TIRANË – Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar këtë mëngjes një takim me ministrat e kabinetit qeveritar dhe drejtuesit politikë të qarqeve, në një mbledhje të fokusuar te koordinimi i punës së strukturave qeverisëse dhe ndjekja e objektivave të përcaktuara.
Sipas burimeve, takimi ka nisur në orën 09:00 dhe po zhvillohet në ambientet e “Vilës së Kuqe”. Në qendër të diskutimeve pritet të jenë monitorimi i punës së ministrive dhe strukturave në terren, si dhe ecuria e nismave “Prania Besnike” dhe “Pasqyrë Albania”.
Gjatë mbledhjes pritet të analizohen edhe problematikat e evidentuara gjatë angazhimeve në terren, ndërsa ministrave dhe drejtuesve politikë u janë përcaktuar detyra për vijimin e punës në qarqe dhe koordinimin me strukturat përkatëse.
Pas përfundimit të mbledhjes, kryeministri Rama pritet të vijojë axhendën e tij jashtë vendit. Ai do të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku do të marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York.
Punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së janë planifikuar për periudhën 22–28 shtator. Shqipëria pritet të përfaqësohet nga kryeministri Edi Rama, i cili, sipas axhendës së parashikuar, do të mbajë fjalimin e tij më 25 shtator, gjatë paradites sipas orës lokale në SHBA.
Përveç pjesëmarrjes në aktivitetet e Kombeve të Bashkuara, gjatë qëndrimit në SHBA Rama pritet të zhvillojë edhe takime me përfaqësues të komunitetit shqiptar.
Një prej takimeve parashikohet të zhvillohet në Michigan, ndërsa më 24 shtator kryeministri është ftuar të marrë pjesë në Galanë e Komunitetit Shqiptar në New York.
Në aktivitet pritet të jenë të pranishëm anëtarë të diasporës shqiptare, diplomatë dhe figura të tjera publike. Gala synon të vërë në pah kontributin e komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara, si dhe lidhjet mes diasporës, SHBA-së dhe Shqipërisë.
Kjo vizitë do të ndërthurë axhendën institucionale të kryeministrit në kuadër të punimeve të OKB-së me takimet me komunitetin shqiptar në SHBA./BW










