Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti sot përfaqësuesit gjermanë të Fondacionit Konrad Adenauer: Dieter Althaus, ish-Kryeministër i Landit të Turingisë dhe Anëtar i Bordit të Fondacionit, Konrad Adenauer, dhe drejtuesin aktual të këtij fondacioni në Shqipëri, Thomas Kunze.
Kreu i Shtetit shprehu falënderime për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë ndaj procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, si edhe për rolin e rëndësishëm që Fondacioni Konrad Adenauer po luan në vendin tonë në mbështetje të reformave që synojnë forcimin e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe institucioneve demokratike.
Presidenti i Republikës theksoi se Shqipëria po avancon në mënyrë të qëndrueshme në procesin e anëtarësimit në BE, me fokus te reformat, sundimi i ligjit dhe forcimi i institucioneve të drejtësisë, duke vijuar harmonizimin me standardet dhe politikat e BE-së për të arritur në mbylljen e kapitujve në fund të vitit të ardhshëm. Gjatë takimit u theksua se marrëdhëniet e shkëlqyera politike duhet të shoqërohen me forcimin e marrëdhënieve ekonomike, tregtare dhe turistike, transmeton rtsh.










