BallinaDiasporaAmbasada e Kosovës në Bernë nderon bashkatdhetarin Hajdin Limoni: “Vazhdon heroizmi i...

Ambasada e Kosovës në Bernë nderon bashkatdhetarin Hajdin Limoni: “Vazhdon heroizmi i shqiptarëve në Zvicër!”

-

Bernë, Zvicër, 12 tetor 2026 – Në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Bernë u zhvillua një takim i veçantë dhe emocionues, kushtuar qytetarit shqiptar Hajdin Limoni nga Zhegra, i cili, me guximin dhe vetëmohimin e tij të jashtëzakonshëm, arriti të shpëtojë jetën e katër të rinjve nga një veturë e aksidentuar që ishte përfshirë nga flakët në Wohlen të Zvicrës. Veprimi i tij heroik, i cili ka marrë vlerësime të larta nga mediat dhe opinioni publik zviceran, është shndërruar në një shembull të rrallë të humanizmit, guximit dhe solidaritetit njerëzor. Në një çast kur jeta e katër të rinjve ishte në rrezik, Hajdin Limoni nuk hezitoi të ndërhynte, duke dëshmuar se guximi i vërtetë shfaqet pikërisht atëherë kur të tjerët kanë më së shumti nevojë për ndihmë.

Në shenjë mirënjohjeje për këtë vepër të jashtëzakonshme, ambasadori i Republikës së Kosovës, SHT, z. Mentor Latifi, së bashku me këshilltaren e Ambasadës, znj. Shukrije Ramadani, pritën në takim z. Limoni, për t’i shprehur falënderimet dhe vlerësimin e institucioneve të Kosovës për aktin e tij human. Me këtë rast, siç mëson helveticALforum.ch ambasadori Latifi i dorëzoi z. Limoni një mirënjohje me shkrim, duke vlerësuar guximin dhe humanizmin e treguar, një vepër që nderon jo vetëm atë personalisht, por edhe familjen e tij dhe mbarë komunitetin shqiptar në Zvicër.

Shukrije Ramadani: “Vazhdon heroizmi i shqiptarëve në Zvicër!”

Këshilltarja e Ambasadës, znj. Shukrije Ramadani, e vlerësoi lart veprimin e Hajdin Limonit, duke e cilësuar atë si një dëshmi të gjallë të vazhdimësisë së heroizmit shqiptar, jo vetëm në histori, por edhe në jetën e përditshme.

Në fjalët e saj, të cilat përcjellin emocion, krenari dhe mirënjohje, znj. Ramadani u shpreh:

“Sot, në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Zvicër, patëm nderin të mirëpresim z. Hajdin Limoni nga Zhegra, e që jeton dhe punon ndershmërisht në Zvicër, heroin e këtyre ditëve, i cili me guximin, vetëmohimin dhe veprimin e tij të jashtëzakonshëm shpëtoi katër të rinj nga flakët vdekjeprurëse të një veture të aksidentuar. Falë ndërhyrjes së tij të guximshme, katër jetë të reja shpëtuan nga një rrezik që mund të përfundonte në tragjedi.”

Në shenjë respekti dhe vlerësimi të veçantë, znj. Ramadani i dhuroi Hajdin Limonit veprat kushtuar heroit kombëtar Agim Ramadani, me një mbishkrim simbolik dhe domethënës:

„Vazhdon heroizmi i shqiptarëve në Zvicër!“

Ky dedikim përçon një mesazh të fuqishëm se vlerat e trimërisë, sakrificës dhe humanizmit, të mishëruara ndër breza në historinë shqiptare, vazhdojnë të jetojnë edhe sot, përmes veprave të njerëzve të zakonshëm që, në momentet vendimtare, bëjnë gjëra të jashtëzakonshme. Duke e shpjeguar domethënien e këtij gjesti, znj. Ramadani theksoi se heroizmi nuk i përket vetëm së kaluarës, por jeton në zemrat e njerëzve që, përballë rrezikut, zgjedhin të ndihmojnë të tjerët pa menduar për pasojat që mund t’u kanosen.

Ajo, ndër të tjera, shprehu mirënjohjen e saj me fjalët:

“Faleminderit, z. Hajdin Limoni! Me veprën tuaj dëshmuat se guximi, humanizmi dhe solidariteti janë vlera që e nderojnë njeriun, familjen, kombin dhe mbarë komunitetin shqiptar në Zvicër. Ka vepra që flasin më fuqishëm se mijëra fjalë. E ju, me veprën tuaj, u bëtë shembull i gjallë i tyre.”

Një akt që nderon komunitetin shqiptar në Zvicër

Rasti i Hajdin Limonit është më shumë sesa një akt individual guximi. Ai përfaqëson një dëshmi të fuqishme të solidaritetit njerëzor dhe të përgjegjësisë qytetare, duke treguar se ndihma ndaj tjetrit nuk njeh kufij kombësie, prejardhjeje apo përkatësie. Veprimi i tij ka fituar respektin e opinionit publik zviceran dhe ka sjellë krenari të veçantë për komunitetin shqiptar, i cili ndër vite ka dëshmuar përkushtim, integritet dhe kontribut të çmuar në shoqërinë zvicerane. Takimi në Ambasadën e Kosovës në Bernë ishte një mundësi për të shprehur mirënjohje publike ndaj një qytetari që, me veprimin e tij, dëshmoi se vlerat më të larta njerëzore nuk maten me fjalë, por me veprime konkrete. Hajdin Limoni, me guximin e treguar në Wohlen, u bë shembull frymëzimi për të gjithë dhe një dëshmi se heroizmi nuk është vetëm pjesë e historisë sonë kombëtare, por edhe një realitet i gjallë që vazhdon të shkruhet çdo ditë. Sepse heronjtë nuk janë gjithmonë ata që kërkojnë të njihen. Shpesh, ata janë njerëzit që, në çastin më të vështirë, zgjedhin të shpëtojnë një jetë. Dhe pikërisht atëherë, me veprat e tyre, bëhen të pavdekshëm në kujtesën e njerëzve, transmeton Ambasada e Kosovës në Zvicër, përcjell helveticALforum.ch.

Përgatiti Dashnim HEBIBI

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

«Katërstinori» i Tonin Nikollit u përurua në Cyrih

0
Një mbrëmje letrare kushtuar poezisë, kohës dhe përjetimeve njerëzore Në ambientet e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Cyrih, më 11 tetor 2026,...