Shtëpia ku lindi shkrimtari, diplomati dhe publicisti i njohur shqiptar, Faik Bej Konica, në fshatin Konicë të Greqisë, pritet të restaurohet pas vitesh të tëra në gjendje të amortizuar. Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Inovacionit, Blendi Gonxhe, pas takimit me homologen e tij greke, Lina Mendoni, në Prespë. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gonxhe njoftoi se punimet për restaurimin e banesës do të nisin së shpejti. Ndërkohë, Ministria e Kulturës së Greqisë ka konfirmuar se objekti është shpallur me vlerë historike dhe kulturore, ndërsa fondet për realizimin e restaurimit janë siguruar. Vendimi për restaurimin e shtëpisë vjen pas raportimeve të Euronews Albania për gjendjen e rëndë të banesës, e cila prej vitesh ishte lënë pas dore, me mure të dëmtuara dhe e mbuluar nga shkurret.
Kërkesa për restaurimin e banesës dhe kthimin e saj në muze
Për gjendjen e shtëpisë së Faik Bej Konicës kishte reaguar edhe Beqir Potka, një nga 17 filantropët shqiptarë që kontribuuan në kthimin e eshtrave të Konicës në Shqipëri. Në një prononcim për Euronews Albania, Potka kërkoi që banesa të restaurohej dhe të shndërrohej në muze, në mënyrë që të ruhej trashëgimia e një prej figurave të rëndësishme të kulturës dhe mendimit shqiptar. Ai shprehu gjithashtu gatishmërinë për të kontribuar financiarisht në këtë nismë, së bashku me miqtë e tij dhe komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Restaurimi i banesës pritet të shërbejë si një hap i rëndësishëm për ruajtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare përtej kufijve, si dhe për promovimin e jetës dhe veprës së Faik Bej Konicës.
Shqipëria dhe Greqia zgjerojnë bashkëpunimin kulturor
Gjatë takimit në Prespë, ministri Blendi Gonxhe dhe homologja greke, Lina Mendoni, diskutuan edhe për çështje të tjera që lidhen me ruajtjen dhe restaurimin e trashëgimisë kulturore. Në fokus ishte rikthimi në Shqipëri i dy objekteve arkeologjike nga Butrinti, të sekuestruara në Greqi që prej vitit 2002. Po ashtu, palët diskutuan për bashkëpunimin në restaurimin e Kishës së Shën Nikollës në Mesopotam dhe të pasurive të tjera kulturore. Bashkëpunimi mes dy vendeve përfshin gjithashtu projekte arkeologjike në Finiq, restaurimin e ikonave dhe trajnimin e restauratorëve shqiptarë në Selanik. Restaurimi i shtëpisë së Faik Bej Konicës përbën një zhvillim të rëndësishëm për ruajtjen e trashëgimisë historike shqiptare dhe hap një mundësi të re për ta kthyer këtë objekt në një pikë referimi për vizitorët dhe studiuesit e jetës e veprës së tij, transmeton euronewsal.









