BallinaAtdheuKurti dhe Hamza takohen për Presidentin, PDK: Fillimisht të miratohet ligji

Kurti dhe Hamza takohen për Presidentin, PDK: Fillimisht të miratohet ligji

-

Takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka përfunduar pas rreth dy orësh e gjysmë. Në fokus të bisedimeve ishte gjetja e një zgjidhjeje për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, ndërsa afati kushtetues për përfundimin e këtij procesi skadon më 6 tetor.

Pas takimit, kreu i PDK-së, Bedri Hamza, tha se partia e tij është e gatshme të diskutojë dhe të gjejë zgjidhje për Presidentin, por vetëm pasi të përfundojë procesi i miratimit të ligjit që kërkon PDK-ja.

“Vazhdimisht po e them, kërkesa e PDK-së është aprovimi final i ligjit. Pastaj, PDK-ja është e gatshme në të njëjtën ditë, në seancën e radhës, të bisedojë e të gjejë zgjidhjen për presidentin dhe t’i japë votat për presidentin”, deklaroi Hamza pas takimit.

Ai tha se diskutimet tashmë janë zhvilluar dhe se mbeten edhe disa ditë për të arritur një marrëveshje.

“Bisedat i kemi përfunduar. Janë edhe disa ditë ku kemi mundësi të arrijmë marrëveshje. Nuk e di a do të ndodhë marrëveshja, por kjo është kërkesa jonë”, tha Hamza.

PDK këmbëngul për miratimin e ligjit

Qëndrimi i PDK-së ishte bërë i qartë edhe para takimit me kryeministrin Kurti. Hamza kishte deklaruar se procesi i miratimit të ligjit duhet të përfundojë në të gjitha fazat parlamentare, përfshirë dy leximet dhe komisionet përkatëse.

“Fillimisht duhet të aprovohet ligji dhe po e ritheksoj, të aprovohet në të gjitha nivelet, në dy leximet dhe në të gjitha komisionet”, kishte thënë Hamza.

Sipas tij, pas përfundimit të këtij procesi, PDK-ja është e gatshme të diskutojë për zgjedhjen e Presidentit.

“Ne jemi të hapur që të bisedojmë për çështjen e presidentit. Ne besojmë që ligji duhet të aprovohet, vendi duhet të ketë president, e më pas të kthehemi në obligimet tona si deputetë”, u shpreh ai.

Kurti zhvilloi takime me liderët opozitarë

Takimi me Hamzën ishte pjesë e një serie takimesh të kryeministrit Albin Kurti me liderët e partive kryesore opozitare.

Kurti fillimisht u takua me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në Kuvendin e Kosovës. Më pas, ai zhvilloi takimin me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, në ndërtesën e Qeverisë.

Takimet po zhvillohen në kuadër të përpjekjeve politike për të gjetur një zgjidhje për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, ndërsa afati kushtetues për zgjedhjen e kreut të shtetit përfundon më 6 tetor.

Pas takimit, Hamza nuk dha detaje për ndonjë marrëveshje të arritur me Kurtin, por përsëriti se PDK-ja mbetet e gatshme për të diskutuar për Presidentin nëse paraprakisht përmbushet kërkesa e saj për miratimin e ligjit.

Ditët në vijim pritet të jenë vendimtare për zhvillimet politike rreth këtij procesi./BS

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Zulfaj takohet me eurodeputetin Tonino Picula në Bruksel, në fokus integrimi...

0
Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian zhvilloi një takim në Parlamentin Evropian, ku diskutoi për statusin e vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për...