Beteja politike në vend është zhvendosur zyrtarisht në Gjykatën Kushtetuese. Legjitimiteti i konstituimit të Kuvendit dhe votimit të Qeverisë tashmë po kontestohet nga Partia Demokratike, e cila pretendon shkelje procedurale, ndërsa Vetëvendosje i konsideron këto procese të përfunduara. Në këtë periudhë paqartësie, njohësit e rrethanave politike kërkojnë unitet, duke pasur parasysh edhe zhvillimet e fundit me proceset e Speciales në Hagë. Fati i institucioneve të reja të Kosovës tashmë ndodhet në duart e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Dy ankesat e dorëzuara nga Partia Demokratike, të cilat kontestojnë ligjshmërinë e konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë, e kanë zhytur vendin sërish në paqartësi politike. Përderisa Vetëvendosje i konsideron këto procese plotësisht të përfunduara dhe legjitime, opozita po kërkon rrëzimin e tyre përmes rrugës ligjore. Në këtë periudhë pritjeje dhe tensioni, njohës të fushës kërkojnë që partitë politike të reflektojnë dhe të ndalin lojërat me aktin më të lartë juridik të shtetit, duke vendosur interesin e shtetit mbi atë partiak.
“Duam të besojmë se Gjykata Kushtetuese sa më shpejt që është e mundur do ta marrë një vendim i cili në njëfarë mënyre do ta kthejë në binarë politikën kosovare, e politika kosovare në këtë rast Kuvendi i Kosovës, partitë në Kuvend ta kuptojnë se më i rëndësishëm është interesi strategjik i Republikës së Kosovës me pas institucione funksionale se sa lojëra politike ditore me qëllim të arritjes ku tanimë është bërë sport shkelja e Kushtetutës, e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”, tha Ehat Miftaraj nga IKD.
Përtej betejës juridike në vend, zhvillimet e fundit jashtë kufijve po shihen si një alarm për unitet. Vendimi i 16 shtatorit nga Gjykata Speciale në Hagë për katër ish-krerët e UÇK-së, sipas analistëve, duhet të shërbente si një shtysë e fortë që taborët politikë t’i zbusin qëndrimet e tyre barrikaduese dhe të gjejnë një gjuhë të përbashkët përballë sfidave kombëtare.”Është dashur që këto të mendohen para se të ndodhë 16 shtatori, është dashur që të kemi unitet, të kemi një bashkëqeverisje duke e ditë në çfarë situate po kalon Kosova, është dashur që të gjithë të lëshojnë pe nga pak, edhe fituesit edhe humbësit, të bëhet një qeveri ndoshta tranzitore ndoshta dyvjeçare dhe përmes institucioneve të bëjmë një reagim zyrtar”, tha Sadik Zeqiri, analist.
Deri në shpalljen e aktgjykimit nga Gjykata Kushtetuese, skena politike në vend mbetet e pezulluar dhe e paqartë. Përderisa partitë barrikadohen pas qëndrimeve të tyre të kundërta, sytë e opinionit publik mbeten tek institucioni më i lartë juridik, i cili pritet të përcaktojë vijat e ardhshme të lëvizjes politike në Kosovë./BS










