Ambasadori i Republikës së Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ka dhënë një intervistë ekskluzive për televizionin publik kroat HRT, ku ka folur për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, reagimet në Kosovë dhe rëndësinë e ruajtjes së të vërtetës historike.
Pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, debati është përqendruar në mesazhin që ky vendim i përcjell Kosovës.
BERISHAJ: AKTGJYKIMI NUK E VË NË PIKËPYETJE PAVARËSINË E KOSOVËS
(Titulli i redaksisë)
Pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe komandantëve të UÇK-së për krime lufte, shtrohet pyetja se çfarë mesazhi i ka dërguar gjykata Kosovës, Serbisë dhe Ballkanit Perëndimor, si dhe nëse aktgjykimi përbën një goditje të re për paqen në rajon.
Martin Berishaj, ambasadori i Kosovës në Kroaci, vlerësoi se dënimet e shqiptuara janë drakonike dhe shprehu dyshime për besueshmërinë e një pjese të dëshmive mbi të cilat është bazuar aktgjykimi.
Berishaj theksoi se duhet bërë dallimi ndërmjet Tribunalit të Hagës dhe Dhomave të Specializuara të Kosovës me seli në Hagë.
– Këto dy gjykata nuk kanë absolutisht asgjë të përbashkët. Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë janë themeluar nga Kuvendi i Kosovës me një shumicë prej tri të katërtave, tha Berishaj.
Ai theksoi gjithashtu se bëhet fjalë për një aktgjykim të shkallës së parë, i cili ende nuk është i formës së prerë.
Duke folur për reagimet ndaj aktgjykimit, Berishaj tha se në Kosovë është i pranishëm një zemërim i madh.
– Nuk duhet t’i nënvlerësojmë emocionet që janë shfaqur tek qytetarët, tha ai.
Berishaj hodhi poshtë pretendimet se UÇK-ja ka qenë një strukturë kriminale dhe theksoi se në këtë proces bëhet fjalë për përgjegjësi individuale dhe jo kolektive.
Ai theksoi gjithashtu se qytetarët e Kosovës, sipas tij, nuk i kanë harruar krimet e kryera gjatë luftës dhe fatin e shqiptarëve të vrarë, trupat e të cilëve, siç tha ai, janë transportuar në Serbi me qëllim të fshehjes së krimeve.
– Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka zhvilluar luftë jashtë Kosovës. Ajo mbronte vatrat e veta, jetën e vet dhe jetën e familjeve të veta, tha Berishaj.
Berishaj: Aktgjykimi nuk do t’i shkojë për shtat politikës së Vuçiqit në planin afatgjatë
Berishaj konsideron se aktgjykimi nuk do t’i shkojë për shtat në planin afatgjatë politikës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndonëse, sipas tij, Vuçiq mund ta shfrytëzojë atë në fushatën parazgjedhore.
– Bëhet fjalë për një përpjekje për relativizimin e fajit ose për ndarjen e tij. Kjo erë që tani po i fryn në shpinë politikës serbe para zgjedhjeve shumë shpejt do të qetësohet, tha Berishaj, duke theksuar sërish se bëhet fjalë për një vendim të shkallës së parë dhe jo të formës së prerë.
Ai shtoi se Kosova do të vazhdojë dialogun serioz me aleatët e saj, para së gjithash me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe se nuk do të lejojë që aktgjykimi të përdoret për forcimin afatgjatë të një politike të tillë.
Berishaj: Aktgjykimi nuk e vë në pikëpyetje legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës
Berishaj hodhi poshtë pretendimin se aktgjykimi e vë në pikëpyetje legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës.
– Në aspektin faktik dhe juridik, kjo teori nuk qëndron. Pavarësia e Kosovës u shpall në vitin 2008, ndërsa Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konstatoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, tha Berishaj.
Ju ftojmë të përcillni intervistën eskluzive të Ambasadorit të Republikës së Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj për HRT – Televizionin Publik Kroat ku ai flet për aktgjykimin në Hagë, reagimet në Kosovë dhe rëndësinë e ruajtjes së të vërtetës historike.










