Koror, Palau – Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Glauk Konjufca, po merr pjesë në Takimin e 55-të të Liderëve të Forumit të Ishujve të Paqësorit (PIF), i cili po zhvillohet në Koror të Palaut nga 30 gushti deri më 4 shtator 2026.
Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, pjesëmarrja e Kosovës në këtë forum ndërkombëtar synon të hapë mundësi të reja për forcimin e marrëdhënieve me shtetet e Paqësorit dhe zgjerimin e angazhimit diplomatik të Kosovës në këtë rajon.
Gjatë qëndrimit në Palau, Konjufca pritet të zhvillojë takime dypalëshe me krerë shtetesh e qeverish, ministra të jashtëm dhe përfaqësues të tjerë të lartë të vendeve pjesëmarrëse. Në fokus të këtyre takimeve pritet të jenë forcimi i marrëdhënieve ekzistuese, krijimi i partneriteteve të reja dhe identifikimi i fushave të bashkëpunimit me interes të përbashkët.
Në kuadër të takimit të PIF-it, liderët do të diskutojnë një sërë çështjesh me rëndësi për rajonin e Paqësorit, përfshirë qëndrueshmërinë ekonomike, ndryshimet klimatike, qeverisjen e oqeaneve dhe peshkimit, sigurinë rajonale, reformën institucionale dhe forcimin e unitetit të vendeve të Paqësorit.
MPJD-ja ka bërë të ditur se Kosova synon të ofrojë kontributin e saj, në përputhje me kapacitetet dhe nevojat e vendeve të rajonit, në fusha si qëndrueshmëria klimatike, gatishmëria ndaj fatkeqësive natyrore, zhvillimi i qëndrueshëm dhe mbrojtja e burimeve natyrore.
Në agjendën e bashkëpunimit parashihen gjithashtu arsimi, ngritja e kapaciteteve të sektorit publik, siguria, zhvillimi digjital dhe shkëmbimet ndërinstitucionale.
Një tjetër dimension i angazhimit të Kosovës në këtë rajon është diplomacia kulturore. Sipas MPJD-së, bashkëpunimi arsimor dhe kontaktet ndërmjet qytetarëve synojnë të krijojnë ura të reja komunikimi dhe lidhje më të qëndrueshme ndërmjet Kosovës dhe popujve të Paqësorit.
Pjesëmarrjen në Samitin e PIF-it, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e sheh si një mundësi për të vendosur bazat e një angazhimi më të fuqishëm dhe afatgjatë të Kosovës në rajonin e Paqësorit.
Ky angazhim, sipas ministrisë, do të mbështetet në respektin e ndërsjellë, interesat e përbashkëta dhe krijimin e partneriteteve të qëndrueshme në fusha të ndryshme, transmeton rtk.










