BallinaEKSKLUZIVEBashkatdhetari Ajdin Limoni u fut në makinën që po digjej dhe shpëtoi...

Bashkatdhetari Ajdin Limoni u fut në makinën që po digjej dhe shpëtoi katër të rinj në Wohlen të Zvicrës

-

“Më ndihmo, po vdes!” – kjo ishte thirrja që dëgjoi Ajdin Limoni në momentin kur iu afrua një automjeti që ishte përfshirë tërësisht nga flakët në Wohlen të kantonit Aargau. 53-vjeçari shqiptar, së bashku me disa persona të tjerë që ndodheshin në vendngjarje, u angazhua për të nxjerrë katër të rinjtë nga makina e aksidentuar, transmeton 20min.ch.

Ngjarja ka ndodhur të mërkurën rreth orës 20:45 në rrugën Alten Bremgarterstrasse në Wohlen. Një Fiat Punto, në të cilin ndodheshin katër persona të moshës 17 deri në 21 vjeç, për arsye që ende nuk janë bërë të ditura, ka dalë nga rruga në një kthesë dhe është përplasur me një pemë. Menjëherë pas përplasjes, automjeti është përfshirë nga zjarri.

Limoni pa flakët dhe u nis drejt makinës

Ajdin Limoni ishte duke u kthyer në shtëpi kur pa një dritë të fortë në distancë. Fillimisht mendoi se mund të ishte një shkurre që po digjej, por kur iu afrua kuptoi se bëhej fjalë për një aksident të rëndë. Në vendngjarje kishte mbërritur edhe një numër kalimtarësh. Sipas Limoni, disa prej tyre qëndronin dhe shikonin automjetin që digjej.

“Çfarë po prisni? Ndihmojini!”, u ka bërë thirrje ai personave që ndodheshin aty. Pa u menduar gjatë, 53-vjeçari shqiptar është afruar te automjeti.

“Flakët ishin të paktën tre metra të larta”, ka treguar ai për “20 Minuten”, duke kujtuar momentet dramatike.

“Më ndihmo, po vdes!”

Kur hapi derën e automjetit, Limoni pa tre persona pa ndjenja. Një vajzë e re ishte ende e vetëdijshme dhe kërkonte ndihmë.

“Më ndihmo, më ndihmo, po vdes, më ndihmo!”, ka qenë thirrja e saj.

Limoni thotë se ajo zë i ka mbetur në kujtesë.

“Ishte një zë që nuk do ta harroj kurrë”, ka treguar ai.

Të katër personat ishin të bllokuar në automjet. Për t’i nxjerrë prej tij, Limoni u kërkoi personave të tjerë që të gjenin një thikë me të cilën të priteshin rripat e sigurimit.

Ai u bëri thirrje ndihmësve që të largonin të plagosurit sa më shpejt nga automjeti, pasi rreziku nga flakët ishte jashtëzakonisht i madh.

U dogj edhe vetë gjatë shpëtimit

Në përpjekje për të shpëtuar të rinjtë, Limoni pësoi djegie në duar dhe në ballë. Lëndimet e tij u trajtuan në spital.

“Nuk mendova. Doja vetëm të ndihmoja dhe të shpëtoja”, ka deklaruar ai.

Pavarësisht lëndimeve, 53-vjeçari thotë se ndihet mirë duke menduar se mund të ketë ndihmuar në shpëtimin e jetëve.

“Kur mendoj se kam mundur të shpëtoj njerëz, ndihem relativisht mirë”, është shprehur ai.

Thirrja e tij: “Ndaloni dhe shikoni nëse dikush ka nevojë për ndihmë”

Pas ngjarjes, Limoni ka përcjellë edhe një mesazh për të gjithë ata që mund të përballen me një aksident rrugor.

Ai u ka bërë thirrje drejtuesve të automjeteve dhe kalimtarëve që të mos kalojnë indiferentë pranë një vendi aksidenti.

“Ndaloni! Thjesht ndaloni. Edhe nëse krijohet kolonë. Shikoni nëse ka njerëz që kanë nevojë për ndihmën tuaj”, ka thënë ai.

Katër të rinjtë përfunduan në spital

Sipas Policisë Kantonale të Aargaut, në Fiat ndodheshin katër shtetas italianë me banim në Zvicër: një vajzë 17-vjeçare dhe tre të rinj, 17, 18 dhe 21 vjeç.

Falë ndërhyrjes së disa personave të parë në vendngjarje, të katër të plagosurit u nxorën nga automjeti para se situata të bëhej edhe më e rrezikshme.

Dy prej tyre pësuan lëndime shumë të rënda dhe u transportuan me helikopterë të Rega-s në spitalet universitare të Bazelit dhe Cyrihut. Dy të tjerët u dërguan me ambulanca në spitale, me lëndime të përshkruara si të mesme deri të rënda. Policia ishte njoftuar fillimisht për aksidentin përmes sinjalizimit automatik të një telefoni celular. Shkaqet e sakta të aksidentit ende janë duke u hetuar. Në një moment kur flakët kishin përfshirë të gjithë automjetin, Ajdin Limoni nuk zgjodhi të qëndronte spektator. Ai iu afrua makinës, rrezikoi veten dhe u bë pjesë e përpjekjes për të shpëtuar katër jetë, transmeton 20min.ch, përcjell helveticALforum.ch.

(Foto ilustrim)

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Presidenti grek rihap plagët e Çamërisë. Kërkohet reagim nga Tirana zyrtare

0
Presidenti i Greqisë, Konstantinos Tasoulas, ka rikthyer në vëmendje çështjen e Çamërisë gjatë një ceremonie përkujtimore në Paramithi, ku u përkujtuan 49 viktima të...