm. U nisën me bindjen se do të qëndronin pak kohë, do të punonin, do të krijonin një jetë më të mirë dhe një ditë do të ktheheshin në vendlindje. Disa u kthyen, por shumë të tjerë mbetën në vendet ku i çoi fati, puna dhe jeta. Me kalimin e viteve, këto vende u bënë atdheu i tyre i dytë. Aty rritën fëmijët, ndërtuan familjet, krijuan kujtimet dhe tashmë kanë edhe nipa, mbesa e madje stërnipa. Sot, për shumë familje shqiptare, emigracioni nuk përfaqëson më vetëm një brez. Në të jetojnë gjenerata e dytë, e tretë, e katërt e, në disa raste, edhe e pesta. Kështu, një Shqipëri e tërë jeton larg truallit të të parëve.

Por bashkë me këtë realitet lind edhe një shqetësim i madh: çfarë do të ndodhë me gjuhën shqipe, me njohjen e historisë sonë dhe me vetëdijen e brezave që po rriten larg atdheut?

Fëmijët e mërgatës janë shqiptarë, por përditshmëria e tyre zhvillohet në një gjuhë tjetër. Ata shkojnë në shkolla ku mësojnë gjuhën e vendit ku jetojnë, shoqërohen me fëmijë të kombësive të ndryshme dhe komunikojnë në gjuhën që dëgjojnë çdo ditë. Shqipja, në shumë familje, mbetet gjuha e prindërve dhe e gjyshërve, ndërsa në shkollat plotësuese shqipe mësohet vetëm për disa orë në javë. Prandaj, mendoj se nuk duhet të kemi të njëjtin koncept dhe të njëjtin program mësimor për fëmijët që jetojnë në Shqipëri dhe Kosovë me ata që rriten në diasporë. Jo sepse janë të ndryshëm, por sepse rrethanat e tyre gjuhësore, kulturore dhe arsimore janë të ndryshme. Fëmijët e diasporës kanë nevojë për programe të hartuara enkas për ta, nga specialistë të gjuhës, pedagogjisë, historisë dhe psikologjisë së fëmijëve. Kanë nevojë për libra që i afrojnë me gjuhën shqipe, që ua bëjnë historinë të kuptueshme dhe që ua zgjojnë dëshirën për të ditur më shumë për prejardhjen e tyre. Në këtë drejtim, libri “Kuq e Zi” është një përgjigje e bukur, e qëlluar dhe jashtëzakonisht e nevojshme.

“Kuq e Zi” – më shumë se një libër, një urë që lidh brezat

Libri më i ri i shkrimtares Rovena Rrozhani nuk është thjesht një botim për fëmijë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë. Ai është një ndërthurje e bukur e historisë, poezisë, gjuhës, edukimit dhe lojës, përmes së cilës fëmijët njihen me rrënjët e tyre kombëtare. “Kuq e Zi” përmban 15 poezi, 20 grimca historike dhe 15 lojëra e aktivitete për fëmijë. Këto elemente nuk janë vendosur rastësisht, por janë organizuar në mënyrë që lexuesi i vogël të mos jetë vetëm përballë një teksti që duhet ta lexojë dhe ta mësojë, por të bëhet pjesë aktive e përmbajtjes. Poezitë sjellin momente historike, atmosferën e shpalljes së Pavarësisë, rëndësinë e flamurit, gjuhës dhe atdheut. Grimcat historike dhe kuriozitetet u japin fëmijëve mundësinë të mësojnë fakte të rëndësishme për historinë tonë, ndërsa lojërat, rebuset, fjalëkryqet dhe aktivitetet krijuese e bëjnë njohjen më tërheqëse. Kjo është një nga vlerat më të mëdha të librit: ai nuk e ngarkon fëmijën me informacione të thata, por e fton të zbulojë, të mendojë, të luajë dhe të mësojë. Shpesh kemi parë libra me përmbajtje të mirë, por që për fëmijët janë të vështirë për t’u kuptuar. Ndonjëherë mungojnë ilustrimet, herë të tjera gjuha është tepër e ndërlikuar ose mënyra e paraqitjes nuk arrin të mbajë vëmendjen e lexuesit të vogël. Te “Kuq e Zi” duket se është menduar për gjithçka. Realizimi teknik, ilustrimet, organizimi grafik dhe ndërthurja e tekstit me imazhin krijojnë një përvojë të veçantë leximi. Është një libër që të tërheq ta shfletosh, të ndalesh në faqet e tij dhe të vazhdosh leximin me dëshirën për të zbuluar se çfarë vjen më pas. Është si të shikosh një film, ku çdo faqe të çon drejt një njohjeje të re. Dhe pikërisht kjo e bën atë kaq të rëndësishëm për fëmijët që nuk kanë mundësi ta përjetojnë përditë gjuhën dhe kulturën shqiptare.

Ismail Qemali, një figurë që çdo fëmijë shqiptar duhet ta njohë

Një vend të veçantë në këtë libër zë figura e Ismail Qemalit, burrit që më 28 Nëntor 1912 shpalli Pavarësinë e Shqipërisë dhe ngriti flamurin kombëtar në Vlorë. Për fëmijët që jetojnë në atdhe, emri i Ismail Qemalit është pjesë e mësimeve të historisë, e festave kombëtare dhe e përkujtimit të Ditës së Flamurit. Por për një fëmijë që jeton në një vend tjetër, që ndoshta nuk e ka vizituar kurrë Vlorën dhe që nuk ka pasur mundësi të dëgjojë shumë rrëfime për historinë e Shqipërisë, njohja me këtë figurë ka një rëndësi edhe më të veçantë. Nuk është e drejtë që një fëmijë shqiptar, kudo që jeton, të mos dijë kush ishte Ismail Qemali, çfarë përfaqëson Vlora dhe cilët ishin atdhetarët që sakrifikuan për pavarësinë e vendit. Për këtë arsye, kontributi i familjes Vlora në këtë libër është një vlerë e veçantë. Stërnipi i Ismail Qemalit, z. Darling Vlora, ka sjellë një dëshmi familjare me rëndësi historike dhe emocionale. Përmes kujtimeve të trashëguara nga familja, ai e afron lexuesin me një histori që nuk është mësuar vetëm nga librat, por edhe nga rrëfimet e drejtpërdrejta të brezave. Fjalët e tij në parathënien e librit meritojnë të përcillen të plota, sepse përmbajnë një dëshmi të çmuar të trashëgimisë familjare dhe të mënyrës se si historia kombëtare ruhet nga një brez te tjetri.

Darling Vlora, pasardhës i Ismail Qemalit, shkruan:

“Unë kam pasur fatin që historinë që po e atë ditë, ta njihja mirë qysh kur isha i vogël. Nuk e mësova nga librat, shkolla apo televizioni, sepse në atë kohë, kur vendi ynë ndodhej nën një sistem diktatorial, fletë fare pak për atë ngjarje të madhe e të shpejtë, me shtrembërime. E mësova në familje, nga tregimet e babait tim, i cili ishte djalë i gjallë të atij Plaku legjendar që shpalli Pavarësinë dhe ngriti flamurin më 28 Nëntor 1912 dhe që denjësisht trashëgohet edhe emrin e tij, Ismail. Ai më fliste me ëndje për atë ngjarje, për gjyshin e tij, i cili, ashtu siç kishte flokët dhe mjekrën e bardhë, kishte edhe një shpirt të madh e të mirë. Ai më tregonte për vështirësitë që kishte kaluar gjyshi i tij derisa mbërriti në Vlorë. Më tregonte për Kuvendin Kombëtar që ishte mbajtur pikërisht në atë shtëpi, ku kishte lindur gjyshi i tij, e ku kishin jetuar të parët e familjes së tij. Më tregonte për ata burra që e kishin mbështetur në veprën e tij e që i kishin qëndruar besnikë tërë jetën. Më fliste edhe për ata që e kishin penguar të realizonte si duhet ëndrrën e shqiptarëve, e kështu me radhë. Tregimet e tij, plot emocion, mbi detaje historike e familjare, që shpesh përcilleshin në familje e jo në libra, bënë që unë, që në fëmijëri, ta njihja më nga afër historinë e kurorëzimit të ëndrrës shekullore të shqiptarëve: Shpalljen e Pavarësisë dhe historinë e protagonistit të saj, Ismail Qemal Bej Vlorës. Unë ndihesha i lumtur që kam pasur fatin të njihja një gjysh i vogël me atë histori të bukur e të lavdishme, e cila bëri të mundur që ne sot të jemi një shtet i lirë dhe i pavarur. Për këtë, uroj që ju, brez i ri, të mësoni sa më drejt dhe të njihni sa më mirë historinë e përpjekjeve, luftërave dhe sakrificave që kanë bërë paraardhësit tanë, për të na lënë neve një gjuhë, një shtet dhe një flamur.” Kjo dëshmi është një nga pjesët më domethënëse që autorja ia kushtoi librit. Ajo tregon se historia nuk është vetëm një datë në kalendar, as vetëm një kapitull në tekstet shkollore. Historia është kujtesë, është trashëgimi familjare, është përgjegjësi dhe është një amanet që duhet t’u përcillet brezave. Sa domethënëse do të ishte që një fëmijë shqiptar në Zvicër, Gjermani, Austri, Itali, Francë, Suedi, Amerikë apo kudo tjetër, ta lexonte këtë dëshmi dhe të kuptonte se pas flamurit që sheh në shtëpinë e prindërve të tij qëndron një histori e gjatë sakrificash dhe përpjekjesh!

Një vepër e ndërtuar me përkushtim dhe profesionalizëm

Një libër i tillë nuk bëhet vetëm me një ide të bukur. Ai kërkon njohuri, përkushtim, punë të kujdesshme dhe bashkëpunim mes njerëzve që e njohin mirë fushën e tyre. Autorja, Rovena Rrozhani, ka ndërtuar një vepër ku përmbajtja letrare ndërthuret me njohuritë historike dhe elementet pedagogjike. Redaktore letrare është shkrimtarja e njohur për fëmijë Adelina Mamaqi, ndërsa redaktorët shkencorë janë Prof. Asoc. Dr. Dritan Egro dhe Prof. Asoc. Dr. Albana Ndoja Deda. Ilustrimet janë realizuar nga Henri Dimo, ndërsa koncepti grafik dhe dizajni nga Henrik Lezi. Edhe vlerësimi profesional i Prof. Asoc. Dr. Albana Ndoja Dedës dëshmon se kemi të bëjmë me një punë të menduar dhe të organizuar me kujdes. Ajo vlerëson veçanërisht mënyrën se si autorja ka përzgjedhur dhe renditur imazhet e ngjarjet, duke përshtatur gjuhën dhe mënyrën e rrëfimit me grupmoshat e synuara. Sipas saj, përsëritja e imazheve dhe organizimi i tyre krijojnë një koherencë që ndihmon në përvetësimin e njohurive, ndërsa pyetjet, lojërat, labirintet, fjalëkryqet dhe aktivitetet krijuese nxisin të menduarit kritik, kreativitetin dhe punën në grup.

Në vlerësimin e saj theksohet:

“Gjykojmë se libra të tillë përbëjnë një risi në korpusin e letërsisë sonë për fëmijë pikërisht me tipologjinë se si aktivizohet imazhi: estetikisht në poezi, shkencërisht në të dhënën historike, si dhe ngulitja e tyre nëpërmjet aktivizimit të të menduarit kritik nëpërmjet miniparatit pedagogjik, lojërave, aktiviteteve didaktike krijuese që lidhen me tematikat e poezive.” Ky vlerësim profesional e plotëson bindjen se “Kuq e Zi” nuk është thjesht një botim festiv për 28 Nëntorin, por një material me vlera letrare, historike dhe edukative, që mund të përdoret edhe në procesin e mësimit të gjuhës shqipe.

Rovena Rrozhani, një krijuese që e njeh botën e fëmijëve

Pas kësaj vepre qëndron shkrimtarja dhe gazetarja Rovena Rrozhani, një emër i njohur në letërsinë shqiptare për fëmijë.E lindur në Tiranë në vitin 1974, ajo ka studiuar gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës. Është anëtare e Shoqatës së Shkrimtarëve për Fëmijë dhe të Rinj dhe ka ndërtuar ndër vite një krijimtari të pasur letrare. Rovena Rrozhani është ndër ato krijuese që i kushtojnë rëndësi të veçantë psikologjisë së fëmijës, botës së tij imagjinative dhe mënyrës se si duhet komunikuar me lexuesin e vogël. Në krijimtarinë e saj spikat gjuha e thjeshtë, rrëfimi i kapshëm, fabula origjinale dhe aftësia për të përcjellë mesazhe që nxisin fantazinë, shpresën, dashurinë për natyrën dhe jetën. Ndër librat e saj për fëmijë përmendim “Fani në kërkim të dritës”, “Arinjtë duan të fluturojnë”, “Hana, vajza që kapi diellin”, “Lëndina e arushëve”, “Rozi dhe domatja kërcimtare”, “Tullumbacja e bardhë”, “Tutu mëson të dëgjojë”, “Dea dhe delfini i bardhë”, “Përralla e diellit”, “Derrkuci gjumash” dhe shumë të tjerë. Ajo është vlerësuar me çmime nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit për krijimtarinë e saj për fëmijë, ndërsa veprat e saj dëshmojnë një përkushtim të vazhdueshëm ndaj letërsisë për lexuesit e vegjël. Përveç krijimtarisë letrare, Rovena ka një përvojë të gjatë në gazetari, në median e shkruar dhe atë televizive. Është autore e dhjetëra botimeve dhe ka kontribuar në fusha të ndryshme të komunikimit kulturor e publik. Pikërisht kjo përvojë e gjerë, njohja e gjuhës, e fëmijëve dhe e mënyrave të komunikimit, duket se është reflektuar edhe në realizimin e “Kuq e Zi”.

Pse ky libër është kaq i rëndësishëm për diasporën?

Nëse do të më duhej të veçoja një arsye pse ky libër duhet të ribotohet dhe të shpërndahet sa më gjerësisht në mërgatën shqiptare, ajo është se ai u jep fëmijëve një mundësi konkrete për të krijuar lidhje me historinë dhe gjuhën e tyre. Nuk mjafton që fëmijët tanë ta dëgjojnë fjalën Shqipëri. Ata duhet ta njohin Shqipërinë. Nuk mjafton të dinë se ekziston një flamur kuq e zi. Ata duhet të mësojnë çfarë përfaqëson ai. Nuk mjafton që në festat familjare të këndojnë një këngë shqipe. Ata duhet të kenë mundësi ta lexojnë, ta shkruajnë dhe ta kuptojnë gjuhën e të parëve të tyre. Një fëmijë që nuk e njeh historinë e vet, e ka më të vështirë të kuptojë rrënjët e veta. Një fëmijë që nuk e përdor gjuhën shqipe, rrezikon që me kalimin e viteve të humbasë edhe lidhjen me një pjesë të trashëgimisë familjare.

Këtu qëndron rëndësia e jashtëzakonshme e librave të tillë.

Mendoj se institucionet tona arsimore, kulturore dhe përfaqësitë diplomatike duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje botimeve të kësaj natyre. Shkollat shqipe në diasporë duhet të kenë në dispozicion materiale të përshtatshme për moshat e ndryshme. Shoqatat shqiptare, mësuesit, prindërit dhe veprimtarët duhet ta shohin këtë libër si një mundësi të mirë për ta afruar fëmijën me gjuhën dhe historinë kombëtare. Do të ishte shumë e dobishme që “Kuq e Zi” të gjendej në bibliotekat e shkollave shqipe, në qendrat kulturore shqiptare dhe në bibliotekat familjare të mërgatës.Madje, do të ishte me rëndësi që të shqyrtohej mundësia e ribotimit të tij në tirazhe më të mëdha dhe e shpërndarjes në vendet ku jetojnë komunitetet shqiptare. Sepse nuk duhet të presim që fëmijët tanë ta kërkojnë vetë gjuhën shqipe, nëse ne nuk ua krijojmë mundësinë që ta duan dhe ta mësojnë atë.

Një libër që meriton të jetë në çdo familje shqiptare

Për ta kuptuar vlerën e një libri të tillë, mjafton ta shpalosësh. Mjafton të shikosh mënyrën se si është ndërtuar, si janë ndërthurur poezitë, historitë, ilustrimet dhe lojërat.Është një nga ato libra që nuk të lënë ta mbyllësh shpejt. Çdo faqe të fton të ndalesh, të lexosh, të shohësh dhe të zbulosh diçka të re. Duke parë disa faqe të këtij libri dhe duke dëgjuar për të nga z. Darling Vlora, jam bërë edhe më i bindur për rëndësinë që ka kjo vepër. Mezi pres ta kem në duar, ta lexoj të plotë dhe ta përjetoj nga afër atë që autorja ka arritur të ndërtojë. Nuk dua të bëj një vlerësim kritik për një vepër që meriton të analizohet nga profesionistët e fushës. Por, si njeri që e ndien rëndësinë e gjuhës dhe të trashëgimisë sonë kombëtare, e konsideroj këtë libër një pasuri që duhet të shkojë te fëmijët shqiptarë.

Dhe këtë e them me bindje të plotë:

“Kuq e Zi” meriton të cilësohet si një kryevepër e letërsisë edukative për fëmijë, veçanërisht për rëndësinë dhe nevojën që ka për brezat e rinj të diasporës shqiptare. Një kryevepër jo vetëm për temën që trajton, por edhe për mënyrën se si e trajton atë. Për përmbajtjen, për gjuhën e përshtatur për fëmijët, për ilustrimet, për dokumentet historike, për lojërat edukative dhe për mesazhin që përcjell. Është një libër që nuk duhet të mbetet vetëm në libraritë e Shqipërisë, as të lexohet vetëm në prag të 28 Nëntorit. Ai duhet të udhëtojë drejt familjeve shqiptare kudo që jetojnë, sepse historia dhe gjuha jonë nuk kanë kufij.

Aty ku nuk flitet shqip, rrezikojmë të humbasim një pjesë të vetvetes

Mërgata shqiptare ka dhënë dhe vazhdon të japë një kontribut të jashtëzakonshëm në ruajtjen e gjuhës dhe të identitetit kombëtar. Falë veprimtarëve, mësuesve, prindërve, shoqatave dhe njerëzve që kanë punuar me dekada, gjuha shqipe vazhdon të mësohet dhe të flitet në shumë vende të botës. Por kjo punë nuk duhet të ndalet asnjëherë. Brezi i parë kishte mallin për atdheun. Brezi i dytë kishte prindërit që flisnin shqip në shtëpi. Brezi i tretë dhe i katërt kanë nevojë për më shumë mbështetje, për libra, për programe mësimore dhe për aktivitete që ua bëjnë gjuhën dhe kulturën shqiptare pjesë të jetës së tyre. Nuk mund t’ua lëmë vetëm nostalgjisë së gjyshërve përgjegjësinë për ruajtjen e shqipes. Duhet të krijojmë mjete konkrete që fëmijët ta duan gjuhën e tyre, jo ta shohin atë si një detyrim. Dhe pikërisht këtu libri “Kuq e Zi” merr një rëndësi të veçantë. Ai është një dhuratë për fëmijët, një ndihmë për prindërit, një mjet i vlefshëm për mësuesit e shkollave shqipe dhe një kontribut për të ardhmen e gjuhës sonë. Autorja Rovena Rrozhani meriton përgëzime të sinqerta për këtë punë. Po ashtu, mirënjohje për të gjithë ata që kontribuuan në realizimin e saj, për redaktorët shkencorë, redaktoren letrare, ilustruesin, dizajnerin dhe veçanërisht për familjen Vlora, që ndau me lexuesit kujtime dhe materiale nga arkivi i saj personal.Një falënderim i veçantë i takon z. Darling Vlora, i cili, përmes dëshmisë së tij, e pasuron këtë libër me një dimension familjar dhe historik që nuk mund të zëvendësohet lehtë.

Urime Rovena Rrozhani për këtë vepër të çmuar! Uroj që “Kuq e Zi” të ribotohet sa më shpejt dhe të mbërrijë në çdo vatër shqiptare, në çdo shkollë shqipe dhe në çdo bibliotekë ku rriten fëmijët tanë.

Sepse fëmijët e diasporës nuk duhet ta njohin Shqipërinë vetëm nga rrëfimet e prindërve dhe gjyshërve. Ata duhet ta njohin edhe përmes librave, historisë, poezisë dhe gjuhës së shkruar. Atdheu nuk është vetëm vendi ku kemi lindur. Është edhe gjuha që flasim, historia që trashëgojmë dhe kujtesa që ua përcjellim fëmijëve tanë.

Aty ku nuk flitet gjuha shqipe, rrezikojmë të humbasim shumë më tepër se fjalët. Rrezikojmë të humbasim lidhjen me rrënjët tona.

Prandaj, le t’i japim librit vendin që meriton. Le ta çojmë “Kuq e Zi” te fëmijët tanë, sepse një libër i tillë nuk është thjesht për t’u lexuar. Është për t’u ruajtur, për t’u përjetuar dhe për t’u trashëguar.

Gjuha është rrënja jonë, historia është kujtesa jonë, ndërsa fëmijët janë e ardhmja jonë.

Dhe kjo është arsyeja pse “Kuq e Zi” duhet të jetë në duart e tyre! Në përmbyllje, libri “Kuq e Zi” i autores Rovena Rrozhani përfaqëson një kontribut me vlerë në letërsinë shqipe për fëmijë, duke dëshmuar se libri mund të jetë njëkohësisht mjet edukimi, instrument i transmetimit të kujtesës historike dhe faktor i rëndësishëm në formimin e identitetit kulturor e kombëtar. Ndërthurja e poezisë, informacionit historik, ilustrimeve dhe veprimtarive didaktike krijon një qasje të integruar, e cila e vendos fëmijën në qendër të procesit të të nxënit dhe e nxit atë të krijojë një marrëdhënie aktive me gjuhën dhe trashëgiminë e tij. Rëndësia e kësaj vepre merr një dimension të veçantë në kontekstin e diasporës shqiptare, ku ruajtja dhe transmetimi ndërbrezor i gjuhës, historisë dhe identitetit kombëtar përbëjnë një sfidë të vazhdueshme. Në këtë kuptim, “Kuq e Zi” nuk duhet parë vetëm si një botim me karakter tematik e përkujtimor, por si një material me potencial të rëndësishëm pedagogjik dhe kulturor, i cili mund të shërbejë në familje, në shkollat shqipe dhe në institucionet që merren me edukimin e brezave të rinj. Megjithatë, vlera e një vepre të tillë nuk qëndron vetëm në përmbajtjen që ajo përcjell, por edhe në mundësinë që krijon për ta shndërruar njohjen e origjinës në një përvojë të natyrshme, të kuptueshme dhe tërheqëse për fëmijën. Për këtë arsye, botime të tilla meritojnë jo vetëm vlerësim, por edhe mbështetje institucionale, promovim të qëndrueshëm dhe përfshirje në programet e edukimit plotësues në diasporë. Në fund, mund të pohojmë se investimi në libra që ruajnë gjuhën dhe përcjellin kujtesën historike është, në thelb, investim në vazhdimësinë kulturore të një kombi. “Kuq e Zi” përfaqëson një përpjekje të çmuar në këtë drejtim dhe një ftesë për prindërit, mësuesit, institucionet arsimore e kulturore dhe gjithë komunitetin shqiptar që ta konsiderojnë librin një nga mjetet më të rëndësishme të edukimit identitar. Sepse përkatësia kombëtare nuk trashëgohet vetëm përmes prejardhjes, por kultivohet përmes gjuhës, dijes, kujtesës dhe përvojave që përcillen nga një brez te tjetri. Të edukosh një fëmijë me gjuhën dhe historinë e të parëve do të thotë t’i japësh atij mundësinë të ndërtojë të ardhmen pa humbur lidhjen me rrënjët e veta.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Libri “Lufta për Kosovën IV” do të promovohet sot dhe të...

0
Sipas njoftimit të organizatorëve, libri, i botuar nga shtëpia botuese “Demos”, prezantohet si vepër e Rasim Selmanajt dhe Çlirimtar Morinës. Promovimi i parë do të...