Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, gjatë vizitës në selinë globale të Bloomberg në New York, ka zhvilluar diskutime mbi zhvillimet gjeoekonomike, teknologjinë dhe ndikimin e inteligjencës artificiale dhe të të dhënave të mëdha në ekonominë globale.
Sipas njoftimit të Komunës së Prishtinës, gjatë takimeve është diskutuar edhe për mundësitë që teknologjia dhe inovacioni mund t’u ofrojnë qyteteve dhe ekonomive në zhvillim.
Në këtë kuadër, Rama ka prezantuar potencialin e kryeqytetit të Kosovës, duke vënë theks të veçantë te popullsia e re dhe sektori i teknologjisë. Sipas Komunës, Prishtina ka një bazë të re demografike dhe potencial për zhvillimin e mëtejshëm të teknologjisë dhe inovacionit.
Gjatë vizitës në Bloomberg, Rama ka paraqitur gjithashtu ambicien për forcimin e lidhjeve të Prishtinës me ekonominë globale, kompanitë teknologjike dhe mundësitë ndërkombëtare.
Diskutimet janë zhvilluar në një kohë kur inteligjenca artificiale, të dhënat e mëdha dhe transformimi digjital po ndikojnë gjithnjë e më shumë në mënyrën se si funksionojnë ekonomitë dhe qytetet në mbarë botën.
Vizita e Ramës në New York është pjesë e aktiviteteve të tij që lidhen me zhvillimet ekonomike dhe teknologjike, me fokus në mundësitë për integrimin e Prishtinës në rrjetet globale të inovacionit dhe ekonomisë.
Komuna e Prishtinës ka bërë të ditur se përmes këtyre kontakteve synohet që kryeqyteti të prezantohet në arenën ndërkombëtare dhe të krijohen mundësi të reja bashkëpunimi në fushën e teknologjisë, inovacionit dhe zhvillimit ekonomik, transmeton rtk.










