BallinaKulturaSonte mbahet nata e dytë e Festivalit “Akordet e Kosovës”

Sonte mbahet nata e dytë e Festivalit “Akordet e Kosovës”

-

Në një atmosferë festive dhe me një skenografi madhështore, mbrëmë në palestrën “1 Tetori” në Prishtinë është zhvilluar nata e parë e edicionit të katërt të Festivalit të Këngës në RTK “Akordet e Kosovës”.

Kjo ngjarje e madhe muzikore, e cila u transmetua drejtpërdrejt në Radiotelevizionin e Kosovës, por edhe në Radiotelevizionin Shqiptar dhe në Radiotelevizionin e Maqedonisë së Veriut në kanalin e gjuhës shqipe, solli përballë publikut një ndërthurje të shkëlqyer zhanresh, nga rock-u alternativ, etno-pop-i e xhazi, e deri te baladat prekëse.

Nata e parë solli në skenë 17 solistë konkurrues, të shoqëruar drejtpërdrejt nga orkestra dhe bendi i festivalit.

Ndërkohë, nata e tretë do të jetë e dedikuar për festivalin e fëmijëve, që vjen me edicionin e parë.

Drejtoresha e Përgjithshme e Radiotelevizionit të Kosovës, Zana Spahiu, ka bërë të ditur se transmetuesi publik ka nisur lobimin pranë Unionit Evropian të Transmetuesve (EBU), me synimin që fituesi i Festivalit të Këngës “Akordet e Kosovës” të përfaqësojë vendin tonë në Eurovision. Spahiu ka thënë se RTK-ja tashmë ka dërguar kërkesë në EBU, e cila është shqyrtuar nga ky institucion.

“Gjasat mendoj që i kemi të mira, por mendoj që kemi edhe mjaft punë për të treguar që me të vërtetë festivali i cili organizohet, fituesi i cili është në krye të këtij festivali duhet të përfaqësohet dhe të jetë edhe pjesë e garës”, ka thënë Spahiu.

Ajo ka theksuar se lobimi dhe përpjekjet do të vazhdojnë, me shpresën që të ndryshohet statuti i EBU-së, i cili aktualisht nuk e lejon Kosovën të jetë pjesë e këtij mekanizmi. Spahiu ka folur edhe për rëndësinë e edicionit të katërt të festivalit, duke veçuar rikthimin e emërtimit historik “Akordet e Kosovës” dhe përkushtimin e stafit të RTK-së në realizimin e këtij projekti.

Ndërkaq, Xheraldina Cërnobregu, nënkryetare e Bordit të RTK-së, ka vlerësuar punën e bërë për organizimin e festivalit, duke shprehur shpresën që ai të shërbejë si një ndërthurje e së kaluarës me të tashmen.

Ndërsa drejtori artistik i festivalit, Florent Boshnjaku, tha mbrëmë për RTK-në se rikthimi i emrit historik “Akordet e Kosovës” i jep këtij edicioni një rëndësi të veçantë artistike dhe kulturore.

“Ne e meritojmë edhe një festë muzikore, e meritojmë që ta vlerësojmë historinë dhe sivjet e kemi rikthyer edhe emrin e ‘Akordeve të Kosovës’. Kështu që festivali ‘Akordet e Kosovës’ rifillon si histori”, ka thënë Boshnjaku, transmeton rtk.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Libri “Lufta për Kosovën IV” do të promovohet sot dhe të...

0
Sipas njoftimit të organizatorëve, libri, i botuar nga shtëpia botuese “Demos”, prezantohet si vepër e Rasim Selmanajt dhe Çlirimtar Morinës. Promovimi i parë do të...