Prishtinë – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar një letër urimi nga kryeministri i Hungarisë, Péter Magyar, me rastin e marrjes së mandatit të ri qeverisës. Letra iu dorëzua Kurtit përmes ambasadorit hungarez, László István Dux. Në letrën e tij, kryeministri Magyar i ka shprehur Kurtit urimet më të sinqerta për zgjedhjen në krye të Qeverisë së Kosovës, duke theksuar rëndësinë e vendit në ruajtjen e stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Ne njohim rolin kyç të Kosovës në stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Andaj, jemi të bindur që një Ballkan Perëndimor prosperues ka rëndësi jetike për Hungarinë dhe mbarë kontinentin evropian”, thuhet në letrën e kryeministrit hungarez. Magyar ka rikonfirmuar gjithashtu përkushtimin e Hungarisë për sigurinë e Kosovës, si dhe mbështetjen e saj për procesin e integrimit evropian të vendit. Ai ka theksuar se Hungaria do të vazhdojë të kontribuojë në sigurinë e Kosovës përmes pjesëmarrjes së saj në misionin paqeruajtës të KFOR-it, duke shprehur gatishmërinë për të mbështetur Kosovën në rrugën drejt integrimit evropian. “Në këtë frymë, më lejoni të ritheksoj se Hungaria mbetet e përkushtuar për të kontribuuar për sigurinë e Kosovës nëpërmjet pjesëmarrjes në misionin e KFOR-it dhe për të mbështetur vendin tuaj në rrugën evropiane”, ka shkruar Magyar. Mesazhi i kryeministrit hungarez nënvizon rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, veçanërisht në fushën e sigurisë rajonale dhe perspektivës evropiane të Kosovës, transmeton rtk.









