BallinaEKSKLUZIVE7 SHTATOR 1990 – 36 VJET NGA KUSHTETUTA E KAÇANIKUT

7 SHTATOR 1990 – 36 VJET NGA KUSHTETUTA E KAÇANIKUT

-

Nga Prof. Dr. Arsim BAJRAMI

Sot shënojmë 36-vjetorin e miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në Kaçanik – një nga aktet më të rëndësishme politike, juridike dhe historike të popullit tonë.

Kushtetuta e Kaçanikut nuk ishte thjesht një dokument juridik. Ajo ishte shpallje e vullnetit të popullit të Kosovës për liri, demokraci, pavarësi dhe shtetësi. Ishte akti themeltar që shprehu vendosmërinë për të ndërtuar institucionet e veta dhe për të mbrojtur të drejtën e patjetërsueshme për vetëvendosje.

Në rrethanat e okupimit dhe të mohimit sistematik të të drejtave themelore, kjo Kushtetutë u bë themeli juridik i shtetndërtimit të Kosovës. Ajo siguroi vazhdimësinë institucionale dhe i dha formë të qartë aspiratës sonë kombëtare për një shtet të lirë e sovran.

Rruga e nisur në Kaçanik u zhvillua fillimisht përmes rezistencës aktive paqësore dhe ndërtimit të institucioneve të pavarura. Përballë represionit të egër dhe mohimit të së drejtës për liri, kjo rrugë kulmoi me luftën çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – luftë që i dha forcë dhe mbrojtje idealit të shprehur në Kushtetutën e Kaçanikut.

Kjo Kushtetutë përbënte gjithashtu bazën e rëndësishme juridike për proceset që çuan te Referendumi i vitit 1991 për pavarësinë e Kosovës, përmes të cilit populli ynë shprehu qartë dhe fuqishëm vullnetin për një Kosovë të pavarur dhe sovrane.

Kam pasur nderin dhe përgjegjësinë historike të hartoj gjashtë amendamentet e kësaj Kushtetute, duke kontribuar në hapjen e rrugës për Referendumin për pavarësinë e Kosovës dhe për avancimin e mëtejshëm të proceseve politike, juridike dhe institucionale të shtetndërtimit.

Nga 7 shtatori 1990 deri më 17 shkurt 2008 shtrihet një rrugëtim i gjatë, i vështirë dhe i lavdishëm: nga akti kushtetues i Kaçanikut, përmes rezistencës paqësore, referendumit, luftës çlirimtare dhe sakrificës së brezave, deri te shpallja e Republikës së Kosovës shtet i pavarur dhe sovran.

Prandaj, 7 shtatori nuk është vetëm një datë historike. Është themeli i një epoke të re dhe një nga pikënisjet më të fuqishme të historisë moderne kushtetuese të Kosovës.

Sot shprehim mirënjohjen dhe respektin më të thellë për hartuesit e Kushtetutës së Kaçanikut, për delegatët që e miratuan atë dhe për të gjithë ata që, me guxim, përkushtim dhe sakrificë, kontribuuan në realizimin e idealit të saj.

Nderim i përjetshëm për popullin e Kosovës, i cili, edhe në ditët më të vështira, e mbajti gjallë frymën e Kushtetutës së Kaçanikut dhe idealin e lirisë, pavarësisë dhe shtetësisë.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

MUNDËSI BURSE PËR MASTER NË JAPONI

0
Universiteti i Tsukubas hap aplikimet për programin Master’s Program in Economic and Public Policy (PEPP) për vitin akademik 2027. Universiteti: University of Tsukuba, Japoni Fusha: politika ekonomike dhe publike, zhvillimi ndërkombëtar...