Një mbrëmje letrare kushtuar poezisë, kohës dhe përjetimeve njerëzore
Në ambientet e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Cyrih, më 11 tetor 2026, në bashkëpunim me Shoqatën e Krijuesve Shqiptarë në Zvicër (SHKSHZ), u organizua përurimi i veprës poetike «Katërstinori» të shkrimtarit Tonin Nikolli. Në praninë e krijuesve e dashamirëve të letërsisë mbrëmja u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë kulturore, duke sjellë në vëmendje poezinë si hapësirë shpirtërore.
Në emër të Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Cyrih, përgëzuam autorin për botimin e veprës së tij, duke i uruar suksese të mëtejshme në krijimtarinë letrare.
Në emër të Shoqatës së Krijuesve Shqiptarë në Zvicër, të pranishmit i përshëndeti Valdet Berisha, i cili më pas ia kaloi fjalën poetit Bujar Salihu për paraqitjen kritike të veprës.
Në fillim të fjalës së tij, Bujar Salihu përgëzoi Tonin Nikollin dhe bashkëshorten e tij, Margaritën, me rastin e 39-vjetorit të martesës. Më pas, në kumtesën e titulluar «Stina e poetit», ai paraqiti një vështrim kritik mbi veprën «Katërstinori», duke vlerësuar veçoritë e saj tematike dhe estetike. Salihu theksoi se katër stinët, përtej kuptimit të tyre natyror, shndërrohen në hapësira simbolike të përjetimeve njerëzore, të kujtesës, dashurisë dhe reflektimit mbi jetën. Ai u ndal gjithashtu te gjuha poetike, pasuria e figuracionit dhe marrëdhënia e krijimtarisë së Nikollit me traditën dhe poezinë bashkëkohore shqiptare.
Më pas, fjala iu dha autorit Tonin Nikolli, i cili falënderoi Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës dhe Shoqatën e Krijuesve Shqiptarë në Zvicër për organizimin dhe mbështetjen e kësaj mbrëmjeje. Në fjalën e tij, autori u ndal te akti krijues, te marrëdhënia e poetit me frymëzimin dhe te procesi i shndërrimit të përjetimeve në shprehje poetike.
Në pjesën e fundit të veprimtarisë u zhvillua një bashkëbisedim me autorin, gjatë të cilit të pranishmit patën mundësinë të shkëmbejnë mendime dhe të shtrojnë pyetje rreth veprës dhe krijimtarisë së tij, njofton Konsullata e Përgjithshme e Kosovës në Cyrih, përcjell helveticALforum.ch.










