Poeti, prozatori dhe romancieri Prend Ndoja: “Dashuria bëhet ura që lidh shkencën me dritën, arsyen me shpirtin, mendjen me zemrën”.
Intervistoi: Sokol Paja
1. I nderuar z.Ndoja përgëzime për romanin tuaj më të ri “Mes shkencës dhe dritës”. Çfarë do të thotë ky titull dhe si shkrihet shkenca me dritën?
E zgjodha këtë titull jo për të krijuar një efekt jashtëletrar, as për pamje shkencore ose filozofike. Ai është, në njëfarë mënyre, çelësi për të hyrë në botën e romanit. Shkenca dhe drita janë dy koncepte që në pamje të parë mund të duken të largëta nga njëri-tjetri. Por në roman ato takohen në një hapësirë shumë njerëzore, në kërkimin e së vërtetës dhe të kuptimit të jetës. Kështu, “Mes shkencës dhe jetës” nuk përfaqëson një titull libri, por është reflektim filozofik që mbështjell të gjithë udhëtimin e dy personazheve kryesorë të tij, Markut dhe Maries. Në brendinë e tij fshihet tensioni i përhershëm njerëzor: ai mes dijes që kërkon të shpjegojë botën dhe dritës shpirtërore që kërkon ta kuptojë atë.
Shkenca, me gjithë madhështinë e saj, nuk mjafton për të shpjeguar jetën. Ajo na jep mekanizmin, por jo kuptimin. Na jep formulën, por jo arsyen pse ekziston formula. Na jep strukturën, por jo frymën. Nga ana tjetër, edhe misteri i dritës nuk mjafton. Drita na jep ndjesinë, por jo provën; na jep intuitën, por jo matjen; na jep shenjtërinë, por jo sistemin. Prandaj, në këtë roman, këto dy botë nuk përplasen, por shkrihen midis tyre. Shkrihen përmes dashurisë, në një fushë të përbashkët, ku njeriu mund të kuptojë më shumë nga vetja dhe nga jeta. Dashuria bëhet ura që lidh shkencën me dritën, arsyen me shpirtin, mendjen me zemrën. Dhe megjithëse romani mbart elemente të thella filozofike, ai rrjedh qetë, si një valë lumi që prek brigjet pa i trazuar. Në sipërfaqe është një histori dashurie e zakonshme, por nën sipërfaqe është një udhëtim i brendshëm, një kërkim i kuptimit, një përpjekje për të gjetur ekuilibrin mes dy botëve që na formojnë. Ky titull, në thelb, është një ftesë: të shohim jetën jo vetëm me mendje, por edhe me dritë.
Drita ka disa kuptime në roman. Është drita reale e diellit, e yjeve dhe e universit, por është edhe drita e brendshme e njeriut, që shfaqet tek vetëdija, dashuria, shpresa, mirësia, besimi dhe aftësia për ta parë jetën përtej asaj që mund të preket e të matet.
Që në fillim të romanit shtrohet pyetja se ku janë kufijtë e fuqisë së shkencës dhe cili është roli i dritës së brendshme shpirtërore përballë misterit. Kjo pyetje më ka interesuar si një përpjekje për të kuptuar se si këto dy botë mund të bashkëjetojnë brenda njeriut. Prandaj “mes” është një fjalë shumë e rëndësishme në titull. Nuk kam përdorur fjalët “përballë”, apo “kundër”. Por kam zgjedhur fjalëzën “mes”. Pikërisht në këtë hapësirë ndodhet njeriu. Mes asaj që di dhe asaj që nuk di. Mes arsyes dhe intuitës. Mes asaj që mund ta shpjegojë dhe asaj që vetëm mund ta ndiejë. Në roman drita lidhet edhe me vetë jetën. Maria, që në fëmijëri, e përjeton lindjen e dritës si një moment të veçantë, ajo bëhet për të gradualisht një mënyrë për ta kuptuar jetën.
2. Cila ishte shtysa kryesore në krijimin e kësaj vepre letrare?
Nuk besoj se romanet duhet të fillonë gjithmonë me një ngjarje. Ndonjëherë mund të fillojë me një pyetje që të qëndron gjatë në mendje. Në rastin e këtij romani, një nga pyetjet që më ka shoqëruar ishte: A mund ta shpjegojë shkenca gjithçka që përjeton njeriu? Kjo pyetje më ka interesuar jo vetëm nga ana shkencore, por sidomos nga ana njerëzore. Ne dimë sot jashtëzakonisht shumë për universin, për natyrën, për trupin e njeriut. Por, krahas gjithë kësaj dijeje, vazhdojmë të pyesim: Çfarë është dashuria? Çfarë është ndërgjegjja? Pse kemi nevojë për kuptim? Çfarë ndodh me ne përballë vdekjes? Dhe çfarë është ajo dritë e brendshme që na mban gjallë edhe në çastet më të vështira? Nuk doja që këto pyetje t’i trajtoja në formën e një eseje as shkencore e as filozofike. Doja t’i trajtoja në një roman, duke i vendosur natyrshëm e në mënyrë harmonike në jetën e personazheve. Sepse letërsia ka fuqinë që një ide ta bëjë të jetueshme përmes personazheve. Prandaj kërkova dy njerëz që të përfaqësonin dy mënyra të ndryshme të vështrimit të botës. Kështu u krijuan dy protagonistët e veprës, Maria dhe Marku. Maria është gazetare, një grua e lidhur fort me natyrën, me jetën, me njeriun dhe me atë që unë e quaj “dritë të brendshme”. Marku është profesor i astrofizikës, njeri i shkencës, i universit dhe i kërkimit racional. Ata takohen, dashurohen dhe, nëpërmjet marrëdhënies së tyre, fillojnë të diskutojnë për pyetjet më të mëdha që i kanë shoqëruar njerëzit që nga fillimet e qytetërimit.
Në fillim, dialogu i tyre është edhe një lloj debati. Maria pyet për kuptimin, Marku kërkon shpjegimin. Në një nga bisedat e tyre, për shembull, Maria i drejtohet Markut me idenë se shkenca mund të shpjegojë “si”, por jo gjithmonë “pse”, ndërsa Marku i përgjigjet nga pozicioni i tij shkencor. Pra, shtysa filozofike ishte fillimi, por dashuria ishte mekanizmi letrar që më lejoi ta zhvilloja atë ide. Duke përdorur si mjete shkencën dhe filozofinë, doja të shkruaja një roman për njerëz që jetojnë, dashurohen, vuajnë, humbin dhe shpresojnë, ndërsa në të njëjtën kohë kërkojnë të kuptojnë botën. Dhe ndoshta kjo është edhe ajo që më ka pëlqyer më shumë gjatë shkrimit të romanit. Një ide abstrakte bëhet e prekshme vetëm kur vendoset në jetën e një njeriu. Por, besomëni, nuk ka qenë aspak e lehtë.
3. Cili është sfondi historik i romanit?
Romani është vendosur në periudhën bashkëkohore. Nuk kam dashur ta lidh me një ngjarje të vetme historike apo me një periudhë të caktuar të së kaluarës, sepse problemi që trajtoj është i kohës sonë dhe, në një farë kuptimi, i çdo kohe. Jemi në një botë ku shkenca dhe teknologjia kanë arritur nivele të jashtëzakonshme, ku njeriu udhëton në hapësirë, depërton gjithnjë e më thellë në strukturën e materies dhe ka në dispozicion një sasi të jashtëzakonshme informacioni. Por, paradoksalisht, krahas kësaj drite të jashtëzakonshme të dijes, ekzistojnë ende lufta, vetmia, egoizmi, dëmtimi i natyrës, pabarazia, dhimbja dhe frika.
Maria dhe Marku janë njerëz të botës moderne, por të dy mbartin me vete historinë e tyre personale, familjare dhe kulturore. Në këtë mënyrë, e kaluara dhe e tashmja nuk qëndrojnë të ndara, por bashkëjetojnë në ndërgjegjen e personazheve. Mendoj se kjo është edhe një nga sfidat e njeriut bashkëkohor, si të ecë drejt së ardhmes pa humbur lidhjen me atë që është.
Kjo kontradiktë e botës moderne më ka interesuar shumë. Bota jonë është plot me drita artificiale. Por pyetja është nëse kemi mjaftueshëm dritë brenda vetes.
Në këtë kuptim, romani nuk është një roman historik, por një roman i kohës sonë, i njeriut bashkëkohor dhe i sfidave shpirtërore e morale që ai përjeton. Për këtë arsye, në zhvillimin e tij, jam ndalur në problemet më të prekshme si emigrimi, marrëdhëniet e njeriut me natyrën, me zhvillimin shkencor, me jetën në metropole dhe me nevojën për të ruajtur identitetin.
4. Ku zhvillohen ngjarjet e romanit?
Teatri i romanit është shumë i gjerë, sepse vetë personazhet janë njerëz të lëvizjes dhe të komunikimit me botën. Pika kryesore është Amerika, veçanërisht Long Islandi, Manhattan dhe Nju Jorku. Aty jetojnë dhe punojnë Maria dhe Marku, aty takohen dhe aty zhvillohet pjesa kryesore e marrëdhënies së tyre. Maria është rritur në Long Island pasi ka ardhur nga Shkodra që në fëmijëri, ndërsa Marku është një shqiptar nga Kosova, i formuar akademikisht në Shtetet e Bashkuara.
Por romani nuk qëndron vetëm në Amerikë. Personazhet udhëtojnë në vende të ndryshme, ndërsa hapësira gjeografike bëhet një mënyrë për të zgjeruar edhe hapësirën e mendimit. Janë Pensylvannia, Firence, Niagara, Ishujt Fiji, Meksika dhe vende të tjera. Edhe Shqipëria, sidomos Shkodra, mbetet një pikë e rëndësishme e kujtesës, e rrënjëve dhe e identitetit.
Kjo ishte e rëndësishme për mua, sepse emigranti i sotëm shqiptar nuk është më vetëm njeriu që kërkon një vend pune apo një jetë më të mirë. Ai sot është edhe një intelektual, profesor, gazetar, shkrimtar, artist, profesionist i suksesshëm, por përsëri mbart me vete një pjesë të vendit prej nga vjen.
Prandaj edhe hapësirën amerikane dhe atë shqiptare, nuk i kam trajtuar në libër si dy botë të ndara. Por jam përpjekur që ato të bashkëjetojnë brenda personazheve. Dhe kjo është një temë që besoj se mund t’i flasë veçanërisht lexuesit shqiptar në diasporë: mund të largohesh fizikisht nga vendi, por është shumë më e vështirë të largohesh nga ajo që ke marrë prej tij.
5. Çfarë përfaqësojnë personazhet e Markut dhe Marias në roman?
Maria dhe Marku janë dy protagonistët e veprës. Janë dy personazhe që i kam ndërtuar fillimisht si njerëz, jo si simbole. Për mua ishte e rëndësishme që lexuesi t’i besonte si dy qenie njerëzore, me karakterin, dobësitë, emocionet dhe dilemat e tyre. Por, me ta kam dashur të jap diçka më shumë se dy njerëz që dashurohen. Ata përfaqësojnë dy mënyra të ndryshme të perceptimit të botës. Nuk do të doja t’i ktheja në simbole të thata, sepse një personazh funksionon në letërsi vetëm kur është i gjallë, kur ka dobësitë, emocionet, përjetimet, pohimet apo kundërshtitë e veta.
Maria është më intuitive, më e lidhur me natyrën dhe me botën shpirtërore. Që fëmijë ajo e përjeton dritën si një realitet të brendshëm. Në Shkodër, natyra bëhet pjesë e formimit të saj shpirtëror dhe kjo lidhje nuk humbet as kur ajo shkon në Amerikë. Ajo përfaqëson në roman dritën, shpirtin, butësinë, dimensionin e brendshëm që i jep kuptim njohjes. Marku, nga ana tjetër, vjen nga bota e shkencës. Ai është profesor i astrofizikës dhe merret me universin, yjet dhe pyetjet që lidhen me të panjohurën. Por edhe ai e pranon se shkenca nuk ka përgjigje për gjithçka. Me pak fjalë ai përfqëson mendjen, kërkimin, shkencën, arsyen, përpjekjen për të kuptuar misterin e jetës.
Së bashku Marku dhe Maria, shkenca dhe drita, bëhen një plotësim i një të vërtete që egziston. Ata janë dy figura që përfaqësojnë dy botë të mëdha të njeriut, mishërojnë unitetin e dy poleve të ekzistencës: dijen dhe ndriçimin, materien dhe shpirtin, shkencën dhe misterin. Në fillim ata i shohin disa gjëra ndryshe. Maria pyet për kuptimin, ndërsa Marku kërkon shpjegimin. Por kjo është edhe ajo që i tërheq ndaj njëri-tjetrit. Nuk kam dashur që njëri të “fitojë” mbi tjetrin. Përkundrazi, kam dashur të tregoj se dashuria mund t’i bëjë dy njerëz të mësojnë nga njëri-tjetri. Në libër Maria i hap Markut një hapësirë përtej asaj që mund të matet. Marku i jep Maries një tjetër mënyrë për ta parë misterin, përmes dijes dhe arsyes.
Pikërisht këtu bëhet interesante marrëdhënia e tyre. Sepse në libër nuk kemi një luftë midis dy botëve. Kemi një dialog midis dy personazheve që përfaqësojnë këto dy botë. Dhe dashuria bëhet ura e këtij dialogu.
Në fund, Maria dhe Marku nuk janë më vetëm “drita e brendshme” dhe “drita e dijes”.
Të dy përpiqen t’i bashkojnë këto dy drita në një përvojë të përbashkët njerëzore. Këtu do të thosha që qëndron edhe ana simbolike e tyre si personazhe. Emri Marie nuk është zgjedhur rastësisht. Si emri ndoshta më i përhapur në botën e krishterë, ajo simbolizon disi në roman dritën hyjnore. Por nëqoftëse duam ta lidhim edhe me shkencën, kemi nobelisten e parë grua për fizikën, Marie Kyri. Madje asaj iu dha më vonë edhe një çmim Nobel për kiminë. Ndoshta e vetmja në botë me dy çmime Nobel. Marku dhe Maria janë dy personazhet qendrore të romanit, shtylla kurrizore e tij. Por kemi edhe personazhe të tjerë, që na ndihmojnë për të kuptuar më mirë thelbin e vërtetë të tyre si njerëz, sidomos të Maries. Janë Gjergji dhe Roza, prindërit e Maries.
Ata nuk janë personazhe të zakonshëm, prindër që shfaqen për të plotësuar një rol. Në të vërtetë ata janë rrënja, janë themelet, janë pasqyra e njeriut shqiptar të ngritur, atij që largohet nga atdheu jo për të humbur, por për të shkëlqyer. Gjergji është shqiptari i dijes. Ai është njeriu që shkon në Amerikë për punime shkencore, për kërkim, për arritje. Në udhëtimin e tij nuk ka asgjë të rastësishme: çdo hap është mund, çdo arritje është sakrificë, çdo sukses është një dritë që i shtohet emrit shqiptar. Ai përfaqëson atë brez të heshtur, të ndritur, që nuk bërtet, por punon; që nuk kërkon duartrokitje, por lë gjurmë.
Roza, e ëma, është një dritë më vete. Ajo nuk shquhet vetëm për edukatën e lartë, por edhe për mënyrën si e mban veten në një botë të panjohur. Në hapin e parë në Amerikë, në një ambient të huaj, ajo nuk mbyllet, nuk trembet, nuk ngushtohet. Përkundrazi, hap dritare. Hap dritare për vajzat e saj, hap dritare drejt një bote të re, hap dritare për të panjohurën. Dhe fjalia e saj, e thënë me qetësinë e një gruaje që ka parë shumë, mbetet si një gur themeli në roman: “Edhe këta janë njerëzit tanë. Janë shumë të mirë. Njeriu i mirë është i yni, kushdoqoftë ai”. Kjo nuk është thjesht një fjali. Kjo është filozofi. Kjo është edukatë. Kjo është një dritë që i kapërcen kufijtë, kombet, dallimet. Roza e sjell mirësinë në nivel universal: mirësia nuk ka komb, por njeriu i mirë e nderon çdo komb.
Me Gjergjin dhe Marinë unë nuk kam dashur të sjell në roman thjesht prindërit e Maries. Por kam dashur të prezantoj ata prindërit e devotshëm, që u bënë gurët e themelit atje në emigracion për bijtë e bijat e tyre, që gjenerata më e re, që vinte pas tyre, të ngrihej në nivelin e Maries dhe Markut. Ata janë dy shtylla të botës shqiptare, që bartin dijen dhe edukatën. Janë urat e pathyeshme, që lidhin atdheun me botën, traditën me modernitetin, rrënjën me horizontin.
6. Cili është boshti i romanit?
Boshti i romanit është kërkimi i njeriut për kuptimin e jetës, të dashurisë, të misterit dhe të marrëdhënies midis dijes dhe asaj që ende nuk dimë. Romani nis nga drita, që është njëkohësisht dritë fizike, simbol i jetës dhe metaforë e vetëdijes. Maria, që në fëmijëri, e përjeton lindjen e ditës si një mister që kërkon ta kuptojë. Më pas, ky kërkim rritet bashkë me të. Ajo bëhet gazetare, udhëton, studion botën, përballet me problemet e saj dhe kërkon gjithnjë të depërtojë përtej sipërfaqes.
Në anën tjetër është Marku, i cili e kërkon misterin përmes shkencës. Të dy takohen dhe marrëdhënia e tyre bëhet një udhëtim i përbashkët drejt përgjigjeve.
Por ky udhëtim nuk është i qetë. Vijnë humbja e babait të Maries, aksidenti i rëndë i Markut, dëshpërimi, sprovat e dashurisë dhe pasiguritë për të ardhmen. Megjithatë, pikërisht në këto momente, kur drita duket se fiket, personazhet zbulojnë se ajo mund të rindizet.
Marku, pasi përballet nga afër me vdekjen, arrin të thotë se shkenca nuk i shpjegon të gjitha dhe se ekziston diçka tjetër që e ka mbajtur gjallë. Maria e quan atë “dritë hyjnore”.
Por ajo që është më e rëndësishme për mua është se ata e kalojnë sprovën bashkë. Maria nuk e braktis Markun. Ajo bëhet mbështetja e tij. Dhe në fund ata kuptojnë se një peshë e rëndë, kur merret nga dy njerëz, bëhet më e lehtë. Prandaj në roman theksohet artistikisht ideja se drita më e madhe e njeriut mund të jetë aftësia për të mos e lënë tjetrin vetëm në errësirë. Në kapitujt e fundit të romanit lexuesi gjen dy personazhe të pasuruar shpirtërisht, çka ka më shumë vlerë se arritjet e tyre në fushën profesionale dhe ekonomike. Kur e ndjejnë plotësisht veten të realizuar si intelektualë, si krijues, si bashkëshortë e si prindër, drita e brendshme i shtyn të vështrojnë më tej se tek oborri i tyre dhe si mund të bëhen të dobishëm për të tjerët. Pra, të japin, pas asaj që kanë marrë nga jeta. E kjo shprehet në roman nëpërmjet grupit të fëmijëve që ata ndihmojnë në kuadrin e shoqatës humanitare “Drita e shpresës”, që kanë krijuar. Prandaj edhe fundi i romanit duhet lexuar si një kthim te ideja e fillimit. Drita nuk është zhdukur. Ajo është provuar nga errësira, ka dalë prej saj më e fortë dhe bëhet ndriçim edhe për të tjerët.
7. Dashuria mes Markut dhe Maries, cili është paralelizmi i personazheve të dashurisë në veprat tuaja letrare?
Në “Velloja e kryqëzuar”, dashuria e bukur midis dy të rinjve ka një fund tragjik për shkak të luftës. Në romanin e ri, dashuria e Maries dhe Markut është më shumë një udhëtim drejt pjekurisë. Ndjenja midis tyre nuk lind me një shpërthim të menjëhershëm. Fillon nga njohja, miqësia, bisedat, kureshtja intelektuale dhe gradualisht shndërrohet në ndjenjë. Kjo më interesonte, sepse për mua dashuria më e qëndrueshme nuk është tërheqjas fizike. Forca e saj qëndron tek admirimi e respekti i ndërsjelltë, tek mirëkuptimi dhe tek aftësia për të bashkëndarë pyetjet e mëdha të jetës. Maria dhe Marku afrohen duke folur për gjëra të mëdha, për shkencën, natyrën, universin, besimin dhe jetën. Kështu, secili njeh jo vetëm trupin dhe emocionin e tjetrit, por edhe mënyrën se si ai mendon. Edhe në planin romantik kam dashur të ruaj njëfarë delikatese. Ka momente kur ndjenja është shumë e fortë, por personazhet nuk kanë nevojë ta shprehin menjëherë me fjalë. Marku e ndien tërheqjen ndaj Maries, por Maria nuk është një personazh që i dorëzohet menjëherë emocionit. Ajo ka një maturi të brendshme dhe nuk dëshiron ta lejojë zemrën të vrapojë më shpejt se mendja. Ndaj në roman, një vështrim, një heshtje, një dorë e kapur arrijnë të thonë më shumë se një deklaratë dashurie.
Dhe pastaj vjen momenti kur dashuria vihet në provë.
Aksidenti i Markut është një moment vendimtar. Dashuria nuk mund të mbetet më vetëm emocion. Ajo bëhet kujdes, durim, përgjegjësi dhe sakrificë. Kështu, marrëdhënia e tyre kalon nga “më pëlqen të jem me ty” në “jam këtu për ty, pavarësisht se çfarë ndodh”.
Dhe kjo, për mua, është një nga format më të bukura të dashurisë. Prandaj do të thosha se ky është një roman dashurie. Por dashuria këtu nuk është një histori e shkëputur nga jeta. Përkundrazi, ajo është mënyra përmes së cilës dy njerëz zbulojnë veten dhe botën.
8. Cilat janë mesazhet që autori u përcjell lexuesve në këtë roman?
Romani flet para së gjithash për shpresën. Jeta ka momente kur drita duket sikur fiket. Humbja e një njeriu të dashur, sëmundja, aksidenti, dëshpërimi apo dështimi mund ta bëjnë njeriun të besojë se gjithçka ka përfunduar. Por romani përpiqet të thotë se edhe në errësirën më të madhe ekziston mundësia e një drite.
Mesazhi tjetër është se shkenca dhe besimi nuk duhet të shihen si armiq. Shkenca na ndihmon të kuptojmë botën, ndërsa besimi dhe drita e brendshme na ndihmojnë të përballojmë atë pjesë të misterit që ende nuk e kuptojmë. Pastaj është dashuria. Në roman dashuria nuk paraqitet vetëm si ndjenjë romantike. Ajo është, para së gjithash. përgjegjësi, kujdes, falje, qëndresë dhe aftësi për të qenë pranë tjetrit në çastin kur ai ka më shumë nevojë.
Një tjetër mesazh lidhet me natyrën. Njeriu nuk mund të jetojë duke e parë natyrën vetëm si burim fitimi. Maria, përmes profesionit të saj si gazetare, përballet pikërisht me plagët që i shkakton natyrës etja njerëzore për përfitim. Dhe në fund është ideja e mirësisë njerëzore përtej kufijve. Njeriu i mirë nuk përcaktohet nga kombësia, ngjyra e lëkurës apo vendi ku ka lindur. Nëse kemi një dritë të përbashkët, ajo është aftësia për të dashur, për të ndihmuar dhe për të respektuar tjetrin. Njeriu mund të ketë dije, pasuri, pushtet dhe sukses, por pa dritën e brendshme këto mund të mbeten bosh. Mund të mos kemi gjithmonë përgjigje për misteret e mëdha të universit. Mund të mos dimë gjithmonë pse ndodhin gjërat. Por një gjë mund ta bëjmë: mund të jemi pranë njëri-tjetrit.
Nëse një lexues, pasi ta mbyllë romanin, mendon për pak çaste për jetën, për dashurinë, për natyrën, për rrënjët e veta dhe për dritën që mban brenda vetes, atëherë unë do ta konsideroja këtë një nga shpërblimet më të bukura të këtij romani. Sepse në fund të fundit, nuk mendoj se njeriu duhet vetëm ta kërkojë dritën. Ai duhet të përpiqet të bëhet edhe vetë një dritë për dikë tjetër. /GD










