Me rastin e 10-vjetorit të shenjtërimit të Shën Nënë Terezës, komuniteti shqiptar në Zvicër u mblodh në Aargau për të përkujtuar figurën e saj të madhe dhe mesazhin e përjetshëm të humanizmit, dashurisë dhe paqes. Veprimtaria u zhvillua me ftesë të Misionit Katolik Shqiptar dhe Don Pal Tunajt, ku mori pjesë edhe Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Bernë, z. Ermal Dredha. Në aktivitet ishin të pranishëm gjithashtu Don David Gjugjaj, drejtues i Radio Vatikanit në gjuhën shqipe, përfaqësues të Misionit Katolik, institucioneve, shoqatave, si dhe anëtarë të komunitetit shqiptar në Zvicër. Për shqiptarët, Shën Nënë Tereza mbetet një nga figurat më të ndritura të identitetit dhe krenarisë kombëtare, ndërsa për botën ajo është një simbol universal i përkushtimit ndaj njeriut, veçanërisht ndaj të varfërve, të sëmurëve dhe njerëzve në nevojë.

Në një periudhë kur bota përballet me luftëra, konflikte, ndarje dhe kriza të shumta humanitare, mesazhi i Nënë Terezës merr një aktualitet të veçantë. Thirrja për të mos qëndruar indiferentë ndaj vuajtjes së tjetrit dhe për të parë te çdo individ dinjitetin njerëzor që meriton, mbetet një apel i fuqishëm për shoqërinë e sotme.
Përkujtimi në Aargau ishte një tjetër dëshmi e lidhjes së fortë të komunitetit shqiptar me figurën dhe trashëgiminë e Shën Nënë Terezës. Përmes aktiviteteve të tilla, kujtesa për jetën dhe veprën e saj përcillet te brezat e rinj dhe mbetet pjesë e rëndësishme e identitetit shqiptar edhe jashtë atdheut.
“Paqja fillon kur shohim tek tjetri, para së gjithash, njeriun.”
Ky mesazh, i mishëruar në jetën dhe veprën e Shën Nënë Terezës, mbetet sot një thirrje për më shumë solidaritet, mirëkuptim dhe njerëzi. Veprimtaria u bë e ditur nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Zvicër, përcjell helveticALforum.ch.










