Paris – Papa Leone XIV ka vijuar vizitën e tij apostolike në Francë, ku në ditën e dytë të qëndrimit zhvilloi një sërë takimesh në Paris, përpara se të udhëtonte drejt Lourdes, një prej qendrave më të rëndësishme të pelegrinazhit katolik.
Gjatë paradites, kreu i Kishës Katolike vizitoi qendrën “Maison Bakhita”, ku u takua me komunitetin e migrantëve dhe me personat që angazhohen për pritjen dhe integrimin e tyre. Qendra, e themeluar në vitin 2018 nga Kryedioqeza e Parisit, mban emrin e Shën Bakhitës, ish-skllaves sudaneze e cila më vonë u shpall shenjtore.
Gjatë takimit, Papa Leone XIV vlerësoi punën e qendrës dhe theksoi rëndësinë e krijimit të hapësirave ku njerëzit mund të gjejnë mbështetje, besim dhe shpresë.
“Askush nuk është aq i varfër sa të mos ketë diçka për të dhënë; askush nuk është aq i pasur sa të mos ketë diçka për të marrë”, tha Papa.
Papa takon katekumënët
Më pas, Leone XIV u takua me katekumënët në Institutin Katolik të Parisit, të rritur dhe të rinj që po përgatiten për sakramentin e pagëzimit.
Papa u shpreh i befasuar nga numri i njerëzve që po i afrohen besimit dhe veçanërisht nga rritja e numrit të të rriturve që kërkojnë sakramentet e inicimit të krishterë.
Sipas të dhënave të Konferencës Ipeshkvnore Franceze, gjatë Pashkëve të këtij viti në Francë u pagëzuan 21,386 katekumënë, prej tyre 13,234 të rritur dhe 8,152 adoleshentë.
Numri i përgjithshëm shënoi rritje prej rreth 20 për qind krahasuar me vitin 2025. Te të rriturit rritja ishte rreth 28 për qind, ndërsa te adoleshentët rreth 10 për qind.
Duke iu referuar këtyre shifrave, Papa u bëri thirrje komuniteteve katolike që këtë afrim të ri me besimin ta shoqërojnë me formim të përshtatshëm shpirtëror.
Rreth 700 mijë besimtarë në Place de la Concorde
Momenti kryesor i programit në Paris ishte mesha e kremtuar në Place de la Concorde, ku sipas të dhënave të publikuara morën pjesë rreth 700 mijë besimtarë.
Turma të mëdha besimtarësh e pritën Papën përgjatë Champs-Élysées, ndërsa në sheshin e ceremonisë u panë flamuj dhe u dëgjuan himne fetare.
Gjatë meshës, Leone XIV iu drejtua në veçanti të rinjve, duke i cilësuar ata si pjesë të rëndësishme të jetës së Kishës.
“Ju jeni Kisha e sotme”, u tha Papa të rinjve, duke vlerësuar energjinë dhe entuziazmin e tyre.
Në fjalën e tij, ai bëri thirrje që besimi të mos mbetet vetëm çështje private, por të shndërrohet në burim shprese për shoqërinë.
“Mos e mbani besimin në Jezu Krishtin vetëm për veten tuaj, por lëreni të rrjedhë për të ushqyer dhe mbushur me shpresë njerëzit që takoni”, tha Leone XIV.
Nga Parisi drejt Lourdes
Pas përfundimit të programit në Paris, Papa Leone XIV u nis drejt Lourdes, ku do të vizitojë shenjtëroren e famshme mariane dhe do të drejtojë lutjen pranë shpellës së Massabielle.
Lourdes është një prej vendeve më të rëndësishme të pelegrinazhit katolik. Sipas traditës së Kishës Katolike, Shën Bernadeta Soubirous përjetoi aty shfaqjet e Virgjëreshës Mari në vitin 1858.
Vizita në Lourdes përbën një prej momenteve kryesore të udhëtimit apostolik të Papës në Francë.
Figura të njohura në ceremoninë e Parisit
Në ceremoninë në Paris morën pjesë edhe një numër figurash të njohura të jetës politike franceze, mes tyre ish-presidenti Nicolas Sarkozy, presidenti i republikanëve Bruno Retailleau, presidentja e rajonit Île-de-France Valérie Pécresse, ish-kryeministri François Fillon, Gabriel Attal, Dominique de Villepin dhe Eric Zemmour.
Sipas programit të njoftuar, në aktivitetet e vizitës ishin parashikuar edhe ish-kryeministri Édouard Philippe, Marine Le Pen dhe kryeministri aktual Sébastien Lecornu.
Presidenti francez Emmanuel Macron nuk mori pjesë në meshën e zhvilluar nga Papa, pasi Presidenca franceze kishte njoftuar më herët se ai nuk do të ishte i pranishëm në meshë gjatë kësaj vizite.
Vizita e Leone XIV në Francë vijon me programin në Lourdes, ku vëmendja do të përqendrohet te tradita e pelegrinazhit dhe lutja në një prej vendeve më të njohura të botës katolike, transmeton TCH.










