Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka prezantuar sonte (19:45) një propozim të ri për zhbllokimin e procesit të zgjedhjes së presidentit të Republikës së Kosovës. Ai i ka bërë thirrje kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, që të deklarohet publikisht se i gjithë grupi parlamentar i PDK-së do të marrë pjesë në votimin për presidentin.
Kurti tha se, në rast se PDK-ja jep këtë zotim, Lëvizja Vetëvendosje do të mbështesë menjëherë edhe projektligjin për Gjykatën Speciale në lexim të dytë, pavarësisht debatit për afatin prej 72 orësh ndërmjet dy mocioneve.
Sipas tij, propozimi i ri parasheh mbajtjen e një seance të Kuvendit me vetëm dy pika të rendit të ditës: votimin e projektligjit për Gjykatën Speciale në lexim të dytë dhe zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës.
“Meqë nuk po mund të arrij ta takoj kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, le të dalë publikisht sonte dhe të zotohet që i gjithë grupi parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës merr pjesë me votë në zgjedhjen për president”, tha Kurti.
Ai shtoi se, pas një zotimi të tillë, deputetët e Vetëvendosjes do të mbështesin paraprakisht projektligjin për Gjykatën Speciale.
“Ne ua votojmë projektligjin për Gjykatën Speciale paraprakisht, e mandej sonte menjëherë votimi për president”, deklaroi Kurti.
Kryeministri përmendi edhe emrat që, sipas tij, mbeten në dispozicion për postin e presidentit. Përveç profesorit Bekim Sadiku, të cilin Kurti tha se PDK-ja e kishte refuzuar si propozim, ai përmendi edhe kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufcën, dhe Feride Rushiti.
Kurti tha se këta dy emra janë ende aktualë nëse ekziston interesimi i partive opozitare për të mbështetur një kandidat për president.
“Përveç tij, natyrisht i kemi edhe dy emra të cilët në këtë vit i kemi prezantuar si kandidatë për president: Glauk Konjufca dhe Feride Rushiti, e të cilët po ashtu janë aktualë nëse ka interesim nga opozita”, tha ai.
Në fund, Kurti përsëriti kërkesën që Bedri Hamza të deklarohet publikisht dhe të garantojë se të gjithë deputetët e PDK-së do të marrin pjesë në votimin për president.
Sipas propozimit të tij, nëse ky zotim bëhet sonte, Kuvendi do të mund të mblidhet me dy pika: miratimin e projektligjit për Gjykatën Speciale në lexim të dytë dhe zgjedhjen e presidentit të ri të Republikës së Kosovës, transmeton rtk.










