Në seancën plenare të 15 tetorit pritet të shqyrtohen disa projektligje, të zgjidhen anëtarë të Bordit të BQK-së dhe të formohen komisionet për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit të RTK-së. Ndërkohë, partitë opozitare kanë ngritur shqetësime për agjendën legjislative dhe diplomacinë parlamentare.
Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë plenare të enjten, më 15 tetor, pas vendimit të Kryesisë së Kuvendit, të marrë në mbledhjen e mbajtur të hënën.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, bëri të ditur se në seancën e radhës do të shqyrtohen disa çështje me rëndësi, përfshirë projektligjin për anëtarësimin e Kosovës në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA).
Sipas saj, deputetët do të procedojnë edhe me përzgjedhjen e dy anëtarëve të Bordit Joekzekutiv të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), si dhe me formimin e komisioneve për zgjedhjen e anëtarëve të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK).
Një tjetër pikë e rëndësishme e agjendës do të jetë shqyrtimi në lexim të dytë i projektligjit për parandalimin dhe luftimin e pastrimit të parave dhe luftimin e terrorizmit.
Çitaku: Apeli në Hagë dhe Këshilli i Evropës, prioritete të diplomacisë parlamentare
Në mbledhjen e Kryesisë është diskutuar edhe agjenda e diplomacisë parlamentare. Nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, theksoi se procesi i Apelit në Hagë dhe anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës përbëjnë çështje me rëndësi të veçantë.
Ajo rikujtoi se për këto dy tema ekziston një qëndrim i shprehur edhe përmes deklaratës së miratuar nga Kuvendi.
“Një ndër pikat që diskutuam sot ishte edhe agjenda e diplomacisë parlamentare. Për PDK-në dhe krejt Kuvendin e Kosovës, siç jemi shprehur me deklaratën që kemi miratuar, dy gjëra janë të rëndësisë së veçantë: procesi i Apelit në Hagë dhe Këshilli i Evropës”, deklaroi Çitaku.
Tahiri kritikon agjendën legjislative: Mbi 60 ligje deri në fund të vitit
Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ngriti shqetësimin për numrin e madh të projektligjeve që pritet të trajtohen dhe miratohen deri në fund të vitit.
Sipas tij, agjenda legjislative përfshin më shumë se 60 ligje, një numër që, siç vlerësoi ai, kërkon planifikim dhe trajtim të kujdesshëm nga ana e deputetëve.
Tahiri e cilësoi këtë situatë si një “grumbullim të ligjeve”, duke vënë në pikëpyetje nëse një numër kaq i madh i akteve ligjore mund të trajtohet në mënyrë që të sigurojë një drejtim të qartë strategjik për vendin.
Ai theksoi gjithashtu se Kuvendi ka përgjegjësi për zbatimin e zotimit shtetëror lidhur me mbështetjen për mbrojtjen e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke kërkuar që kjo çështje të trajtohet me kujdes dhe jo me nxitim.
“Problemi thelbësor që ne si grup e kemi adresuar është që kemi një agjendë legjislative që është grumbull i ligjeve dhe këtë vit duhet diku mbi 60 ligje të kalojnë. Qysh ka mundësi këto 60 ligje në këtë kohë me prodhu një drejtim strategjik? Ky është një problem thelbësor që do të adresohet në Kuvend”, tha Tahiri.
Ai shtoi se trajtimi i çështjes së mbështetjes për ish-krerët e UÇK-së duhet të bëhet në mënyrë të përgjegjshme, duke marrë parasysh rëndësinë e zotimit të miratuar nga Kuvendi.
Seanca e së enjtes do të jetë e para plenare pas zgjedhjes së presidentit më 6 tetor, ndërsa pritet të sjellë në diskutim çështje që lidhen me agjendën legjislative, institucionet e pavarura dhe prioritetet e diplomacisë parlamentare./BS










