Më 22 shtator 2026, Lidhja e Mësuesve Shqiptarë në Greqi mori pjesë në takimin virtual të organizuar nga Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Greqi, znj. Luela Hajdaraga, me mësuesit e kurseve të mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Greqi.
Në takimin e zhvilluar në platformën Microsoft Teams morën pjesë rreth 80 mësues, ndërmjet tyre mësues të programit “Mësues për Greqinë”, mësues të kurseve plotësuese dhe anëtarë të Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Greqi.
Takimin e përshëndeti Ministrja e Arsimit, znj. Mirela Kumbaro Furxhi, përmes një video-mesazhi. Të pranishëm ishin Zëvendësministrja e Arsimit, znj. Orjana Osmani; Konsullja e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në Selanik, znj. Erida Dobrushi; znj. Silvana Leskaj, Drejtore e Drejtorisë së Diplomacisë Ekonomike, Kulturës dhe Diasporës pranë Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme; znj. Ermonela Xhafa, Drejtore Ekzekutive e Agjencisë Kombëtare të Diasporës; znj. Mimoza Hysa, Drejtore e Qendrës së Botimeve për Diasporën; znj. Erida Koleci, specialiste për çështjet e diasporës pranë Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar; diplomatja znj. Joneda Dodaj dhe Dr. Stavri Dajo nga Universiteti Aristoteli i Selanikut, si edhe përfaqësues të kurseve, shkollave dhe organizatave shqiptare në Greqi.
Në fjalën e saj, Kryetarja e Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Greqi, znj. Klarita Selmanaj, paraqiti punën e kryer nga Lidhja, gjendjen e mësimit të gjuhës shqipe dhe disa çështje që kërkojnë zgjidhje institucionale.
Lidhja përfaqëson sot një rrjet me 54 kurse, 80 mësues aktivë, 93 klasa dhe 926 nxënës, ndërkohë që regjistrimet vazhdojnë. Pas këtyre shifrave qëndron puna e përditshme e mësuesve, drejtuesve të kurseve dhe strukturave të Lidhjes: kërkesat për sigurimin e ambienteve, dokumentacioni, komunikimi me institucionet, organizimi i klasave, mbështetja e mësuesve dhe e prindërve, shpërndarja e materialeve mësimore, trajnimet dhe ndjekja e problemeve që lindin gjatë vitit shkollor.
Në frymën e bashkëpunimit institucional, Kryetarja e Lidhjes paraqiti këto çështje dhe propozime:
• Vazhdimin dhe zgjerimin e programit “Mësues për Greqinë”, që mbështet drejtpërdrejt mësuesit dhe zhvillimin e mësimit të gjuhës shqipe në Greqi.
• Sigurimin në kohë të ambienteve ku zhvillohen kurset. Vonesat në dhënien e lejeve vështirësojnë regjistrimet, krijimin e klasave dhe fillimin e rregullt të mësimit.
• Sigurimin e një ambienti të përhershëm për Lidhjen, ku të funksionojnë zyra, biblioteka, arkivi dhe hapësira për mbledhje, trajnime dhe ruajtjen e materialeve mësimore. Për një rrjet me këtë shtrirje, një ambient i tillë është domosdoshmëri pune.
• Organizimin e shpërndarjes së teksteve mësimore edhe në pika rajonale, më pranë mësuesve. Mësuesit që jetojnë në ishuj ose në qytete larg Athinës nuk mund të udhëtojnë gjithmonë deri në Ambasadë vetëm për të tërhequr librat. Një shpërndarje e planifikuar sipas zonave do t’i çonte tekstet në kohë te nxënësit.
Lidhja falënderon Qendrën e Botimeve për Diasporën dhe Ambasadën për sigurimin e teksteve, si edhe Zyrën e Republikës së Kosovës në Athinë dhe z. Fitim Gllareva për ndihmën e vazhdueshme, veçanërisht për kurset e reja dhe rastet kur librat e nevojshëm nuk kanë qenë të disponueshëm.
• Mbështetjen e mësuesve për materialet, pagesat e ambienteve dhe shpenzimet e tjera që lidhen me zhvillimin e mësimit. Shumica e kësaj pune vazhdon të mbështetet te koha personale dhe kontributi vullnetar i mësuesve.
• Përfaqësimin e Lidhjes në Këshillin Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë, përmes një përfaqësuesi të zgjedhur nga vetë Lidhja. Aktualisht, Lidhja e Mësuesve Shqiptarë në Greqi nuk ka përfaqësuesin e saj në këtë këshill.
Kryetarja sqaroi edhe përgjegjësinë e Lidhjes për evidentimin dhe verifikimin e veprimtarisë së kurseve që funksionojnë në kuadër të saj. Ky është një proces i brendshëm organizativ, i domosdoshëm që të dhënat e kurseve, mësuesve, klasave dhe nxënësve të jenë të sakta dhe që vërtetimet e lëshuara nga Lidhja të mbështeten në veprimtari të dokumentuar. Lidhja mund të mbajë përgjegjësi dhe të lëshojë vërtetime vetëm për veprimtarinë që është bërë e njohur dhe është verifikuar sipas rregullave të saj.
Në takim u trajtua gjithashtu projekt-VKM-ja për krijimin e Agjencisë Kombëtare për Gjuhën Shqipe në Diasporë. Lidhja vlerëson se projektakti duhet të konsultohet edhe me lidhjet dhe rrjetet e mësuesve të shkollave shqipe në diasporë, sepse prek drejtpërdrejt organizimin e mësimit, bashkërendimin me përfaqësitë diplomatike dhe marrëdhëniet me institucionet përgjegjëse për diasporën.
Mësuesit dhe lidhjet e tyre janë krijuesit dhe mbajtësit e kësaj veprimtarie në terren. Përvoja e tyre duhet të dëgjohet përpara miratimit të vendimeve që ndikojnë drejtpërdrejt punën e tyre. Lidhja e Mësuesve Shqiptarë në Greqi është e gatshme të paraqesë me shkrim komentet dhe sugjerimet e saj për projektvendimin.
Falënderojmë Ambasadoren znj. Luela Hajdaraga për organizimin e takimit, institucionet pjesëmarrëse për dëgjimin e çështjeve të paraqitura dhe çdo mësues që vazhdon të mbajë hapur një klasë të gjuhës shqipe në Greqi.
Kërkesat tona burojnë nga puna e përditshme dhe nga vështirësitë konkrete që përballojnë kurset. Zgjidhja e tyre do të krijojë kushte më të rregullta për mësuesit dhe, mbi të gjitha, për fëmijët që zgjedhin të mësojnë gjuhën dhe kulturën shqiptare, njofton Lidhja e Mësuesve Shqiptarë në Greqi, përcjell helveticALforum.ch.
Foto ilustrim










