Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të vizitojë disa vende të Ballkanit Perëndimor më 30 shtator dhe 2 tetor, në kuadër të përpjekjeve për forcimin e bashkëpunimit dhe avancimin e procesit të integrimit evropian.
Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësja e Komisionit Evropian, Arianna Podesta, gjatë një deklarate në Bruksel. Gjatë vizitës së saj, von der Leyen pritet të ndalet në Tiranë, Prishtinë, Podgoricë dhe Shkup, ku do të zhvillojë takime me krerët e shteteve dhe qeverive të këtyre vendeve. Në agjendë janë edhe vizitat në projekte të financuara nga Bashkimi Evropian. Në qendër të diskutimeve pritet të jetë rruga e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në BE, si dhe procesi i integrimit gradual në strukturat dhe tregun evropian. Sipas Podestës, gjatë vizitës presidentja e Komisionit Evropian do të fokusohet në hapat e mëtejshëm që partnerët e Ballkanit Perëndimor duhet të ndërmarrin në procesin e integrimit evropian, si dhe në progresin e arritur përmes Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
“Bashkimi ynë nuk do të jetë i plotë pa Ballkanin Perëndimor”, kishte deklaruar von der Leyen në samitin BE–Ballkani Perëndimor në qershor, një qëndrim që Komisioni Evropian e ka përsëritur në kuadër të politikës së zgjerimit të BE-së. Ndërkohë, vizitat në Bosnjë-Hercegovinë dhe Serbi do të zhvillohen në një periudhë të mëvonshme. Sipas njoftimit të Komisionit Evropian, arsyeja lidhet me zgjedhjet parlamentare dhe të përgjithshme që priten të mbahen në këto dy vende.
Vizita e von der Leyen vjen në një periudhë kur zgjerimi i Bashkimit Evropian dhe integrimi gradual i vendeve të Ballkanit Perëndimor mbeten në fokus të agjendës evropiane. Për vendet e rajonit, takimet pritet të shërbejnë edhe si mundësi për të diskutuar reformat, investimet dhe hapat konkretë drejt afrimit me BE-në, transmeton rtsh.










