Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, u ka bërë thirrje deputetëve që të rikthehen në sallën e Kuvendit dhe ta përfundojnë votimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, i cili në lexim të parë ka marrë mbështetjen e 91 deputetëve.
Në një konferencë për media, Haradinaj ka kritikuar ashpër qasjen e kryeministrit Albin Kurti ndaj këtij procesi, duke e akuzuar atë për kushtëzime dhe zvarritje të votimit.
Haradinaj tha se mënyra se si po trajtohet kjo çështje nga Kurti nuk është në interes të vendit.
“Sjellja e tillë e Kurtit, edhe loja e tij, edhe me nervat e njerëzve, me këto kushtëzimet e tij për këtë ligj, nuk ka asgjë morale në këtë që po bën ai, as kombëtare, po as njerëzore”, deklaroi Haradinaj.
Sipas tij, Ligji për Specialen nuk mund të konsiderohet si çështje e një partie të vetme politike, pasi për të kanë votuar 91 deputetë në leximin e parë.
Ai theksoi se në mesin e deputetëve që e kanë mbështetur ligjin janë edhe përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje dhe deputetë të komuniteteve.
“Nuk është vetëm i një partie politike, mos harroni, ky ligj është i të gjithë neve që e kemi votuar”, u shpreh Haradinaj.
Deputeti i AAK-së u bëri thirrje kolegëve të tij që të rikthehen në sallën e Kuvendit dhe të mos lejojnë që procesi të mbetet i bllokuar.
Haradinaj kërkoi që deputetët ta përfundojnë procedurën parlamentare dhe ta hedhin në votim Ligjin për Specialen, duke e konsideruar këtë si përgjegjësi të Kuvendit.
Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur procesi i votimit të ligjit është përfshirë në përplasjet politike mes partive, ndërsa çështja është lidhur edhe me diskutimet për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, transmeton rtk.










