BallinaEKSKLUZIVEDe Sousa: Shqipëria ka bërë hapa përpara drejt BE-së, por reformat duhet...

De Sousa: Shqipëria ka bërë hapa përpara drejt BE-së, por reformat duhet të vijojnë

-

Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, ka vlerësuar progresin e Shqipërisë në rrugëtimin drejt anëtarësimit në BE, duke theksuar njëkohësisht nevojën për vijimin e reformave dhe rezultate të qëndrueshme.

Duke folur në takimin e 22-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri–Bashkimi Evropian, de Sousa deklaroi se Shqipëria ndodhet në një fazë të rëndësishme të procesit të integrimit, ndërsa përmendi përparimin e bërë në disa prej fushave të reformave.

“Ky takim po ndodh në një moment shumë të rëndësishëm të rrugëtimit të Shqipërisë në BE. Është bërë progres, por duhet më shumë punë”, u shpreh ambasadorja.

Ajo theksoi se, për të vijuar drejt objektivit të mbylljes së negociatave, Shqipëria duhet të ruajë ritmin e reformave dhe të sigurojë progres në të gjitha fushat.

“Për të arritur mbylljen e negociatave në fund të vitit tjetër, duhet të ruhet ky çast, duhet të ketë progres në të gjitha reformat”, tha de Sousa.

Një vëmendje të veçantë ambasadorja i kushtoi reformës në drejtësi, duke vlerësuar hapat e ndërmarrë nga Shqipëria, por duke nënvizuar se procesi nuk përfundon me arritjet e deritanishme.

“Shqipëria ka bërë hapa përpara në drejtësi. Kjo nuk është një punë që mbyllet këtu. Këto rezultate duhet të jenë të pakthyeshme”, deklaroi ajo.

Sipas de Sousa, vijimi i reformave kërkon jo vetëm miratimin e legjislacionit, por edhe zbatimin efektiv të tij. Ajo theksoi se ende mbetet një numër i konsiderueshëm aktesh ligjore që duhet të miratohen dhe se procesi duhet të shoqërohet me konsultime të plota përpara miratimit.

“Përfitimet e reformave do të ndihen nëse ligjet hartohen dhe zbatohen mirë. Duhet të bëhet konsultim kuptimplotë para se të miratohet”, tha ambasadorja e BE-së.

De Sousa nënvizoi gjithashtu se reformat e lidhura me procesin e integrimit evropian kanë ndikim të drejtpërdrejtë te qytetarët dhe në fusha të ndryshme të jetës së përditshme.

“Reformat që lidhen me BE-në prekin çdo aspekt të jetës. Në fund të fundit, prekin çdo qytetar. Duhet të kemi qasje që të përfshijë të gjithë shoqërinë. Parlamenti ka një rol kyç për të bërë diçka të tillë”, përfundoi ajo.

Deklaratat e ambasadores së BE-së u bënë në kuadër të diskutimeve për ecurinë e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë dhe hapat që vendi duhet të ndërmarrë në fazën e ardhshme të negociatave, transmeton gtema.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Lajm i mirë për shqiptarët në Zvicër: Gjermania drejt heqjes së...

0
Blerjet në Gjermani mund të bëhen edhe më të leverdishme për qytetarët që jetojnë në Zvicër. Qeveria gjermane planifikon të heqë kufirin minimal prej...