Zagreb, 27 shtator 2026 – Parku Zrinjevac në Zagreb u kthye të dielën në një hapësirë festive të kulturave dhe traditave të ndryshme, ku u zhvillua “Dita e Pakicave Kombëtare të Qytetit të Zagrebit”, një manifestim tradicional që mbledh çdo vit komunitetet e pakicave kombëtare që jetojnë në kryeqytetin kroat, transmeton helveticALforum.ch.

Në këtë aktivitet, komuniteti shqiptar u përfaqësua nga Këshilli i Pakicës Kombëtare Shqiptare të Qytetit të Zagrebit, i cili para vizitorëve prezantoi pjesë të pasurisë kulturore, traditës dhe trashëgimisë shqiptare. Në programin kulturor dhe folklorik morën pjesë edhe anëtarë të Shoqatës Kulturore Shqiptare në Kroaci “Shkëndija”.

Përmes paraqitjeve të tyre, ata kontribuuan në atmosferën festive dhe në larmishmërinë e programit, duke sjellë në skenë elemente të kulturës dhe folklorit shqiptar. Një vëmendje të veçantë mori edhe prezantimi i veshjeve tradicionale shqiptare, të cilat përmes ngjyrave, motiveve dhe elementeve karakteristike përcollën një pjesë të trashëgimisë kulturore shqiptare para qytetarëve dhe vizitorëve të shumtë.

Një festë e diversitetit kulturor
“Dita e Pakicave Kombëtare të Qytetit të Zagrebit” shërben si një mundësi për komunitetet e ndryshme që të prezantojnë identitetin e tyre kulturor, por edhe për qytetarët që të njihen më nga afër me traditat e njëri-tjetrit.

Manifestime të tilla krijojnë hapësira për takime, bashkëbisedim dhe shoqërim mes komuniteteve, duke promovuar vlerat e bashkëjetesës, mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë. Pjesëmarrja e komunitetit shqiptar në këtë aktivitet dëshmon për rolin e tij në jetën kulturore të Zagrebit.

Përmes ruajtjes së gjuhës, traditave, zakoneve, muzikës, folklorit dhe veshjeve tradicionale, shqiptarët kontribuojnë në mozaikun kulturor të kryeqytetit kroat. Manifestimi në Zrinjevac përcolli kështu një mesazh të qartë: diversiteti kulturor është pjesë e identitetit të Zagrebit dhe bashkëjetesa e komuniteteve e pasuron jetën e qytetit, njofton Këshilli i Pakicës Kombëtare Shqiptare të Qytetit të Zagrebi, transmeton helveticALforum.ch.










