Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, mori pjesë në ceremoninë e hapjes së shtëpisë-muze të shkrimtarit të madh Dritëro Agolli në Menkulas të Devollit, në kuadër të 95-vjetorit të lindjes së tij. Kreu i Shtetit e cilësoi këtë hapësirë një akt mirënjohjeje kombëtare dhe një investim me vlerë për ruajtjen e kujtesës dhe identitetit kulturor shqiptar.
DEVOLL – Shtëpia ku lindi dhe u rrit shkrimtari i njohur shqiptar Dritëro Agolli në Menkulas të Devollit është kthyer në një shtëpi-muze, duke i shtuar trashëgimisë kulturore shqiptare një hapësirë të re përkujtimore dhe studimore.
Në ceremoninë e hapjes mori pjesë Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, i cili vlerësoi kontributin e Agollit në letërsinë shqipe dhe rëndësinë e veprës së tij në pasqyrimin e jetës, traditave dhe identitetit kombëtar.
Gjatë fjalës së tij, Kreu i Shtetit theksoi se shkrimtari arriti ta bëjë vendlindjen e tij të njohur përtej kufijve të Shqipërisë, duke e kthyer atë në një pjesë të pandashme të identitetit të tij krijues.
“Njeriu largohet nga vendlindja për të njohur botën, por ka njerëz që, përmes veprës së tyre, e bëjnë vendlindjen të njohur për botën. Dritëro Agolli i bëri të dyja këto”, theksoi Begaj.
Begaj: Shtëpia-muze, një akt mirënjohjeje kombëtare
Presidenti e cilësoi hapjen e shtëpisë-muze jo vetëm si një nderim për shkrimtarin, por edhe si një shembull të rëndësishëm të përgjegjësisë që komunitetet lokale kanë për ruajtjen e historisë dhe identitetit të tyre.
“Inaugurimi i kësaj shtëpie-muze sot është jo vetëm një akt mirënjohjeje ndaj një shkrimtari të shquar, por edhe një shembull i përgjegjësisë që komunitetet lokale duhet të kenë për historinë dhe identitetin e tyre. Kjo nuk është thjesht shtëpia e kujtesës së një individi. Është një pasuri e re kulturore e Devollit, një adresë e re për vizitorët, studiuesit dhe të rinjtë, një hapësirë që i shtohet trashëgimisë sonë kulturore kombëtare”, u shpreh Begaj.
Sipas Kreut të Shtetit, kjo hapësirë do të shërbejë për të afruar vizitorët, studiuesit dhe brezat e rinj me jetën dhe krijimtarinë e një prej figurave më të rëndësishme të letërsisë shqiptare.
Dritëro Agolli, shkrimtari që qëndronte mes njerëzve
Gjatë ceremonisë, Begaj vlerësoi aftësinë e Dritëro Agollit për të pasqyruar botën shpirtërore të njerëzve të zakonshëm, si dhe mjeshtërinë e tij në përdorimin e gjuhës shqipe.
Përmes poezisë, prozës dhe humorit, Agolli arriti të krijojë një lidhje të veçantë me lexuesin shqiptar, duke sjellë në veprat e tij ndjenjat, përvojat dhe të vërtetat e jetës së përditshme.
“Dritëroi ishte shkrimtar që nuk i shihte njerëzit nga lart. Ai qëndronte mes tyre. Prandaj lexuesi shqiptar e ndiente të afërt: në poezinë e tij gjente ndjenjat e veta, në prozën e tij njihte njerëzit që kishte takuar, ndërsa në humorin e tij zbulonte të vërteta që shpesh nuk mund të thuheshin ndryshe”, tha Begaj.
Përveç kontributit të tij letrar, Presidenti vlerësoi edhe rolin e Agollit si intelektual në debatet shoqërore, veçanërisht gjatë periudhës së ndryshimeve politike dhe shoqërore të viteve ’90.
Kreu i Shtetit shprehu mirënjohjen për të gjithë ata që kontribuuan në ruajtjen e kujtesës së shkrimtarit dhe realizimin e këtij projekti, duke nënvizuar rëndësinë e tij për edukimin kulturor të të rinjve dhe njohjen e trashëgimisë kombëtare.
Vizitë në Bashkinë e Devollit dhe monumentet historike
Përpara ceremonisë së hapjes së shtëpisë-muze, Presidenti Bajram Begaj u prit në Bashkinë e Devollit nga kryetari Eduard Duro dhe prefektja e Korçës, Florinda Zegullaj.
Gjatë takimit, Kreu i Shtetit i përgëzoi për nismat në shërbim të zhvillimit të zonës, ndërsa vlerësoi shpirtin punëtor dhe sipërmarrës të banorëve të Devollit.
Në vijim të vizitës, Begaj u ndal edhe në Teqenë e Inonishtit në Kuç dhe në kishën e Shën Kollit në Hoçisht, dy monumente fetare me rëndësi historike dhe kulturore për zonën. Hapja e shtëpisë-muze të Dritëro Agollit përbën një hap të rëndësishëm për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë letrare shqiptare, duke krijuar një pikë të re referimi për vizitorët dhe studiuesit që dëshirojnë të njohin më nga afër jetën dhe veprën e shkrimtarit të madh, transmeton kjone.










