Përgatiti Dashnim HEBIBI
Opfikon, 26 shtator 2026 – Edhe kjo e shtunë ka qenë ditë pune për shefin e Konsullatës së Përgjithshme të Kosovës në Cyrih, Vigan Berisha, i cili të shtunën ishte në mesin e mërgimtarëve shqiptarë në Opfikon, në një aktivitet ku gastronomia, kultura dhe tradita u bashkuan në një festë të përbashkët. Berisha mori pjesë në Festivalin e 11-të të Ushqimit, aktivitet i cili mbledh komunitete të ndryshme dhe u jep mundësi atyre të prezantojnë kulturën, traditat dhe specialitetet e tyre. Në kuadër të festivalit, vëmendje të veçantë pati edhe prezantimi i komunitetit shqiptar, ku u ekspozuan gatime tradicionale nga Shqipëria dhe Kosova. Krahas gastronomisë, një pjesë e rëndësishme e aktivitetit ishte edhe promovimi i kulturës shqiptare përmes veprimtarisë së shoqërive dhe ansambleve kulturo-artistike. Në Opfikon u prezantuan aktivitetet e Ansamblit “Vatra” nga Bülach, i cili përmes këngëve, valleve dhe traditës shqiptare kontribuon në ruajtjen e identitetit kulturor të mërgatës.
Vigan Berisha: Tradita jonë ruhet dhe përcillet nga brezi në brez
Duke folur për pjesëmarrjen në këtë aktivitet, shefi i Konsullatës së Përgjithshme të Kosovës në Cyrih, Vigan Berisha, vlerësoi angazhimin e mërgatës shqiptare në ruajtjen dhe promovimin e traditave kombëtare.
“Sot, në Opfikon, morëm pjesë në Festivalin e 11-të të Ushqimit, një aktivitet i cili sjell së bashku gastronominë, kulturën dhe traditat e komuniteteve të ndryshme”, u shpreh Berisha. Ai theksoi se prezantimi i gastronomisë shqiptare dhe aktivitetet kulturore të ansambleve janë një mundësi e rëndësishme për ta prezantuar identitetin shqiptar para një audience të gjerë në Zvicër.
“Vizituam prezantimin e specialiteteve shqiptare, me gatime tradicionale nga Shqipëria dhe Kosova, si dhe u njohëm me aktivitetet kulturore të Ansamblit ‘Vatra’, nga Bülach”, tha ai. Sipas Berishës, aktivitete të tilla kanë rëndësi të veçantë për komunitetin shqiptar, pasi krijojnë hapësira ku tradita jo vetëm prezantohet para të tjerëve, por edhe ruhet e përcillet te gjeneratat e reja.
“Falënderojmë organizatorët për këtë aktivitet dhe për hapësirën e krijuar për promovimin e kulturës, traditës dhe trashëgimisë shqiptare në Zvicër. Është një mundësi e mirë për të prezantuar vlerat tona kulturore dhe gastronomike para një audience të gjerë në komunitet”, deklaroi Berisha.Pjesëmarrja e përfaqësuesve institucionalë në aktivitete të tilla shihet si një mbështetje për shoqatat dhe ansamblet shqiptare që, përmes punës së tyre të vazhdueshme, kontribuojnë në ruajtjen e gjuhës, kulturës, muzikës, valleve dhe traditave shqiptare në Zvicër. Për mërgatën, këto aktivitete mbeten edhe një mënyrë për të afruar brezat e rinj me rrënjët e tyre dhe për ta mbajtur të gjallë identitetin shqiptar larg vendlindjes, transmeton helveticALforum.ch.










