BallinaKultura“Woman Unknown” fiton Luanin e Artë në Festivalin e Filmit në Venezia

“Woman Unknown” fiton Luanin e Artë në Festivalin e Filmit në Venezia

-

Filmi “Woman Unknown”, me regji të May el-Toukhy, ka fituar Luanin e Artë në Festivalin e Filmit në Venecia, ndërsa dokumentari “NAZA”, i cili trajton situatën në Gaza, u vlerësua me çmimin e jurisë.

Ngjarjet e filmit “Woman Unknown” zhvillohen menjëherë pas çlirimit të Danimarkës nga pushtimi nazist. Filmi i regjisores egjiptiano-daneze rrëfen historinë e një shërbyeseje të re, Marie, e interpretuar nga Mathilde Arcel, e cila është gati të martohet me punëdhënësin e saj të ve, por shqetësohet se ai mund të zbulojë një sekret të turpshëm nga e kaluara e saj.

Gjatë luftës, Marie kishte pasur një lidhje intime me një ushtar gjerman dhe frika se e shkuara e saj mund të zbulohet bëhet një nga boshtet kryesore të historisë.

Kritiku i filmit i “The Guardian” e cilësoi “Woman Unknown” si një vepër “e realizuar me elegancë”, duke e krahasuar me filmin klasik të Alfred Hitchcock, “Rebecca”.

Mathilde Arcel u vlerësua gjithashtu me çmimin për aktoren më të mirë, “Volpi Cup”. Vendimi shkaktoi habi te disa kritikë, pasi festivali i Venecias zakonisht nuk i jep më shumë se një çmim të rëndësishëm të njëjtit film.

Pas ceremonisë, presidentja e jurisë, Maggie Gyllenhaal, shpjegoi se ishte bërë një përjashtim për shkak se votimi për aktoren daneze kishte qenë unanim.

“Ajo na la pa fjalë”, tha Gyllenhaal, duke vlerësuar interpretimin e Arcel.

Në një fjalim emocionues pas marrjes së çmimit, May el-Toukhy falënderoi Gyllenhaal për adresimin e mungesës së përfaqësimit të grave regjisore në industrinë e filmit, që në nisje të festivalit.

“Woman Unknown” ishte i vetmi film në garë që ishte realizuar tërësisht nën regjinë e një gruaje.

“Ky film ka qenë jashtëzakonisht i vështirë për t’u realizuar financiarisht, logjistikisht dhe emocionalisht”, tha El-Toukhy.

“Ajo që më mbajti të vazhdoja ishte nevoja urgjente për të ndriçuar gratë e panjohura të historisë sonë të përbashkët, për t’i bërë ato të njohura. Dhe veçanërisht sonte, ndihem sikur ia dola ta bëj pikërisht këtë”, shtoi ajo.

Çmimi i Madh i Jurisë, i cili renditet pas Luanit të Artë, iu dha regjisorit koreano-jugor Lee Chang-dong për filmin “Possible Love”.

Filmi rrëfen historinë e një çifti të martuar të pakënaqur, i cili miqësohet me një regjisore dokumentarësh dhe bashkëshortin e saj të pasur. Vepra është vlerësuar gjerësisht nga kritikët, të cilët kanë veçuar trajtimin e marrëdhënieve, shfrytëzimit dhe miqësisë, transmeton TCH.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

TRUNGU ËSHTË VETË FAMILJA

0
Nga Bajram Ibrahimaj Familja është një trung me rrënjë të thella në tokë me dashuri në çdo degë me zemër që rreh fort. Rrënjët janë babë e nënë që na...