Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje demokratëve dhe qytetarëve që t’i bashkohen protestës së studentëve para Ministrisë së Arsimit. Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama për dhunën e ushtruar ndaj protestuesve dhe deklaroi se PD-ja do të vijojë të mbështesë lëvizjen studentore.
TIRANË – Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar lidhur me protestat studentore që po zhvillohen në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit, duke u bërë thirrje demokratëve dhe qytetarëve që të bashkohen në protestën para Ministrisë së Arsimit. Në një deklaratë për mediat, Berisha e cilësoi reagimin e studentëve si një përgjigje ndaj asaj që ai e përshkroi si dhunë të ushtruar nga Policia, ndërsa vlerësoi bojkotin e mësimit dhe mobilizimin e universiteteve në disa qytete të Shqipërisë. Sipas tij, protestës i janë bashkuar studentë nga universitete të ndryshme, si dhe gjimnazistë, të cilët kanë braktisur mësimin për të shprehur kundërshtimin e tyre.
Berisha: Universitetet iu përgjigjën dhunës me grevë
Gjatë deklaratës, kreu i PD-së përmendi Universitetin e Tiranës dhe fakultetet e tjera që, sipas tij, janë përfshirë në bojkotin e mësimit dhe lëvizjen protestuese.
“Dhunës së egër barbare, të urdhëruar nga Edi Rama dhe vasali i tij, Demo, Universiteti i Tiranës iu përgjigj në mënyrën më dinjitoze dhe më të vendosur, me grevën e përgjithshme të fakulteteve të këtij universiteti. U janë përgjigjur edhe universitetet e tjera të vendit, me greva, si Fakulteti i Biznesit në Elbasan, si dhe me lëvizje të tjera në universitetet e Vlorës, Shkodrës, Durrësit dhe Korçës.
Kësaj barbarie iu përgjigjën edhe gjimnazistët e gjimnazit ‘Partizani’. Narkoregjimi mbylli me hekura dyert e gjimnazit ‘Ismail Qemali’, por në Shkodër dhe Tiranë, në shkolla të tjera, nxënësit braktisën bankat dhe u nisën drejt protestës”, deklaroi Berisha.
Akuzat për dhunën ndaj protestuesve
Berisha u ndal edhe te përplasjet e regjistruara gjatë protestave, duke pretenduar se disa demonstrues kanë mbetur të lënduar rëndë dhe se disa prej tyre ndodhen në spitale, ku kanë nevojë për ndërhyrje kirurgjikale.
Ai solli në vëmendje edhe rastin e studentit 19-vjeçar, i cili pësoi frakturë në këmbë pas përplasjes me punonjësit e Policisë.
“Njëlloj sikur të ishin kafshë të egra, ia thyen këmbën një protestuesi të rrëzuar përdhe. Thyerja dhe mënyra se si e transportuan, si të ishte kafshë, mund t’i kushtonin jetën, pasi, nëse arteria e asaj zone do të çahej nga kockat, ata nuk do të mund t’i jepnin asnjë lloj ndihme”, u shpreh kreu i opozitës.
Deklaratat e Berishës vijnë pas njoftimit të Policisë së Shtetit për nisjen e verifikimeve dhe pezullimin nga detyra të katër efektivëve dhe shefit të Rendit në Komisariatin e Policisë Nr. 1, në lidhje me rastin e studentit të lënduar.
Berisha: Rama duhet të japë dorëheqjen
Kreu i PD-së akuzoi kryeministrin Edi Rama se mban përgjegjësi për mënyrën se si është menaxhuar situata gjatë protestave. Ai kundërshtoi gjithashtu masat e marra ndaj drejtuesve dhe efektivëve të Policisë, duke pretenduar se përgjegjësia për ngjarjet shkon përtej tyre.
“Edi Rama, në vend që të japë dorëheqjen, kërkon t’u servirë studentëve shkarkimin e Hitës apo të ndonjë tjetri, në një kohë kur ai vetë qëndron drejtpërdrejt pas urdhrit”, deklaroi Berisha.
Ai theksoi se Partia Demokratike e ka mbështetur protestën studentore dhe se do të vazhdojë të qëndrojë në krah të saj.
Thirrje demokratëve dhe qytetarëve për pjesëmarrje
Në përfundim të deklaratës, Berisha u bëri thirrje mbështetësve të PD-së dhe qytetarëve që t’i bashkohen protestuesve para Ministrisë së Arsimit, duke e cilësuar momentin si të rëndësishëm për vendin.
“PD-ja e ka mbështetur protestën studentore me të gjithë potencialin e saj dhe do të vazhdojë ta mbështesë atë.
Ndaj jam këtu për t’u bërë thirrje demokratëve dhe mbarë qytetarëve që të lënë gjithçka dhe të bashkohen në këto momente historike, për të mbrojtur dhe mbështetur fuqimisht studentët dhe protestën e tyre”, tha Berisha në një deklaratë për mediat.
Thirrja e kreut të opozitës vjen në një klimë të tensionuar politike dhe sociale, pas protestave të njëpasnjëshme të studentëve në Tiranë dhe përfshirjes së nxënësve të shkollave të mesme. Ndërkohë, mbetet për t’u parë se si do të vijojë mobilizimi dhe nëse protestës do t’i bashkohen më shumë qytetarë e mbështetës politikë, transmeton kjone.










