Budapest – Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Hungari, Ilirian Kuka, zhvilloi një takim me Ministrin e Brendshëm të Hungarisë, Gábor Pósfai, ku në qendër të diskutimeve ishte forcimi i marrëdhënieve dhe zgjerimi i bashkëpunimit mes dy vendeve. Sipas njoftimit të Ambasadës së Shqipërisë në Hungari, gjatë takimit u diskutua mbi mbështetjen e Hungarisë për procesin e integrimit europian të Shqipërisë, si dhe mbi sfidat e sigurisë me të cilat përballet rajoni. Një tjetër çështje e rëndësishme në tryezën e bisedimeve ishte bashkëpunimi në fushën e menaxhimit të migracionit.
Palët diskutuan gjithashtu për mundësitë e forcimit të bashkëpunimit në mbrojtjen civile, një sektor me rëndësi të veçantë për përballimin e emergjencave dhe fatkeqësive natyrore. Në takim u trajtua edhe dimensioni i bashkëpunimit në sport, duke evidentuar mundësitë për shkëmbime dhe iniciativa të përbashkëta mes dy vendeve. Ministri i Brendshëm hungarez, Gábor Pósfai, shprehu gatishmërinë për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me Shqipërinë, duke konfirmuar interesin e palës hungareze për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe në fushat me interes të përbashkët. Takimi vjen në kuadër të përpjekjeve për thellimin e marrëdhënieve Shqipëri-Hungari dhe për forcimin e bashkëpunimit në çështje që lidhen me sigurinë, migracionin, mbrojtjen civile dhe integrimin europian të Shqipërisë, transmeton Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Hungari, përcjell helveticALforum.ch.










