Qyteti i gurtë vijon të tërheqë turistë vendas dhe të huaj edhe gjatë muajit tetor. Arkitektura karakteristike, historia dhe trashëgimia kulturore e bëjnë Gjirokastrën një destinacion të vizitueshëm gjatë gjithë vitit.
GJIROKASTËR – Muaji tetor e gjen Gjirokastrën sërish mes destinacioneve të preferuara nga turistët vendas dhe të huaj. Edhe pse sezoni veror ka përfunduar, rrugicat e gurta të qytetit, Pazari karakteristik dhe Kalaja vijojnë të presin vizitorë nga vende të ndryshme. Për shumë turistë, vjeshta është një periudhë ideale për të zbuluar qytetin, pasi temperaturat janë më të buta dhe atmosfera më e qetë, larg fluksit të muajve të verës.
“Gjirokastra na ka pëlqyer shumë. Është një qytet me histori të pasur dhe me një arkitekturë të veçantë. Kemi shëtitur në rrugicat e pazarit dhe kemi shijuar atmosferën unike që ofron qyteti”, shprehet një turiste. Përveç historisë dhe arkitekturës, turistët vlerësojnë edhe monumentet kryesore të qytetit, mes tyre Kalanë e Gjirokastrës, banesat tradicionale dhe Pazarin e Vjetër.
“Kemi ardhur në Gjirokastër për të kaluar disa ditë pushimi dhe qyteti na ka surprizuar pozitivisht. Kalaja, pazari karakteristik dhe shtëpitë tradicionale janë atraksione që vështirë se i gjen diku tjetër. Është një destinacion që ia vlen patjetër të vizitohet”, tregon një tjetër vizitore.
Në fokusin e turistëve është edhe autenticiteti i Gjirokastrës dhe mikpritja e banorëve. Për ta, pikërisht ruajtja e traditës dhe karakterit të qytetit e bëjnë këtë destinacion të veçantë.
“Qyteti është autentik dhe njerëzit janë mikpritës. Kemi zgjedhur këtë periudhë për ta vizituar sepse është një kohë më e qetë dhe po e shijojmë vërtet qëndrimin këtu”, shprehet një tjetër turiste. Me temperaturat e buta të vjeshtës dhe interesin e vazhdueshëm të vizitorëve, Gjirokastra vijon të jetë një prej destinacioneve të rëndësishme të turizmit kulturor në Shqipëri. Muaji tetor sjell një ritëm më të qetë turistik, por jo më pak interes për qytetin e gurtë. Rrugicat, banesat karakteristike, Pazari dhe Kalaja vijojnë ta mbajnë Gjirokastrën në vëmendjen e turistëve edhe jashtë sezonit të verës./E. Domeri, transmeton rtsh.










