BallinaAtdheuBQK mirëpret hapin e Qeverisë për SEPA-n

BQK mirëpret hapin e Qeverisë për SEPA-n

-

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka mirëpritur miratimin nga Qeveria dhe procedimin në Kuvend të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm drejt aplikimit të Kosovës në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA). Sipas BQK-së, miratimi i ndryshimeve ligjore nga Kuvendi dhe hyrja e tyre në fuqi do t’i hapnin rrugë institucionit që, pas përmbushjes së kërkesave të mbetura rregullative, të procedojë me aplikimin final për përfshirjen e Kosovës në shtrirjen gjeografike të SEPA-s.

BQK ka bërë të ditur se tashmë ka përfunduar pjesën kryesore të përgatitjeve institucionale, ligjore, rregullative dhe teknike që lidhen me këtë proces.

Në kuadër të zbatimit të Ligjit të ri për Shërbimet e Pagesave dhe përafrimit me kornizën e Bashkimit Evropian, Banka Qendrore thotë se ka miratuar mbi 20 rregullore dhe akte të tjera rregullative.

Pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve në legjislacionin për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit, BQK planifikon të miratojë edhe dy rregulloret e fundit që lidhen me kërkesat për SEPA.

Me këtë, sipas institucionit, do të kompletohej korniza rregullative e nevojshme për aplikimin e Kosovës.

Mbi 55 milionë euro kursime në vit

Përfshirja e Kosovës në SEPA, sipas vlerësimeve të prezantuara nga BQK, pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë te qytetarët dhe bizneset përmes uljes së kostove të pagesave ndërkufitare.

BQK vlerëson se kursimet nga ulja e këtyre kostove mund të tejkalojnë 55 milionë euro në vit.

Përfitues të drejtpërdrejtë pritet të jenë veçanërisht qytetarët që pranojnë remitanca nga jashtë, por edhe bizneset, eksportuesit dhe importuesit.

Njëkohësisht, pagesat në euro ndërmjet Kosovës dhe vendeve të zonës SEPA pritet të realizohen më shpejt, me efikasitet më të madh dhe me kosto më të ulët.

SEPA dhe TIPS Clone, dy reformat kryesore të pagesave

BQK ka theksuar se SEPA, së bashku me zhvillimin e sistemit të pagesave të shpejta TIPS Clone, përbëjnë dy nga reformat kryesore në modernizimin e infrastrukturës financiare dhe të pagesave në Kosovë. Sipas Bankës Qendrore, këto procese synojnë të krijojnë bazën për një sistem modern pagesash, interoperabil dhe të përafruar me standardet dhe infrastrukturën evropiane.

Përmes reformave synohet jo vetëm ulja e kostove dhe rritja e shpejtësisë së pagesave, por edhe forcimi i konkurrencës dhe inovacionit në sektorin financiar.

BQK pret që zhvillimet e reja të ndikojnë gjithashtu në rritjen e përfshirjes financiare dhe në krijimin e kushteve që qytetarët dhe bizneset kosovare të kenë qasje në shërbime pagesash gjithnjë e më të krahasueshme me ato të tregut evropian.

Banka Qendrore ka vlerësuar bashkëpunimin ndërinstitucional në avancimin e procesit, duke theksuar se pret përfundimin e hapave të mbetur ligjorë për të proceduar më pas me aplikimin për SEPA.

“BQK mbetet plotësisht e angazhuar që, në koordinim me institucionet vendore, sektorin financiar dhe partnerët evropianë, të avancojë reformat që mundësojnë integrimin e mëtejshëm të sistemit financiar të Kosovës në tregun dhe infrastrukturën financiare evropiane”, thuhet në njoftim./BS

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Begaj pret Ursula von der Leyen: Integrimi në BE, objektivi strategjik...

0
Presidenti i vendit Bajram Begaj ka pritur presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ku i ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen ndaj Shqipërisë...