Mijëra qytetarë janë mbledhur sot në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në protestën e organizuar nga platforma qytetare “Liria ka Emër”, nën moton “Jo në emrin tim”, kundër aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Protesta, e cila u zhvillua në një atmosferë të qetë, bashkoi qytetarë nga qytete të ndryshme të Kosovës, përfaqësues të organizatave të dala nga lufta, familjarë të dëshmorëve, figura publike dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Pjesëmarrësit shprehën kundërshtimin e tyre ndaj aktgjykimit dhe kërkuan drejtësi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, të dënuar nga Dhomat e Specializuara. Mesazhi kryesor i protestës ishte “Jo në emrin tim”, ndërsa organizatorët theksuan se tubimi nuk ishte i lidhur me parti politike, por me qëndrimin e qytetarëve ndaj zhvillimeve që lidhen me proceset gjyqësore në Hagë.
Haziri: “Rini e Kosovës, hallall ju qoftë gjaku i babës tem”
Një prej fjalimeve që mori vëmendje ishte ai i Çlirim Hazirit, djalit të dëshmorit Xhavit Haziri dhe njërit prej organizatorëve të protestave.
Duke iu drejtuar të rinjve të mbledhur në shesh, Haziri tha se brezi i ri është rritur në liri dhe se pikërisht kjo liri duhet t’i japë guxim për të reaguar ndaj asaj që e konsideron padrejtësi.
“Rini e Kosovës, hallall ju qoftë gjaku i babës tem”, tha Haziri, duke iu referuar sakrificës së babait të tij, i cili ende figuron si person i zhdukur.
Ai tha se nuk kishte pasur mundësi ta pyeste babain se çfarë do të bënte në një situatë kur, sipas tij, cenohej dinjiteti i Kosovës, por shtoi se mungesa e tij dhe liria në të cilën është rritur i kanë dhënë përgjigjen.
Haziri kërkoi që proceset në Hagë të trajtohen mbi bazën e provave, ligjit dhe standardeve të drejta.
Nasim Haradinaj: “Na ktheni besimin”
Para protestuesve foli edhe ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj, i cili u bëri thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës për bashkim dhe përgjegjësi.
Haradinaj tha se secili deputet duhet të mbajë përgjegjësinë e tij dhe kërkoi që institucionet të jenë të bashkuara përballë kësaj çështjeje.
Mesazhin e tij e drejtoi edhe ndaj ndërkombëtarëve, duke rikujtuar mbështetjen që, sipas tij, i ishte dhënë luftës së UÇK-së.
“Na keni tradhtuar dhe na ktheni besimin!”, deklaroi Haradinaj.
“Pa UÇK-në nuk do të bëheshim shtet”
Në protestë foli edhe Muhamet Mavraj, një nga ish-liderët studentorë të protestave të vitit 1997.
Ai kujtoi rezistencën studentore dhe kontributin e arsimit shqip, duke e lidhur atë me rrugën drejt çlirimit dhe shtetësisë së Kosovës.
“Pa arsimin shqiptar dhe pa UÇK-në kurrë s’do të bëheshim shtet”, tha Mavraj, duke theksuar se në momente të rëndësishme shoqëria kishte tejkaluar dallimet politike dhe ishte bashkuar rreth çështjeve që i konsideronte të përbashkëta.
Vajza e Lec Gradicës: “Duam drejtësi për familjet tona”
Në protestë foli edhe Lavdije Leci, vajza e doktor Lec Gradicës.
Ajo kërkoi drejtësi për ish-krerët e UÇK-së dhe familjet e tyre, duke e cilësuar luftën e UÇK-së si luftë për liri.
“Duam drejtësi për familjet tona, duam drejtësi për çlirimtarët”, deklaroi Leci.
Sipas saj, çmimi i paguar nga populli i Kosovës për lirinë vazhdon të ndihet edhe sot.
Syla: “Liria e Kosovës nuk është njollë për t’u fshirë”
Përfaqësuesi i OVL-UÇK-së, Gazmend Syla, tha se protestuesit nuk kërkojnë favore, por drejtësi.
“Liria e Kosovës nuk është njollë për t’u fshirë, por monument për t’u nderuar”, u shpreh Syla.
Ai shtoi se çdo përpjekje për ta njollosur atë, sipas tij, prek themelet e paqes dhe dinjitetit njerëzor.
“Jo në emrin tonë”
Përfaqësuesi i platformës “Liria ka Emër”, Ismail Tasholli, tha se qytetarët janë mbledhur për të përcjellë një mesazh që, sipas tij, tejkalon përkatësitë partiake.
“Nuk jemi bërë bashkë për shkak të partive politike, sot jemi bërë bashkë për ju. Sepse varri i dëshmorit nuk ka parti politike dhe liria nuk ka parti politike”, tha Tasholli.
Ai rikujtoi protestat studentore dhe tubimet e viteve të mëparshme në sheshin “Skënderbeu”, duke e lidhur simbolikën e sheshit me angazhimin qytetar dhe politik të brezave të ndryshëm.
Në përmbyllje të protestës, organizatorët përsëritën mesazhin e tubimit: “Jo në emrin tonë”.
Platforma “Liria ka Emër” ka paralajmëruar vazhdimin e protestave edhe në ditët në vijim, ndërsa u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të shqyrtojnë dhe procedojnë ndryshimet e propozuara në Ligjin për Dhomat e Specializuara.Protesta përfundoi pa incidente, ndërsa qytetarët u shpërndanë nga sheshi pas përfundimit të fjalimeve dhe programit të organizuar nga platforma qytetare, transmeton rtk.










