BallinaDiasporaAARC kritikon aktgjykimin në Hagë: “Padrejtësi në emër të drejtësisë”

AARC kritikon aktgjykimin në Hagë: “Padrejtësi në emër të drejtësisë”

-

Prishtinë, 16 shtator – Këshilli Shqiptaro-Amerikan për Marrëdhëniet (AARC) ka reaguar ndaj aktgjykimit të sotëm të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, duke shprehur kundërshtim të fortë ndaj dënimeve të ish-liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Në një deklaratë të publikuar më 16 shtator, AARC shpreh “shqetësim të thellë” lidhur me legjitimitetin dhe besueshmërinë e procesit gjyqësor, duke pretenduar se që nga themelimi, institucioni është fokusuar në mënyrë të veçantë në ndjekjen e pjesëtarëve shqiptarë të luftës në Kosovë.

Sipas organizatës, ky çekuilibër është i dukshëm, pasi procedurat e Dhomave të Specializuara kanë prodhuar aktakuza ndaj ish-pjesëtarëve dhe drejtuesve të UÇK-së, ndërsa krimet e kryera gjatë luftës nuk janë trajtuar përmes një procesi të barasvlershëm gjyqësor nga i njëjti institucion.

AARC argumenton se karakterizimi i luftës së organizuar për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës si një ndërmarrje kriminale, sipas saj, rrezikon besimin publik dhe legjitimitetin e një institucioni gjyqësor.

AARC përmend dëshmitë e zyrtarëve amerikanë

Në deklaratën e saj, organizata i referohet edhe dëshmive të disa zyrtarëve të lartë amerikanë të dhëna gjatë proceseve gjyqësore.

Mes tyre përmenden ish-komandanti suprem i NATO-s, gjenerali Wesley Clark, i cili dëshmoi në mbrojtje, si dhe ambasadori Christopher Hill dhe ish-zyrtarë të Departamentit amerikan të Shtetit.

AARC pranon se këto dëshmi nuk përcaktojnë në mënyrë automatike rezultatin juridik të një procesi gjyqësor, por pretendon se ato dëshmojnë për mospajtime të rëndësishme rreth mënyrës se si janë interpretuar historikisht dhe faktikisht UÇK-ja dhe konflikti në Kosovë.

“Për AARC-në, kjo nuk është thjesht çështje mospajtimi me një aktgjykim. Është çështje drejtësie, kujtese historike dhe besueshmërie institucionale”, thuhet në deklaratë.

Thirrje për qetësi dhe kundërshtim të dhunës

Pavarësisht kritikave ndaj vendimit, AARC u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës dhe komunitetit shqiptaro-amerikan që të qëndrojnë të qetë dhe të refuzojnë çdo akt dhune apo hakmarrjeje.

Sipas organizatës, reagimet duhet të jenë demokratike dhe institucionale, në mënyrë që të mos dëmtohen institucionet dhe proceset demokratike të Kosovës.

AARC vlerëson se vendimi i sotëm mund të përjetohet nga një pjesë e madhe e shqiptarëve të Kosovës si një “ritraumatizim” i thellë, duke rikthyer kujtimet e dëbimeve, vrasjeve, persekutimit dhe shkatërrimit të shtëpive e komuniteteve gjatë luftës.

Kërkohet shqyrtimi i mandatit të Dhomave të Specializuara

Në deklaratën e saj, AARC i bën thirrje Kuvendit të Kosovës që të shqyrtojë “menjëherë çdo mjet kushtetues dhe ligjor” lidhur me vazhdimin e ekzistencës dhe mandatin e Dhomave të Specializuara.

Organizata kërkon që të shqyrtohen edhe ndryshimet në nenin 162 të Kushtetutës së Kosovës, me synim, siç shprehet AARC, shpërbërjen e Dhomave të Specializuara.

“Padrejtësi në emër të drejtësisë”, është një nga përfundimet kryesore të deklaratës.

AARC pranon se një ndërhyrje e tillë do të mund të sillte pasoja diplomatike dhe ndërkombëtare për Kosovën, por argumenton se këto pasoja duhet të peshohen përballë asaj që organizata e konsideron si humbje të besimit në institucion.

Në përmbyllje, AARC thekson se Kosova luftoi për liri, demokraci dhe sundim të ligjit, duke kërkuar që drejtësia të zbatohet në mënyrë të paanshme, të qëndrueshme dhe duke marrë parasysh tërësinë e historisë së konfliktit në Kosovë, transmeton rtk.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Arbëreshët e Italisë vizitojnë Gjirokastrën

0
Gjirokastra ka mirëpritur këtë të mërkurë një grup prej rreth 40 arbëreshësh nga Piana degli Albanesi, në Sicili. Vizita e tyre në qytetin e...