Nga: Hassane Yarti – Marok & Spanjë
Sot, përkulem nën peshën e gjuhës sime arabisht e cila më rri në kraharor si një gur i rëndë. Dhe nëse vetë arabishtja po kërkon vendin e saj në një botë që flet me një zë tjetër, si mund ta përdor atë për të ndërtuar një urë drejt atyre që nuk munden ta dëgjojnë? Megjithatë, duhet të flas. Duhet t’i tregoj tjetrit për ekzistencën time si një maroken që jeton mes dy gjuhësh, të cilat nuk takohen askund, përveçse në gjoksin e tij të rënduar. Arratisja në cilindo drejtim është mërgim; heshtja është mërgim, ndërsa të shkruarit në anglisht është dëbim drejt një gjuhe që nuk më rriti dhe që as unë nuk e rrita. Atëherë, a duhet të mbetem i burgosur i arabishtes sime të bukur, të robëruar, apo të ngre, në thyerje e copëzim, një kërkesë për azil në anglisht, gjuhën që është bërë gjuha e botës, deshi apo nuk deshi bota?
Herë pas here, në qarqet kulturore të diasporës marokene shfaqet një pyetje provokuese: çfarë natyre ka shkrimi që krijuesit arabë prodhojnë në gjuhë të tjera, veçanërisht në anglisht? Kjo pyetje është bërë edhe më e fortë vitet e fundit, krahas valëve të mëdha të migrimit, kur shumë njerëz e gjetën veten në vende indiferente ndaj arabishtes së tyre, madje edhe ndaj spanjishtes që e kishin përvetësuar me djersë dhe net pa gjumë. Dhe kështu lindi një pyetje jo më pak urgjente: a është letërsia e shkruar nga një maroken në anglisht, letërsi marokene? Apo është thjesht një huazim kulturor i derdhur në një kallëp të huaj?
Kushdo që vëzhgon peizazhin kulturor të diasporës marokene do të vërejë dy kampe që nuk takohen kurrë. I pari mendon se shpirti është shpirt, pavarësisht se në cilën gjuhë flet; se kur një maroken shkruan për erën e bukës së pjekur mbi prush, për një rrugicë të ngushtë në Fes ose Tetuan, për dhembjen e mërgimit që asnjë leje qëndrimi nuk mund ta shërojë, kjo është letërsi marokene, e pastër dhe e plotë, edhe nëse formësohet me alfabetin e Shekspirit.
Fusha tjetër e zgjidh çështjen në favor të gjuhës, duke argumentuar se arabishtja, amazighishtja ose darixha, janë mitra nga e cila lind letërsia dhe se çdo fëmijë i lindur jashtë saj është një jetim pa prejardhje.
Në të vërtetë, duket se të dyja palët mbajnë nga një pjesë të së vërtetës, pa e pasur të gjithë të vërtetën. Që letërsia të jetë tërësisht marokene, teorikisht duhet të burojnë nga gjuha e atij vendi. Por, nga ana tjetër, vetë misioni i letërsisë është të dëgjohet, të mbërrijë, të prekë një zemër diku tjetër në këtë planet. Kur një shkrimtar maroken, që ndodhet në Spanjë, dëshiron t’i thotë botës së gjerë: Unë jam këtu dhe mbaj me vete gjithë këtë peshë të bukur, cilën gjuhë zgjedh?
Spanjishtja është gjuha e vendit ku jeton. Anglishtja është gjuha e epokës në të cilën jeton. Ndërsa arabishtja është gjuha e nënës që e thërret në ëndrra.
Kur frëngjishtja iu imponua Marokut gjatë Protektoratit (1912 – 1956), ishte një imponim i hapur, i zbatuar përmes armëve dhe administratës. Anglishtja sot është një imponim i qetë, i ushtruar përmes algoritmeve të botimeve ndërkombëtare, platformave të mediave sociale dhe shtëpive të mëdha botuese që vendosin se kush lexohet dhe kush mbetet në hije. Shkrimtari maroken që jeton në Sevilje, Madrid ose Barcelonë e gjen veten në një udhëkryq me tri rrugë, jo me dy: të shkruajë në arabisht dhe të arrijë tek ata që tashmë mund t’i arrijë; të shkruajë në spanjisht dhe të hyjë në një treg lokal, sado i gjerë të jetë ai; të shkruajë në anglisht dhe të hedhë rrjetën e tij në të gjithë detin e botës. Por çfarë humbet sa herë që ai zgjedh?
Nga këndvështrimi im, besoj se duhet të dallojmë mes tri gjërash, jo dy: gjuhës, identitetit dhe lexuesit. Gjuha është një mjet. Identiteti është shpirt. Lexuesi është fat. Shkrimtari maroken që shkruan në anglisht nuk e shet identitetin e tij, por negocion me të në çdo fjali që hedh në letër. Dhe kur shkruan për Abdullahun ose Naimën me shkronja latine, diçka humbet në përkthimin e brendshëm; diçka pa emër, por që ndihet, ashtu siç ndien mungesën në një fotografi të vjetër, cepat e së cilës janë thërrmuar.
Problemi i vërtetë, pra, nuk është zgjedhja e gjuhës, por marrëdhënia me gjuhën e zgjedhur. A shkruan anglisht nga brenda saj, apo përmes derës së pasme? A e zhvendos atë, a e infekton me aromën tënde marokene, a sjell brenda saj ritmin e Malhunit, zhurmën e rrugicave dhe heshtjen e shkretëtirës, apo e shkruan ashtu siç do ta shkruante një gazetar në Londër?
Dallimi mes të dyjave është dallimi mes letërsisë dhe një raporti.
Kur mendoj për të shkruarit në anglisht, më vjen një imazh: po eci në një rrugë të Barcelonës, duke mbajtur në njërën dorë një çantë plot me jaseminë nga kopshti i nënës sime në Marok. Bota sheh një njeri që kalon. Por unë e di çfarë ka në çantë. E di se si aroma e tij ndryshon në ajrin evropian. Të shkruarit në anglisht është të hapësh atë çantë, të ofrosh jaseminë në një treg që nuk e ka ndier kurrë më parë aromën e saj. Ndoshta gjatë rrugës ajo humbet një pjesë të aromës. Por mbërrin. Dhe ndoshta vetë mbërritja është një formë e luftës.
Sepse të shkruash për kauzën tënde, për dhimbjen tënde, për identitetin tënd, në një gjuhë që nuk është e jotja, është një betejë e zhvilluar në një nga frontet e pafundme.
Në fund, arabishtja ime nuk do të zemërohet me mua që ia kam huazuar zërin tim anglishtes për njëfarë kohe. Ajo e di, ashtu siç e di edhe unë, se do të kthehemi te njëri-tjetri në çastin kur asnjë gjuhë tjetër nuk mund të më mbajë, në atë çast kur kam nevojë të qaj.
(Përktheu: Angela Kosta)










